D-r Sasho Ordanoski, analist politik dhe ekspert i CIVIL-Qendrës për Liri, në këtë analizë flet për arsyet për të cilat është pothuajse e pamundur të jepet prognozë e vërtetë për atë se si do të mbarojnë zgjedhjet. Sipas tij, qytetarët me të madhe gënjejnë në anketat, dhe për këtë nuk duhet të akuzohen, sepse jetojnë në vend jo-demokratik dhe për çdo ditë përballen me presione të ndryshme.
Vetëm disa javë para zgjedhjeve, është normale që publiku i Maqedonisë është i vërshuar me analiza të ndryshme nga mediat dhe nga ekspertë, për rezultatet e zgjedhjeve. Dëgjojmë prognozime të ndryshme, parashikime se kush dhe si do të kalojë në këtë ose atë njësi zgjedhore, ose në kornizat e tërë procesit zgjedhor.
Megjithatë, qëndrimi është më i ndryshëm. Mendoj se kësaj here është mjaft rëndë dhe pothuajse e pamundur të fitohet pasqyrë reale dhe të arrihet deri te prognoza e vërtetë për atë se si do të kryhen zgjedhjet, pavarësisht nga anketat e shumta, të cilat, jo vetëm partitë, por edhe organizatat tjera i bëjnë në publikun e Maqedonisë.
Për këtë ka disa arsye të mira.
E para, Maqedonia nuk është vend demokratik vite me radhë, për këtë arsye nuk mund të pritni që në vend jo-demokratik publiku të sillet në mënyrë demokratike, madje edhe në nivel të asaj që quhet opinion publik. Kur i shohim anketat, të gjitha hulumtimet e opinionit publik, ne që merremi me këtë, shohim deformime të qarta në qëndrimet, edhe atë në më shumë përqindje se sa janë gabimet statistike. Me fjalë tjera, njerëzit gënjejnë, gënjejnë shumë dhe për këtë nuk duhet të akuzohen, sepse jetojmë në vend në të cilin dy vite jemi nën eksplozion të “bombave” për përgjimet telefonike, dëgjuam biseda të ndryshme, në të cilat funksionarë të lartë partiak dhe shtetëror flasin për presione të ndryshme, metoda të ndryshme të kërcënimeve dhe shantazhimeve ndaj qytetarëve. Atëherë, nuk është e çuditshme që kur qytetarët pyeten nëpër anketa telefonike “për cilin do të votoni dhe cilat janë qëndrimet tuaja politike?”- të gënjejnë me të madhe! Kjo është arsyeja e parë.
E dyta, te ne, kriza politike zgjat shumë.
Në situatë të këtillë, është normale që shoqëria është e luhatur, jo vetëm në nivel individual, por edhe në nivele më të larta shoqërore. Dhe, për këtë arsye, keni shumë njerëz, të cilët edhe në këto anketa të cilat tani po publikohen, në përqindje të madhe shprehen se nuk dinë, nuk duan ose nuk do të dalin në zgjedhje! Kjo përqindje është jashtëzakonisht e madhe, për vetëm disa javë para zgjedhjeve dhe në vende të ndryshme, lëviz mes 30 dhe 40 %. Dhe, me përqindje kaq të madhe të përgjigjeve të paqarta, nuk mund të bëjmë matematikë të saktë, e as të përafërt se si do të votohet.
Faktori i tretë është që qindra njerëz janë shpërngulur nga Maqedonia. Ne nuk kemi pasqyrë reale në terren, për atë se sa qytetarë dhe sa votues ka sot Maqedonia. Lista e Votuesve është pastruar, ashtu si u pastrua, kuptohet se kjo është larg nga situata reale. Megjithatë, edhe kjo është një fakt…
Edhe kjo është një fakt rreth mundësisë të vlerësohen shifrat e vërteta dhe përqindjet e vërteta për atë se si do të sillet trupi votues. Gjithashtu, faktor i madh është që për herë të parë, ndoshta në dhjetë vitet e fundit, kemi një lëvizshmëri të rëndësishme në dy kampuset më të rëndësishme votuese, në kampusin Shqiptar dhe Maqedonas. Nga njëra anë, te Shqiptarët, pas një dekade të tërë, paraqitet një valë e re, një opsion i cili shkon nga drejtimi i mbledhjes së votave nga një pakënaqësi me të vërtetë që sundon mes këtij trupi votues, nga mënyra në të cilën BDI ishin të kyçur në sundimin me vendin për pothuajse një dekadë. Për arsye se kjo ndodh për herë të parë, që agjenda të mos jetë vetëm etnike, por është agjendë sociale, ekonomike, e cila ka të bëjë me të drejta politike dhe kështu me radhë. Nuk është lehtë të parashikohet përqindja e kësaj pakënaqësie e cila është evidente mes Shqiptarëve, do të shndërrohet në votime për opsione tjera, mes tjerash jo vetëm për opsione shqiptare. Për arsye se dëgjojmë prognoza se një pjesë e Shqiptarëve, do të thoja një pjesë e konsiderueshme, jo vetëm disa qindra, por me mijëra njerëz, ka mundësi të votojnë edhe për LSDM. Gjë që ka mundësi të bëhet momenti më i rëndësishëm politik në historinë njëzet e kusur vjeçare politike të Maqedonisë – në një pjesë të konsiderueshme të votohet për opsion i cili nuk është me domosdoshmëri- etnik.
Te Maqedonasit kemi një tjetër fenomen. Edhe atë para së gjithash, kjo dukuri tani dita ditës më e organizuar, e të djathtës së re. Duhet të shohim nëse ky tubim i personave të rëndësishëm nga e kaluara e VMRO-DPMNE, kjo thirrje deri te anëtarësia origjinale e VMRO-DPMNE të votohet për ata, e jo për DPMNE-në ekzistuese, e cila sipas tyre, dhe sipas shumë analizave tjera, i ka braktisur vlerat burimore të VMRO-së historike, do ta tërheq trupin votues. Do të shohim se si kjo do të rezonojë në ditën e zgjedhjeve. Për këtë arsye, mua më duket se kësaj here, Maqedonia është e sjellë në situatë kur ne, në të vërtetë, do të thoja se më 11 dhjetor rreth mesnatës, do ta kuptojmë disponimin e trupit votues në Maqedoni. Jo vetëm për arsye se edhe në korniza botërore, të gjitha hulumtimet e opinionit publik kanë treguar për probleme të mëdha dhe jo-saktësi të mëdha gjatë vitit të kaluar. Janë të shumta rastet e prognozave të gabuara për rezultatet e referendumeve të ndryshme, të zgjedhjeve të ndryshme politike e kështu me radhë, kështu që edhe te ne, gjendemi në një situatë në të cilën hulumtimet e tanishme të opinionit publik, sipas meje, paraqesin mbledhje të saktë të të dhënave të pasakta.