Institucioni kombëtar “Muzeu i alfabetit të gjuhës shqipe” në Manastir, që nga hapja e tij, në nëntor të vitit 2012, është shënjestër e vazhdueshme e sulmeve dhe tentimeve për shkatërrim dhe vandalizim. Mirëpo, sfidat lidhur me sigurinë e këtij objekti dhe të punësuarve nuk janë të vetmet, me të cilat po përballet ky institucion shtetëror.
Problemet janë të shumta. Përveç vendosjes së institucionit në kontekstin e “nxehtë” ndëretnik, ai ka qenë i keqpërdorur edhe në kontekste partiake dhe politike, gjendje e cila pothuajse rregullisht përsëritet gjatë organizimit të festimeve për Ditën e Alfabetit.
Publikut i kujtohet se në një nga kremtimet e mëhershme, shkronjat nga nofka ushtarake “Abaz”, e cila i takon liderit të tanishëm të BDI-së dhe liderit politik të UÇK-së së mëparshme, Ali Ahmeti, ishin të proklamuara si katër shkronjat e arta për historinë shqiptare. Gjatë festimeve ka pasur edhe informata për incidente me disa nga të pranishmit, për thirrje selektive të mysafirëve dhe “mëlmesa” tjera të zakonshme për përleshjet ndërpartiake në vend.
Përveç politikës, këtu janë edhe vështirësitë nga “përditshmëria”. Mungesa e mjeteve për realizimin e projekteve, numri i vogël i të punësuarve, mungesa e informatave përkatëse për publikun në vend dhe më gjerë, nevoja për rikonstruktimin e objektit të vjetër mbi 100 vite…Fitohet përshtypja se ky institucion është viktimë e dyfishtë: Viktimë e urrejtjes që prodhohet vazhdimisht në shoqëri, por edhe viktimë e injorimit dhe moskujdesit të shtetit, i cili pas themelimit të Muzeut bën tepër pak për këtë institucion, i cili paraqet pjesë të rëndësishme nga trashëgimia kulturore e Maqedonisë, por edhe e shqiptarëve, në përgjithësi.
Sulmi i pardjeshëm mbi Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, kur persona të panjohur me kapela “fantom” herët në mëngjes kanë tentuar ta djegin me hedhje të koktejeve të Molotovit, për fat, nuk shkaktoi dëm më të madh mbi këtë objekt. Sulmi ndodhi më 7 mars, datë të cilën shqiptarët e shënojnë si Dita e Mësuesit. Gjë që është indikativë – edhe sulmet e mëparshme mbi këtë institucion kanë ndodhur para festave. Para disa muajve, përsëri në orët e hershme të mëngjesit, sulmi ndodhi pikërisht më 22 nëntor, Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe, e cila është e shpallur edhe si ditë feste për qytetarët e përkatësisë etnike shqiptare në Maqedoni. Paraprakisht, Muzeu ishte i sulmuar edhe në vitin 2013, para ditës së arsimuesve sllavë, Shën. Cirilit dhe Metodit.
Në kumtesën pas incidentit të fundit, SPB i Manastirit lajmëroi se ngjarja është vërejtur në ora 06. 45, nga një punonjës policor, ndërsa me autorizim nga Prokurori Publik, inspektimin në vendin e ngjarjes e ka kryer ekipi nga SPB – Manastir.
“Gjatë inspektimit është konstatuar se veprues i panjohur ka hedhur shishe qelqi me lëndë djegëse të panjohur, me të cilat është thyer pjesa e qelqit nga dera e hyrjes. Nga vendi i ngjarjes janë marrë gjurmë: shishe qelqi, pëlhurë, lëndë e panjohur dhe shirit ngjitës, dhe të njëjtat janë dërguar deri te Ministria për Punë të Brendshme për ekspertizë. SPB – Manastir ka ndërmarrë masa dhe aktivitete për gjetjen e vepruesit, si dhe për zbardhjen e tërësishme të rastit”, thuhet në kumtesën e policisë së Manastirit.
Megjithatë, është fakt se hetimet e deritanishme për sulmet e mëhershme nuk kanë dhanë rezultate, sepse policia nuk ka zbardhur asnjë nga sulmet, e nuk ka as të dyshuar ose të arrestuar.
Sulmet e përsëritura mbi Muzeun janë arsye që ky institucion për tre vite me radhë të angazhojë edhe sigurim privat, i cili është i gatshëm për reagim të menjëhershëm nëse kamerat e sigurisë dhe alarmi shënojnë prezencë të paautorizuar në hapësirat e tij. Megjithatë, kjo nuk mund t’i ndalojë tentimet për vandalizmin e muzeut nga jashtë, siç ishte rasti me disa nga sulmet e regjistruara.
Drejtori i Muzeut, Nuer Arsllani, thotë se pavarësisht nga qasja korrekte dhe profesionale e policisë dhe tentimet të kuptohet diçka më tepër për sulmuesit edhe nga kamerat e sigurisë nga objektet dhe rrugicat e rrethit, ende nuk ka ndonjë epilog. Arsllani më herët ka kërkuar edhe punësimin e sigurimit të përhershëm fizik nga Ministria për kulturë, për të cilën kërkesë ende nuk ka përgjigje. E kishte rëndë të gjejë fjalë përkatëse që t’i karakterizojë sulmet mbi institucionin, të cilin e udhëheq.
“Nuk di çfarë të them. E dënojmë ashpër ngjarjen! Ne jemi institucion kombëtar dhe këtu nuk ka vend për krijim të problemeve, të cilat më vonë mund të shkaktojnë reagime ndëretnike”, deklaroi Arsllani për CIVIL Media.
Sa u përket sfidave tjera, sipas drejtorit të Muzeut, ato janë pasojë, para së gjithash, e mungesës së mjeteve, kuadrove dhe kushteve për realizimin normal dhe të suksesshëm të punës së tij.
“E para, na mungojnë mjete. Shumë kërkojmë, e shumë pak marrim nga ana e Ministrisë për Kulturë. Ky është problemi themelor. E dyta, na mungojnë punonjës këtu në Muze. Disa herë gjatë këtyre viteve kemi drejtuar kërkesa për punësim të punëtorëve këtu në Muze, mirëpo deri tash nuk kemi marrë ndonjë rezultat pozitiv”, thotë Arsllani.
Vitin e kaluar, buxheti i Muzeut për organizimin e të gjitha aktiviteteve dhe mirëmbajtjen e objektit, ka qenë rreth 150 mijë euro, duke e përfshirë këtu edhe mjetet për organizimin e manifestimit për Ditën e Alfabetit, i cili paraqet eveniment me rëndësi të madhe dhe tubim të veprimtarëve të shquar të kulturës dhe albanologëve, jo vetëm nga ky rajon. Sipas drejtorit Arsllani, institucioni konkurron edhe për pranimin e mjeteve shtetërore përmes projekteve, por një pjesë bukur e mirë e tyre nuk pranohen. Për rikonstruktimin e objektit të vjetër më tepër se një shekull, drejtori thotë se qëllimi i institucionit është që kjo të bëhet përmes mjeteve të IPA fondeve të BE-së, për të cilën gjë veç më është përgatitur projekti.
Gjendja e mjerueshme e objektit të Muzeut është e vërejtur më herët nga ekspertët në vend. Dr. Katerina Todoroska, këshilltare shkencore në Institutin për Histori Nacionale dhe eksperte me përvojë mbi 30 vjeçare në hulumtimin e historisë së shqiptarëve dhe historisë së përbashkët të maqedonasve dhe shqiptarëve, vlerëson se kjo që po ndodh me Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe është e palejueshme. Si fajtorë për gjendjen dhe pakujdesin ajo tregon shtetin dhe partitë në pushtet.
“Ky institucion nuk guxon të shkatërrohet! E njoh mirë objektin, edhe nga brenda edhe nga jashtë. Kjo nuk guxon të ndodh me diçka që është trashëgimi kulturore për tërë vendin”, vlerëson Todoroska në bisedën për CIVIL Media.
Nga ana tjetër, ajo ka vërejtje edhe për mënyrën në të cilën punon Muzeu, posaçërisht në pjesën e informimit të qytetarëve. Mungesa e informatave në gjuhën maqedonase, mund të jetë pjesë e arsyeve për mosnjohjen e madhe, frikën si dhe mospranimit nga pjesëtarët e bashkësive tjera, të cilat nuk e njohin gjuhën dhe historinë shqiptare.
“Unë dëshiroj të shpie atje nxënës, studentë, që të kuptojnë diçka më tepër. Duke e njohur kulturën e tjetrit, ne e njohim më mirë edhe veten. Ka pak informata në gjuhën maqedonase, nuk ka ueb faqe, nuk ka pothuajse asgjë”, thotë Todoroska.
Sipas kësaj historianeje të shquar, sulmi mbi muzeun nuk është aspak naiv. Ky sulm te ajo zgjon brengë dhe dyshime për komplikimin e mëtejshëm të gjendjeve. “Sulmi mbi çdo objekt, i cili ka të bëjë me trashëgiminë tonë kulturore dhe historike, është sulm mbi historinë e Maqedonisë, sulm mbi qytetarët dhe popullatën e vendit tonë, si dhe mbi ardhmërinë tonë të përbashkët”, shprehet me vendosmëri Todoroska.
Porosi të ngjashme ka edhe drejtori i Muzeut, Nuer Arsllani.
“Institucionet kulturore dhe trashëgimia kulturore duhet të hiqen anësh nga politika ditore. Nuk ka nevojë të shkatërrohen muze, qoftë ky ose ndonjë tjetër, me qëllim të shprehet mllefi i ndonjë ane politike ose etnike. Shpresoj se kjo do të mbarojë me kaq. Ne kemi shumë ide dhe projekte të cilat dëshirojmë t’i realizojmë. Kemi edhe shumë punë, do të punojmë, vetëm të mos ndodhin gjëra të tilla”, porositi ai.
Dita e tensionuar kaloi. Pas pothuajse pesë vitesh të ekzistimit, Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, i vendosur në shtëpinë në të cilën është kodifikuar alfabeti i gjuhës shqipe në vitin e largët 1908, mbetet tepër i vetmuar dhe i pandihmë në luftën e vet për mbijetesë dhe përparim, pa ndihmë përkatëse institucionale, por edhe pa kapacitet të brendshëm të mjaftueshëm për t’u ballafaquar me të gjitha sfidat, përderisa e tërë kjo ndodh në një atmosferë të marrëdhënieve të rrënuara ndëretnike dhe krizës shoqërore dhe politike. Për ndryshimin e kësaj gjendjeje, edhe shteti, edhe faktorët politik, edhe opinioni, edhe qytetarët, por edhe vetë të punësuarit, do të duhet të bëjnë shumë më tepër, në mënyrë shumë më të mirë.
Petrit Saraçini