MPB sot pasdite lajmëroi se do të ngrejë padi kundër deputetit të LSDM, Maksim Dimitrievski, për arsye se, sipas hetimeve, ai e ka shkaktuar incidentin që ndodhi një orë pas mesnatës në kafenenë “Pallas” në Kumanovë.
Sipas MPB, personi Z.A., mysafir në kafenenë, një orë pas mesnate përmes telefonit ka paraqitur në SPB Kumanovë, se i biri i tij V.A. është sulmuar fizikisht nga deputeti Dimitrievski.
“M.D. nga Kumanova, dy herë e ka goditur në fytyrë personin V.A., dhe i ka shkaktuar lëndime. Oficerët policorë nga SPB Kumanovë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar që i lënduari me shokët e tij ka qenë mysafir në restorantin dhe u ka porositur këngë të caktuar muzikantëve. Kur është ndërprerë muzika, ai është drejtuar nga orkestra që t’i pyesë se pse janë ndalur. Në atë moment, është afruar personi M.D. Ai, gjithashtu ka qenë në aheng familjar, dhe në prani të më tepër mysafirëve, e ka goditur në fytyrë dy herë, dhe i ka shkaktuar lëndime trupore”, thuhet mes tjerash në lajmërimin e MPB.
Deputeti Dimitrievski sot në mëngjes për CIVIL Media ka prezantuar version ndryshe. Ai deklaroi se në të vërtetë, disa persona nën ndikim të alkoolit, së pari në mënyrë verbale, e pastaj edhe fizikisht e kanë sulmuar në kafenenë “Pallas”, gjatë kremtimit të ditëlindjes së bashkëshortes së tij, së bashku me miq. Gjatë ngjarjes, është lënduar në dorë.
“Të jesh i detyruar të mbrohesh nga një grup i personave të alkoolizuar në aheng familjar, nga të cilët isha i sulmuar, është tepër e ulët! Nuk i njoh njerëzit, të gjithë ishin me rroba civile. Disa pasta thanë se mes sulmuesve ka pasur edhe policë. Megjithatë, këtë duhet ta vërtetojë policia”, deklaroi Dimitrievski për CIVIL Media.
Nga MPB nuk u përgjigjën nëse në incidentin kanë marrë pjesë edhe persona të punësuar në MPB.
Dimitrievski është deputet aktual dhe një nga anëtarët më të shquar të LSDM. Para se të vendoset në këtë funksion, ka qenë president i Këshillit të Komunës Kumanovë. Ai është një nga luftëtarët e ashpër kundër krimit, korrupsionit dhe për kthimin e proceseve demokratike dhe vlerave në Maqedoni.