Shkruan: Sasho Ordanoski
Intelektual bëhesh me tre fakultete: të gjyshit, të babait, dhe tëndin.
E di se kjo është një batutë maçoiste dhe pa korrektësi politike ( sepse edhe gjyshet edhe nënat mund të kenë arsim të lartë), por fjala është se duhet të kalojnë disa gjenerata që të arrihet një nivel i caktuar i integritetit arsimor, kulturor dhe intelektual, i cili nëse do të ishte në sasi të mjaftueshme shoqërore, do të “shkrihej” në një lloj të opinionit të angazhuar demokratik dhe kritik. Të mos keqkuptohem: të jesh intelektual ( gjegjësisht, të kesh diplomë fakulteti, për fillim!) nuk është fare garanci se dikush do të jetë njeri i mirë dhe anëtar i virtytshëm i shoqërisë – njoh shumë njerëz të mrekullueshëm pa arsim të lartë – mirëpo, është e natyrshme ambicia shoqërore e gjeneratave më të reja t’u mundësohet sukses arsimor i tillë, i cili ndoshta, do t’ua lehtësojë statusin shoqëror dhe profesional në jetë. Të themi kështu.
E kam fjalën, sfera e arsimit, posaçërisht e arsimit të lartë, vjen si “ajkë” në zhvillimin e shoqërisë, dhe kjo nuk mund të arrihet në nivel më masiv, me tejkalimin e disa kushteve të domosdoshme, siç janë zhvillimi i përgjithshëm social dhe ekonomik i shtetit. Që të mos bëj digresione me projektet e inxhinierisë shoqërore të pushtetit të kaluar, i cili merrej me idenë për regjistrimin qind për qind të gjimnazistëve në Maqedoni në fakultet ose me hapjen e dhjetëra studimeve të disperzuara nëpër qytezat e vendit, që të krijohen klientë partiak dhe mijërave nga ata t’u mundësohen – e dimë në cilat mënyra – kualifikime formale për punë në administratën shtetërore. Gjatë do të shërohemi nga pasojat e këtyre politikave.
Mirëpo, qëllimi im ishte ky: ti përkujtoj kryesisht Maqedonasit, ata etnikët, se Maqedonia realizoi përparim me përmasa të mëdha në vitet e gjashtëdhjeta dhe shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, duke i falënderuar strategjisë jugosllave komuniste për zhvillimin asimetrik të rajoneve të pazhvilluara në ish- federatën jugosllave, kur republikat e Jugosllavisë veriore u pajtuan që buxheti jugosllav të ndahet me proporcione jo të barabarta ( paratë! – për të cilën gjë më vonë u formua edhe Fondi federal për rajone të pazhvilluara), që pjesët jugore të shtetit Jugosllav të fitojnë një shans më të shpejtë për zhvillim, për të mirën e prosperitetit shoqëror gjithëpërfshirës jugosllav. Dhe ashtu ndodhi! Si mendoni që Jugosllavia pas Luftës së Dytë Botërore, nga një vend rural, i prapambetur dhe siç thonë, i harruar edhe nga Zoti, u bë me rrugë, shëndetësi, sistem arsimor, bujqësi…Realisht, për disa dekada i tejkaluam njëqind vite të prapambeturisë.
E ngjashme është edhe ideja që është në bazën e kërkesës politike të sotme të faktorit etnik shqiptar në Maqedoni – po, e përmbledhur edhe në “Platformën e Tiranës” – buxheti shtetëror të fillojë të distribuohet me ndjenjë më të madhe nga e gjithë bashkësia shoqërore ( lexo: Maqedonasit) për ri-distribucionin e parave të përbashkëta drejt mjediseve në të cilat jeton shumica e Shqiptarëve etnikë. Mirë, nuk them se në ato kërkesa nuk ka padurim dhe teprime – më thotë një mik shqiptar: “Këta të mitë nuk kanë lidhje se si janë rrugët ose rrjetet e ujësjellësit nëpër Maqedoninë Lindore, mendojnë se atje jetohet kushedi sa më mirë sesa në Maqedoninë Perëndimore!” – mirëpo ka vend për korrigjime, edhe atë jo vetëm në bazë etnike – gjeografike, por me një rishikim serioz të hartës urbane – rurale ose sociale të Maqedonisë. Ç’të them, është turp që në vitin 2017 lajmi kryesor nëpër mediat e vendit është fakti se në Shutkë më në fund ka gjinekolog!
Për këtë arsye e mbështes Koço Angjushevin, kur në emër të gjithë Qeverisë, para disa ditëve fliste se ato probleme të zhvillimit të pabarabartë në shtet, kjo qeveri duhet ti adresojë dhe të propozojë zgjidhje. Me kërkimin e agjendave të “fshehta” politike, do të thotë prerja e degës në të cilën qëndrojmë të gjithë.
Vetëm se, është mëkat që kjo temë e rëndësishme mbulohet me manipulime tjera parazgjedhore nacionaliste – siç janë vendbanimet për refugjatët, si dhe se në Berovë të gjithë do të flasin shqip – kështu që nuk mund ta ketë vëmendjen dhe qetësinë e merituar me të cilën duhet të diskutohet