“Revolucioni i larmë ka arritur shumë, sepse e ka treguar pasqyrën e vërtetë të “Maqedonisë së Larme”, gjegjësisht, të qytetareve dhe qytetarëve të saj të cilët pa dallim nga përkatësia e tyre politike, etnike, gjinore, dhe fetare, morën guximin dhe protestuan palodhshëm për çdo ditë katër muaj, me qëllim që më në fund të hapet rruga që fëmijët tonë të mund të jetojnë në një vend normal, të civilizuar dhe përparimtar, përkundër vilajetit të sotëm të errët në të cilin jetojmë!, deklaroi për CIVIL Media, Igor Popovski –Zhiskar, pjesëmarrës në Revolucionin e Larmë dhe aktivist i sindikatës.
“Sot e shënojmë përvjetorin e parë nga vargu i protestave të Revolucionit të Larmë, të cilat në mënyrë spontane shpërthyen përmes thirrjeve në rrjetet sociale, më 12 prill 2016, për shkak të vendimit të turpshëm dhe kundër kushtetues të Presidentit të Republikës së Maqedonisë, të falë 56 persona, në mesin e të cilëve edhe më fajtorët për atë që po ndodh në vendin në dekadën e fundit. Ky vendim ishte në drejtim të lirimit të personave të dyshuar për vepra kriminele, të cilat janë objekt i hetimeve të Prokurorisë Speciale Publike, ndërsa punën e këtij institucioni ta bëjë të kotë. Për këtë arsye, protestat në mënyrë simbolike fillonin për çdo ditë në ora 18, pikërisht para zyrave të PSP”, deklaroi për ne aktivisti Popovski.
“Revolucioni i Larmë në fakt është kulmi i valës së pakënaqësisë dhe mllefit të qytetarëve nga pushteti totalitar – kleptokratik i cili sundon me Maqedoninë për njëmbëdhjetë vite dhe e shndërroi vendin në shtet të robëruar, siç është karakterizuar edhe në raportet e BE. Kjo valë praktikisht u forcua në dy vitet e fundit, duke filluar nga protestat studentore nga fundi i vitit 2014, pastaj protestat për mbrojtjen e QT dhe protestat e honoraristëve, deri në protestën e 5 majit të vitit 2015, i cili në veçanti duhet të theksohet sepse Shkupjanët ishin të rrahur ashpër nga njësitet speciale të policisë, përkatësve të NVSH, deri te protesta e madhe qytetare e mbajtur më 17 maj 2015”, deklaroi Popovski për CIVIL – Media.
“Revolucioni i Larmë sjelli disa ndryshime, por me rëndësi është të zgjohet vetëdija qytetare dhe se Presidenti Gjorge Ivanov e tërhoqi abolicionin. Në Revolucionin e Larmë kishte shumë diversitet, laramani, flamuj të ndryshëm dhe kjo bashkësi u pasqyrua edhe gjatë zgjedhjeve, në të cilat për herë të parë, Shqiptarë etnikë votuan për parti maqedonase”, deklaroi për Civil Media aktivisti qytetar, Zamir Mehmeti.
Profesori dr. Branimir Jovanoviq, një prej viktimave të dhunës policore gjatë kohës së protestave në rrugët e Shkupit, vitin e kaluar, në referimin e tij për Revolucionin e Larmë, një vit pas, në “Prizma” shkroi se “protestat vitin e kalur ishin të larme, jo vetëm për shkak të ngjyrosjes së përmendoreve dhe flamujve me ngjyra të ndryshme. Ishin të larme në esencën e vet, sepse në atë morën pjesë njerëz me bindje të ndryshme ideologjike, nga parti të ndryshme politike, të nacionaliteteve të ndryshme dhe përkatësive tjera të ndryshme. Protestat tani janë kuq e verdh. Në ato dominojnë flamuj maqedonas, para së gjithash ai nga Vergina. Protestuesit janë pothuajse plotësisht të afërt me VMRO –DPMNE, ndërsa pakica etnike pothuajse nuk ka. Në protestat rregullisht këndohet kundër “shqiptarët e mallkuar” dhe klithet “Maqedoni e pastër”…Këto janë ato dy Maqedoni. Njëra, në të cilën njerëzit bëjnë çfarë duan, tjetra, në të cilën njerëzit janë shndërruar në të dëgjueshëm partiak të cilët duhet verbërisht ti ndjekin urdhrat e Çobanit. Njëra, në të cilën qytetarët luftojnë kundër krimit dhe për sundimin e të drejtës, tjetra, në të cilën njerëzit trajtohen si mish që duhet t’i mbrojë krimet e liderëve të tyre. Njëra, në të cilën ngjyrat më të ndryshme plotësohen në mënyrë të ndërsjellë dhe forcohen në harmoni të përsosur, pa u shkrirë në një. Tjetra, në të cilën të gjitha ngjyrat shkrihen në kombinimin kuq e verdh, në të cilën shteti është kryesori, ndërsa individi – i parëndësishëm”.
Në atë kontekst, një nga revolucionarët e larmë i cili ishte në mesin e më të përfaqësuarve në rrejtet sociale, Zamir Mehmeti, për CIVIL- Media deklaroi: “Për dallim nga protestat e tanishme ultra-nacionaliste dhe shoviniste, në të cilat bërtitet “Maqedoni e pastër”, në Revolucionin e Larmë kishte respekt dhe mirëkuptim për të gjitha bashkësitë etnike, fetare dhe tjera. Në këtë moment, kemi situatë të pastës si kristali, në të cilën dihet se cili është fitues dhe cili duhet të formojë qeveri, mirëpo normalja u shndërrua në anormale. Tani, situata nuk guxon të dalë nga kontrolli dhe qytetarët që ishin pjesë e Revolucionit të Larmë duhet të kenë durim dhe të mos dalin në rrugë”.
Në pyetjen se çfarë ka arritur Revolucioni i Larmë, Popovski deklaroi se përgjigja do të ishte – shumë dhe pak.
“Pak, nëse krahasohet në mënyrë kuantitative – sa nga kërkesat e Revolucionit të Larmë u plotësuan, e sa nuk u plotësuan. Do të tregoj një shembull drastik, pasojat nga i cili na prekin dhe na brengosin sot. Ivanovi e tërhoqi abolicionin, por nuk dha dorëheqje, përkundrazi, ai solli edhe një vendim kundër kushtetues, të mos ia dorëzojë mandatin shumicës parlamentare të formësuar dhe të “certifikuar”, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit 2016, që së bashku me bllokimin e plotë nga pakica parlamentare në zgjedhjen e presidentit të Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re, e shtyu vendin në krizë edhe më të thellë institucionale dhe politike, në krahasim nga ajo e vitit të kaluar. Tjetra “pak”, është që nuk arritëm ta shndërrojmë Revolucionin e Larmë në një lëvizje që do të paraqiste korrektuesin dhe paralajmërimin e vazhdueshëm për çdo pushtet të ri në Maqedoni, që asnjëherë më të mos merr guximin – as të mendojë të vendosë regjim autoritar – kleptokrat në vendin tonë. Ndoshta kjo difatë ka të bëjë me mënyrën e centralizuar të organizimit të protestave dhe të mospërfshirjes në sjelljen e vendimeve dhe kërkesave, për dallim nga mënyra e organizimit të pandanit Francez të Revolucionit të Larmë – “Nuit debout”, vlerëson Popovski.
Sipas profesorit Jovanoviq, “kriminelët nuk e dërgojnë veten në burg. Në situatë kur shteti është i robëruar, pushteti duhet të merret, jo të fitohet. Nëse nuk mësuam nga gabimi i fundit, ka shpresë…”
Sipas bashkëbiseduesit të CIVIL Media, Popovski, “Revolucioni i Larmë, nga ana tjetër, ka arritur shumë, sepse e tregoi pasqyrën e vërtetë të Maqedonisë së Larme, gjegjësisht, të qytetarëve të saj të cilët pa dallim nga përkatësia e tyre etnike, gjinore, fetare dhe politike, morën guximin dhe protestuan për çdo ditë katër muaj me radhë, më në fund të hapet rruga që fëmijët tonë të mund të jetojnë në një vend normal, të civilizuar dhe përparimtar, përkundër vilajetit të errët në të cilin jetojmë. Nga këtu, fryma e Revolucionit të Larmë është i pamposhtur dhe ne, vepruesit e tij jemi këtu dhe porosisim : “Lufta vazhdon!”, është i vendosur Popovski.
C.M