Më së voni deri të enjten në mesnatë, gjegjësisht, në afat prej 48 orë nga pranimi, Komisioni Shtetëror Zgjedhor, duhet të dalë me qëndrim zyrtar për 16 ankesat të cilat i kanë dorëzuar LSDM dhe Besa, nga tetë nga dy palët. Sytë e publikut janë të kthyera nga ky organ, posaçërisht pasi që KSHZ nuk i ka lajmëruar rezultatet as në afatin ligjor prej 24 orë pas mbarimit të votimit, gjë që ka shkaktuar hapësirë për dyshim edhe te pjesëmarrësit e procesit zgjedhor, por edhe te qytetarët.
Derisa vendimet e KSHZ për secilën ankesë në veçanti edhe më tej janë kontestuese për dorëzuesit, atëherë ata kanë të drejtë për padi deri te Gjykata Administrative edhe atë në afat ligjor prej 24 orë pas pranimit të vendimeve.
Sipas VMRO-DPMNE, nuk ka bazë për ankesa, ndërsa rezultatet zgjedhore janë të “pastra si kristal”, për LSDM, ka parregullsi në regjistrimin dhe evidentimin e votave në Njësinë e Gjashtë zgjedhore. Vlerësimet e LSDM janë se pas shqyrtimit të ankesave. LSDM dhe koalicioni do të fitojnë edhe një deputet në këtë njësi. Ankesat e Besës kanë të bëjnë me Njësinë e Dytë zgjedhore, dhe sipas vlerësimeve të tyre, ata do të kishin fituar së paku edhe një, e ndoshta edhe dy deputetë më shumë.
Sipas CIVIL –Qendrës për Liri, nga të dhënat e përpunuara deri tani, në 537 raste janë evidentuar parregullsi të ndryshme: kërcënime, kushtëzime, presione, keqpërdorime, dhunë, sjellje të kundërligjshme të anëtareve të bordeve zgjedhore, pengesa në punën e vëzhguesve, ryshfet i votuesve, probleme me Listën zgjedhore, ndryshime të vendvotimit, votim familjar dhe në grup..
CIVIL deri tani ka identifikuar 30 vendvotime, në të cilat duhet të bëhet rivotim, ndërsa në 7 nga këto, ka indikacione serioze se kanë “votuar” edhe persona të vdekur dhe “fantazma”.