Sot në Shkup u mbajt protestë e shqiptarëve, në organizim të Shoqatës së ish- të burgosurve politik shqiptar në Maqedoni, një nga organizatat e veteranëve të UÇK-së, Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), Lëvizja për Reforma në PDSH dhe disa organizata dhe shoqata të tjera. Marshi i protestuesve u nis nga Bit – Pazari, për të përfunduar para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.
Pas arritjes para shtëpisë ligjvënëse, protestuesit thërrisnin: “burg për Ali Ahmetin”, “vrasës”, “UÇK” … Një pjesë e vogël e masës disa herë brohoriti “Shqipëri etnike”, por këto thirrje u shuan menjëherë.
Ziadin Sela, kryetar i Lëvizjes për Reforma në PDSH, tha se shqiptarët në Maqedoni kanë pritur 25 vjet për të realizuar të drejtat e tyre dhe se çdo ditë do të protestojnë deri sa nuk i fitojnë ato. Ai theksoi se disa nga kërkesat e protestës së sotme janë kyçja e dygjuhësisë në të gjitha institucionet, si dhe shqiptarët të gëzojnë të gjitha të drejtat në Maqedoni.
Lideri i RDK, Vesel Memedi, tha se shqiptarët kanë pritur pluralizëm një çerek shekulli dhe se ka ardhur më në fund koha që të jetë krah për krah me maqedonasit dhe të gëzojnë të drejtat e njëjta.
Para Kuvendit u mblodhën mijëra shqiptarë, të cilët protestuan qetësisht. Demonstruesit u shpërndanë rreth orës 16.