CIVIL – Qendra për Liri shpreh neveri dhe dënon ashpër aktet e dhunës në Shkup dhe në qytetet tjera në Republikën e Maqedonisë, pas protestave të djeshme të iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”, u bëri thirrje për përgjegjësi të gjitha aparateve politike në vend, si dhe apel deri te qytetarët të mos bijnë pre e provokimeve. “Përgjegjës për gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet për dhunë etnike dhe politike janë pikërisht strukturat e fuqisë që akoma janë në pushtet, ndërkohë që përfaqësuesit e tyre të lartë janë nën hetime për vepra serioze penale, keqpërdorime të rënda dhe mashtrime zgjedhore”, thuhet në reagimin e CIVIL.
“Civili e njeh shkrimin e autorëve të këtij skenari. Thirrjet publike për dhunë i adresuan pikërisht përfaqësuesit më të lartë të partisë qeverisëse, ndërsa veprimet e partnerëve të tyre të koalicionit dhe bashkëpunëtorëve në sundimin kriminel nuk mbetën prapa tyre, në thellimin e krizës dhe nxitjen ose mundësimin e tensioneve.
U derdh gjak dhe njerëz u gjendën nëpër spitale me lëndime të rënda. Rrihen gazetarë, të cilët e kryejnë punën e tyre, ta informojnë publikun për ngjarjet. Kjo është e papranueshme dhe duhet menjëherë të ndërpritet!”, thuhet në kumtesën për publikun.
Civili i bën thirrje Ministrisë për Punë të Brendshme të marrë masa urgjente dhe veprime për ndalimin e përshkallëzimit të dhunës.
“ E përkujtojmë MPB për ditët kur derdhte gërmadha të blinduara të armatosura policore mbi demonstruesit, të cilët me të vërtetë protestonin në mënyrë të qetë dhe kërkonin liri, drejtësi dhe demokraci. Sigurimi i protestave, të cilave u paraprinë thirrje të hapura për dhunë, është i pamjaftueshëm në këto ditë. E përkujtojmë Ministrinë për Punë të Brendshme se mungesa e reagimit përkatës ligjor është e barabartë me bashkëpunim, nëse jo edhe nxitje të dhunës, gjë për të cilën një ditë do të duhet të jepet përgjegjësi”, reagon Civili.
Civili u bën thirrje qytetareve dhe qytetarëve të vendit tonë të mos lejojnë të manipulohen për mbrojtje të rreme të një gjëje që nuk është e vënë në pyetje.
Ky reagim nga Civili vjen pas trazirave të mbrëmshme në Shkup, kur një gazetar dhe një kameraman nga redaksia e portalit A1 On ishin të rrahur në mënyrë brutale para Portës Triumfale, nga pesë demonstrues.
“Rrahja e gazetarëve dhe kalimtarëve të pafajshëm, jo vetëm që është krim i rëndë, por është edhe akt amoral dhe qyqar!
Të kërkohet liri, drejtësi dhe demokraci, është obligim dhe përgjegjësi madhështore njerëzore, jo tradhti. Të rrihet, të urrehet, të mbrohet krimi – kjo është tradhti!” , përfundon Civili.