Ansambli vokal “Simbioza” do të paraqitet sonte në Strugë, në Qendrën e Kulturës “Vëllezërit Milladinovi”, me fillim në ora 20. Për idenë e formimit të një përbërjeje korale multietnike dhe multikulturore, CIVIL Media bisedoi me dirigjentin Behar Veseli.
“Ansambli vokal “Simbioza” filloi si rezultat i shoqërisë me kolegun tim, kompozitorin Damjan Temkov, me të cilin në verën e vitit 2015 e nisëm këtë tregim të bukur. Idenë tonë e përcollëm te nxënësit e paraleleve shqipe dhe maqedonase pranë shkollës së mesme të muzikës “Ilija Nikollovski – Lluj”, dhe e formuam korin. Programi me të cilin paraqitemi është i përbërë prej këngëve të popujve të ndryshëm, të cilët në të kaluarën kanë pasur konflikte dhe padurim mes vete. Shfrytëzojmë këngë nga ato vende dhe prej dy këngëve bëjmë fusionin e diversiteteve, një kompozim. Për këtë arsye kori e mban emrin “Simbioza”, shpjegon Veseli.
“Porosia të cilën dëshirojmë ta përcjellim është se, pavarësisht nga diversitetet tona, nëse fokusohemi në ngjashmëritë, mund të funksionojmë së bashku, të ecim rrugës së përbashkët, me respekt, me tolerancë, me mirëkuptim për kulturën, për gjuhën e tjetrit pranë nesh, me të cilin e ndajmë përditshmërinë. Këtë porosi sot në Strugë do ta përcjellim për herë të gjashtë”, thotë dirigjenti Behar Veseli.
Kori “Simbioza” deri tani çdo herë ka hasur në reagime pozitive nga publiku, pa dallim nga, siç thotë Veseli, situata momentale politike, e cila imponon diçka tjetër në përditshmërinë tonë.
Koriste/ët deri tani kanë marrë pjesë në Verën e Shkupit, në Shtip, në Prishtinë, në Shkup, Kumanovë, Tetovë dhe në Gostivar.
Marija Tegovska