Kategoritë

INTERVISTË Taravari: Vendimi për kandidaturë për njeriun e parë të Gostivarit, është i imi!

Me Ministrin në largim, Arben Taravari, biseduam për gjendjet në shëndetësi, për vendimin e tij për largim nga pozita e ministrit, për kandidaturën e tij për kryetar komune dhe për gjendjet brendapartiake.

CIVIL Media: Si e vlerësoni gjendjen në shëndetësinë publike në Maqedoni, pas ardhjes tuaj në pozitën e Ministrit për shëndetësi?

Taravari: Gjendja në sistemin shëndetësor në Maqedoni, është komplet e degjeneruar. Këtë e din çdo pacient, këtë e din çdo punëtor mjekësor, dhe çdo njeri tjetër që ka ndonjë lidhje me sistemin shëndetësor në Maqedoni. Për fat të keq, e gjeta Ministrinë e shëndetësisë me plot spitale të vjetra, të amortizuara, me mjekë të dëshpëruar, me personel mjekësor të dëshpëruar, me pacientë gjithashtu të dëshpëruar, dhe e gjithë kjo tregon se sistemi shëndetësor në Maqedoni është plotësisht i devastuar. Prandaj edhe kemi bërë një plan aksionar, pasi e bëmë një Sondazh me firma kredibile ,që i anketuan shumicën e pacientëve dhe punëtorëve të shëndetësisë, dhe i vendosëm prioritetet kryesore për kabinetin tonë, për periudhën që vijon. Kështu që, pakënaqësia e parë e pacientëve, pasi që shëndetësia çdo herë e vendos pacientin në qendër të saj, pakënaqësia e parë e pacientëve ishte higjiena. Dhe menjëherë nisëm të marrim masa të caktuara për përmirësimin e gjendjes higjienike të spitaleve publike në Maqedoni.

Pakënaqësia e dytë e pacientëve ishte pakënaqësia nga personeli i mesëm mjekësor, dhe ne e analizuam se pse nuk janë të kënaqur nga personeli i mesëm mjekësor, dhe konstatuam se përpjesa, numri i motrave dhe mjekëve në shëndetësinë publike, është shumë i vogël. Do të thotë se ka pak mjekë, dhe ata japin shumë shërbime mjekësore, dhe pak motra, që të kujdesen për pacientët. Mesatarisht i bie që një motër të kujdeset për 20 ose 30 pacientë. Për shembull, në klinikat private, një motër kujdeset për katër deri pesë pacientë. Kështu që, nëse një motër e ka për obligim ta mbuloj me terapi dhe me kujdes tjetër pacientin, kur ato me numër janë 20 -30, ato fizikisht nuk mund të arrijnë.

Kështu që, kemi pacientë të pakënaqur, dhe nga ana tjetër, infermierë të cilët nuk mund ta arrijnë këtë dhe janë të dëshpëruar. Gjithashtu, një nga arsyet nga pakënaqësia e personelit mjekësor, është edhe pagesa që u bëhet, sepse, imagjinoni, për një kujdestari, motrat, ose, infermierët, teknikët, marrin 150 denarë për një kujdestari. Dy euro e gjysmë, për një kujdestari. Dhe nuk mund të pritni prej një kuadri që paguhet me këtë sasi të parave, ata duhet të shkojnë në shtëpi dhe të çojnë ushqim për familjet e tyre. Është e pamundur që të japin shërbime ashtu si duhet. Çfarë është zgjidhja për këtë? Zgjidhja për këtë është , një, të ketë punësime si duhet, sidomos të personelit të mesëm mjekësor, dmth. teknikë dhe infermierë, dhe puna e dytë është rritja e  pagesës së tyre për kujdestari, dhe rrogave të tyre. Këto dy gjëra janë të parapara në programin qeveritar, të cilin e aprovoi Kryeministri.

 

CIVIL Media: Ju a keni arritur të bëni ndonjë hap para për rritjen e rrogave ?

Taravari:  Do të thotë, rritjen e rrogave nuk mund ta bëjmë me këtë buxhet, ajo është e paraparë në buxhetin e ardhshëm, në fillim të vitit të ardhshëm të rriten për 15 % rrogat e të gjithë punëtorëve në shëndetësi, jo vetëm e mjekëve, se më parë, qeveritë e mëparshme i rritnin vetëm rrogat e mjekëve, ndërsa personeli tjetër  mjekësor lihej anash, dhe besoj se me buxhetin e vitit 2018 është paraparë rritja e rrogave për të gjithë punëtorët e shëndetësisë, gjithashtu jemi në negociata me sindikatat,  dhe në këto negociata është i kyçur edhe kryeministri, me të vetmin qëllim, që rrogat e të gjithë punëtorëve në shëndetësi, sado pak t’i rregullojmë. Të mos mbeten me këto rroga që i paguajnë për kujdestari, Do të thotë, me balancimin e rritjes së numrit të motrave , dhe rritjen e rrogave, shpresoj se do të ketë kënaqësi të cilën do ta vërejnë edhe pacientët dhe ma merr mendja që kur ta bëjmë përsëri pas gjashtë muaj një sondazh se deri ku janë pakënaqësitë e tyre, shpresoj që në këtë drejtim të ketë përmirësime. Puna e tretë, pakënaqësia e tyre ishte prej mjekëve. Pse themi prej mjekëve…Pasi që, që në fillim, edhe në opozitë kur kemi qenë, se “Termini im”, nuk ka funksionuar si duhet, mjekët kanë qenë shumë të ngarkuar, sepse një mjek ka qenë i detyruar të kontrollojë 30, 50, 60 pacientë në ditë, gjë që është e pamundur për tetë orë, ndërsa nga ana tjetër, në klinikat private një mjek kontrollon pesë deri dhjetë pacientë në ditë. Në fakt, mjekët që paguhen tre- katër herë më pak në shëndetësinë publike, kontrollojnë pesë- gjashtë herë më tepër pacientë. Nuk mund të pritet nga një mjek specialist, pas kontrollit të njëzetë ai është i paaftë për të qenë i koncentruar, dhe mundësia për gabime pas pacientit të njëzetë, rritet, dhe mund të bëjë lëshim, ose, të mos sillet ashtu si duhet me pacientin. Prandaj me “Termini im” do të shohim t’i balancojmë këto punë. Nëse më pyetni se si do ta balancojmë dhe si është formula, dhe pse nuk e kemi bërë këtë më herët….Shëndetësia publike në Maqedoni është e koncentruar dhe e centralizuar në Shkup, gati se vetëm në Shkup. Mbi 50% të shërbimeve mjekësore, jepen në qendrën klinike. Ideja ynë është që me ligjin e ri për shëndetësi publike, t’i disperzojmë, gjegjësisht, ta decentralizojmë shëndetësinë publike, kemi edhe tre spitale klinike, në Tetovë, Shtip dhe Manastir, në të ardhmen mendojmë të bëjmë edhe një qendër klinike që do të jetë kombinim – Strugë dhe Ohër, dhe mundësi për të dërguar pacientë në Shkup, të kanë vetëm spitalet klinike. Do të thotë, të mos mundet nga Berova të dërgohet në Shkup, por nga Berova, të janë të detyruar të dërgojnë në Shtip, dhe Shtipi të mundet në Shkup. Ose, Gostivari të  mos mundet drejt në Shkup, por së pari në Tetovë, e pastaj nëse spitali klinik në Tetovë konstaton se nuk mund të jep shërbim, atëherë të dërgon në Shkup. Çfarë duam të arrijmë me këtë, cila është ideja. Ideja është se nuk do të arrijë çdo gjë në Shkup, por shumë punë që nuk janë bërë në spitalet klinike në Tetovë, Shtip dhe Manastir, tu japim më tepër obligime, gjithsesi se atje do të punësojmë kuadër ende motra dhe mjekë, dhe për ato shërbime që mund t’i kryejnë ato, të mos vijnë në Shkup. Të mundësojmë edhe edukimin e kuadrit mjekësor që bëhet në qendrën klinike, flas për studentët e mjekësisë, flas për specializantët, për ligjëratat dhe për punimet shkencore që i përgatisin punonjësit e shëndetësisë terciare në Shkup.

 

CIVIL Media: Gjatë gjithë kohës përsëritni se “do ta bëni, do ta bëni”, ndërkohë që e paralajmëruat kandidaturën tuaj për kryetar të Komunës Gostivar. Pse vendosët ta bëni këtë hap?

Taravari: Për mua personalisht ishte një hap shumë i rëndë. Njëzetë vite jam në shëndetësi, dhe këtë e ndjej si shtëpinë time. Tani jam mjeku i parë në Maqedoni, dhe është shumë rëndë që njeriu të del nga profesioni që e do, dhe është shpirtërisht i lidhur me atë. Por të mos harrojmë se unë këtu jam ministër i një partie politike e cila quhet “Aleanca për Shqiptarët”, nuk jam si ekspert, nuk jam si mjeku më i mençur, por jam i deleguari i asaj partie. Në bazë të analizave që i kemi bërë ne si parti, vërejtëm se kredibiliteti ynë do të jetë i rëndësishëm dhe më i madh në Qeverinë e Maqedonisë, nëse ne në këto zgjedhje lokale, marrim disa komuna. Dhe në Gostivar, analizat e të gjitha sondazheve ishin që unë jam i vetmi që mund ta sfidoj dhe ta fitoj z. Bejtën, dhe e kishim shumë me rëndësi, edhe unë edhe z.  Sela, i cili është deputet dhe do të kandidohet përsëri në Strugë, që ti marrim komunat, dhe pastaj të përgatitemi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kur do që të mbahen, që të kthehemi më të fuqishëm, dhe idenë tonë politike ta bëjmë më kredibile, më të rëndësishme, më të besueshme. Unë, si Arben Taravari asnjëherë nuk jam kandiduar në Gostivar, të shoh sa është vlera ime, të shoh se sa më vlerësojnë qytetarët e mi. Dhe ky është momenti të kthehem në bazën time, të marr verdiktin e popullit, të formoja atje një ekip, e di se unë për kryetar komune nuk jam shumë kompetent por mendoj se skuadrat janë ato që japin rezultate. Dhe këtu në ministri, unë e kam bë skuadrën time, të gjitha këto rezultate nuk janë rezultate të një personi, i cili është para kamerave, por përkundrazi, prapa sukseseve dhe mossukseseve të Arbenit, qëndron edhe skuadra e tij. Në skuadrën time, të gjithë ata që e njohin ministrinë e shëndetësisë, nuk ka ushtarë partiakë,  ka  njerëz kompetentë, ka njerëz profesionalë, të partive të ndryshme dhe përkatësive etnike të ndryshme, por që funksionojnë si një makineri. Me përgjegjësi të plotë e them, se e bisedova edhe me kabinetin tim, që kjo skuadër të mbetet, cilido qoftë që do të jetë i pari i shëndetësisë, mendoj se politikat që i bën Arben Taravari janë politikat e qeverisë dhe të Aleancës për Shqiptarët.

CIVIL Media: Dëshironi të thoni se ky vendim është personalisht i juaji, ose i partisë?

Taravari: Unë jam një nga tre-katër personat kyçë në parti, dhe nuk mund të ik nga kjo, jemi ulur, askush nuk më ka bë presion që të dal. Do të thotë, i demantoj të gjitha lajmet, lexoj se dikush do të më djeg, të më fut në lojë, përkundrazi, vendimi ka qenë personalisht i imi, të garojmë dhe si parti të fuqizohemi. Nëse ne si parti nuk jemi të fuqishëm, nuk e kemi besimin e popullatës, pesha jonë në qeveri është e parëndësishme.

 

CIVIL Media: Mirëpo e leni për gjysmë punën e filluar në ministri…

Taravari: Nuk është ashtu. Puna që e bëj unë, është rezultat i një skuadre që funksionon pa ndaluar. Njerëz të cilët nuk shihen para kamerave, nuk dalin, por punojnë më tepër se dhjetë orë nëpër zyrat e ministrisë. Ajo skuadër do të vazhdojë, vetëm ministri do të ndryshojë, në vend të Arben Taravarit do të vijë një person i cili gjithashtu është përfaqësues i Aleancës për Shqiptarët, me të gjitha gjasat menjëherë pas zgjedhjeve, dhe do të vazhdojë me punë me të njëjtën skuadër, me të njëjtin zëvendës ministër, me të njëjtin sekretar të shtetit, kështu që edhe unë do të jem krahu i ministrit të ardhshëm.

CIVIL Media: Do të thotë se ju veç më e dini se kush do të jetë ministri i ardhshëm?

Taravari: Jo, nuk e kemi përcaktuar në kuadër të partisë, do ta bisedojmë, ky vendim sillet në kuadër të partisë, por me siguri edhe në konsultim edhe me kryeministrin, sepse edhe qeveria është një skuadër, prandaj do të ulemi të bisedojmë dhe do ta gjejmë zgjidhjen më adekuate, por njerëzit që më njohin e dinë se pas meje qëndrojnë më së paku dhjetë deri pesëmbëdhjetë mjekë kompetentë shqiptarë, të cilët punojnë në qendrën klinike në Shkup.

CIVIL Media: A ka mundësi të mos jetë njeri i partisë?

Taravari: Unë do t’u tregoj, ju thash se në skuadrën time nuk ka…nuk them, shoferi është i partisë sime, por njerëzit tjerë të angazhuar, janë kryesisht ekspertë. Dhe në listën e këshilltarëve që e kam përgatitur për komunën e Gostivarit, janë 15 persona, anëtarë të partisë tonë, dhe 15 persona janë personalitete të ndryshme, nga arti, nga sporti, të profesioneve të ndryshme, njerëz të suksesshëm në profesionet e tyre.. I luta të ulemi, dhe u thash se dua të jenë pjesë e skuadrës time, me të cilën do ta sfidojmë Gostivarin, ata e pranuan me kënaqësi dhe ata do të jenë ekipi. Nuk them se e kam depolitizuar tërësisht listën e këshilltarëve në Gostivar, por kam bërë një kombinim të njerëzve profesionistë, dhe njerëzve që janë anëtarë të partisë. Por nuk do të thotë që edhe ata nuk janë profesionistë. Lista e këshilltarëve të cilën do ta promovoj në Gostivar, është një shembull të cilin do të mundohemi ta reflektojmë edhe në qytetet tjera.

CIVIL Media: Në një deklaratë keni thënë se në rast se nuk do të zgjidheni për kryetar të komunës së Gostivarit, do të hiqni dorë nga politika. A do të thotë kjo se do të hiqni dorë edhe nga posti që e keni në partinë tuaj?

Taravari: Jam sekretar i përgjithshëm, në dorëheqje. Do të thotë jam sekretar gjeneral pas humbjes së zgjedhjeve më 11 dhjetor, do të thotë nga atëherë, jam në dorëheqje. Në ndërkohë ne nuk arritëm ta organizojmë kongresin e ri, pasi që e ndryshuam edhe emrin,  dhe presim që pas zgjedhjeve ta mbajmë kongresin e ri, unë gjithsesi nuk do të jem sekretar. Mendoj se nuk do të jem, mirëpo do të vendosin organet partiake, mundet të jem ndonjë anëtar i kryesisë qendrore ose nënkryetar, nuk e di, atë e vendosin organet partiake. Mendoj se nëse i humbim zgjedhjet, unë nuk kam peshë, sinqerisht. Se si do të jenë vendimet partiake nuk e di, nuk e them, të mos shpejtoj. Shpesh shpejtoj duke e shprehë atë që e mendoj shpirtërisht, dhe shpirtërisht, nëse i humbim zgjedhjet në Gostivar, unë mund të mbetem vetëm një anëtar i Aleancës për Shqiptarët.

CIVIL Media: Po angazhimin tuaj si mjek, a do ta vazhdoni?

Taravari: Absolutisht. Atë e kam kënaqësinë më të madhe.  Edhe tani, për çdo të mërkurë, sot ishte dita kur duhej të kontrolloj pacientë por nuk ia dola se kisha obligime tjera, aty e gjej veten, në kabinetin tim në neuro-fiziologji, është kënaqësia ime më e madhe, destresimi im më i madh,  dhe si kryetar komune unë kam ligjërisht të drejtë të punoj 15 orë në javë pa pagesë, dhe këtë do ta bëj në zyrën time në neuro-fiziologji, në Shkup. Se si do ta organizoj, do të shoh, pas orarit të punës me siguri, dy se tre ditë nga katër orë. Mendoj se me angazhimin tim në ministri i kam lënë pacientët e mi pas dore, dhe ata shpesh më shprehin keqardhje, dhe hidhërim se jam i përkushtuar shumë kësaj pune. Më besoni, 100 ditë as të shtunave as të dielave nuk kam qenë me familjen. Ndodh që djali i vogël shpesh të me ankohet, të pyet se a me duhej kjo…Kështu që edhe pas politikës, jeta vazhdon.

CIVIL Media: A do të vazhdojë lidhja #përshëndetjeTaravari?

Taravari: Ajo do të vazhdojë, personalisht u përgjigjem 500 deri 600 porosive..

CIVIL Media: Do të vazhdojë edhe kur nuk do të jeni më ministër?

Taravari: Jo, atëherë do të bëhet #përshëndetje – ndonjë emër tjetër. Ne mendojmë se është ide e mirë, sistemi shëndetësor nuk funksionon mirë. Unë bëj intervenime të ndryshme, përafërsisht 100 deri 200 pacientë i aranzhojmë si kabinet. Ata paraqiten, unë ua dërgoj në kabinet, kemi një ekip prej pesë mjekëve të cilët i aranzhojnë pacientët..

CIVIL Media: Dhe kjo funksionon mirë?

Taravari: Shihni, njerëzve u kryen punë, kemi një fidbek prej popullatës, ka disa që tallen aty, janë pak, ka disa që e përshëndesin suksesin e mjekëve dhe lëvdojnë mjekë të caktuar, dhe ka kritika të caktuara. Ato çdo ditë në mbledhjen e mëngjesit që e mbajmë në kabinetin tonë, i paraqesim në një tabelë dhe i detektojmë mangësitë. Sinqerisht, kemi pasur mjekë të caktuar për të cilët kanë alarmuar, nëse ka shtatë – tetë mesazhe se një mjek ose motër të caktuar nuk sillet mirë, u shkojmë dhe u tërheqim vëmendjen, i lusim ta përmirësojnë sjelljen, dhe nëse përsëritet, atëherë duhet të dënohen. Në të ardhmen mendojmë që edhe në “Termini im”, përveç mjekëve, ta përdorin edhe pacientët, të jetë interaktive. Për shembull informata të caktuara për ilaçe, të dhënat që mund ti marrin, gjithashtu të mundet edhe nëpërmjet të ueb faqes, kjo do të jetë në të ardhmen, pas disa muaj, të munden edhe të shprehin pakënaqësitë e veta, dhe do të insistoj që viberi the whatsup-i të vazhdojnë edhe më tej. Unë shpresoj që nëse ministri i ardhshëm do të jetë i partisë tonë, do të mundohem të jem dora e djathtë e tij, nëse është i partisë tjetër do ta ofroj punën time, që të kryej aq sa mundem, nëse u duhet, nëse nuk u duhet…Mua më dhimbet sistemi shëndetësor, dhe çdo punëtor në sistemin shëndetësor, dhe dua që të funksionojë sa më mirë.

CIVIL Media: Ju falënderoj për kohën që e ndatë për ne, ju uroj sukses në kandidaturën tuaj, edhe pse, i leni votuesit të dëshpëruar.

Taravari: E di, jo të dëshpëruar, por edhe të pakënaqur, por koha do të tregojë të veten, unë shpresoj se ministria do ta vazhdojë punën edhe më mirë sesa me mua, dhe do ta ndihmojmë shoqërinë. Ne si parti politike e demoluam pushtetin qendror, por pushtetin lokal ende e kanë njerëzit  e njëjtë të cilët e mbanin dhjetë vite me radhë. Nuk mundemi të ndërtojmë shoqëri të mirëfilltë në nivel qendror nëse nuk e nisim me ndryshime nëpër lokalitete të ndryshme. Dekriminalizimi i pushtetit duhet të niset prej komunave.

Dijana Tahiri
Kamera: 
Atanas Petrovski