Mbrëmë, një orë para mesnatës, pa prezencën e opozitës, u shpërbë Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. LSDM-ja e bojkotoi seancën urgjente për shpërbërjen e Parlamentit, ndërsa ministrat e saj më herët dhanë dorëheqje, por nuk ato ishin të konstatuara nga shumica parlamentare.
Përveç asaj që u shpërbë Kuvendi, kryetari i Kuvendit Trajko Veljanovski nuk e nënshkroi vendimin për zgjedhjet e 5 qershorit. Siç deklaroi Veljanovski, ai do që t’i japë kohë Komisionit Shtetëror Zgjedhor që t’i zgjedhë dilemat rreth Listës së Zgjedhësve.
Menjëherë pas shpërbërjes së Parlamentit, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, mbajti një konferencë për shtyp, në të cilën porositi se opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit.
“Me muaj po luftojmë së bashku për zgjedhje të lira dhe demokratike. Që të kthehet parimi bazik demokratik “një njeri – një votë”. Të kthehet e drejta e mendimit ndryshe. Marrëveshja e Përzhinos ishte e nënshkruar që kjo të sigurohet. Nikolla Gruevski vazhdimisht e rrënonte Marrëveshjen e Përzhinos. Lista e Votuesve nuk po pastrohet. Reformat në media nuk u pranuan. Presionet vazhdojnë. Për ne, fjala me të vërtetë është fjalë. Nuk hqim dorë nga parimet, në të cilat insistojmë. Së bashku me të gjithë opinionin demokratik. Në emër të kësaj fjale, në emër të këtyre parimeve, në emër të demokracisë, LSDM-ja nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje të rrejshme”, theksoi Zaev.
Sipas Zaevit, është lënë e hapur mundësia që LSDM-ja t’i tërheqë sot tre anëtarët partiakë nga KSHZ-ja. Gjatë ditës së djeshme, anëtarët e KSHZ-së dolën me qëndrime të kundërta sa i përket kontrollit në terren dhe spastrimit të Listës së Zgjedhësve. Për anëtarët nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Lista Zgjedhore është ideale, ndërsa për përfaqësuesit e LSDM-së, deri te pastrimi i plotë ka ende shumë punë. Qëndrimi i kryetarit të KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovskit, është se nuk do ta nënshkruajë Listën e Votuesve në qoftë se mbetet edhe vetëm një votues i dyshimtë.
Me vendimin për shpërbërjen e Parlamentit, shumica parlamentare tregon se nuk ka vesh për qëndrimin e liderëve të 18 partive politike, në mes të cilëve edhe të 5 partive parlamentare, të cilët në diskutimin publik “Pluralizmi dhe kriza politike”, në organizim nga CIVIL – Qendrës për Liri , njëzëri porositën se kushtet për zgjedhje fer dhe demokratike të 5 qershorit nuk janë përmbushura.
CIVIL muaj më parë e alarmoi publikun për problemet serioze në zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos dhe çdo ditë e informon publikun për qindra raste të abuzimit dhe shkeljes të së drejtave dhe lirive të njeriut në kontekstin zgjedhor. CIVIL shumë herë doli me analiza që as për së afërmi nuk po krijohen kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në vend dhe vuri në dukje problemet me Listën Zgjedhore, pengimet e punës së PSP-së, kontrollin e mediave, partizimin e institucioneve, barazimin e partisë me shtetin …
Shumica e përfaqësuesve të partive politike që morën pjesë në diskutimet publike të CIVIL-it shprehën konstatime të njëjta ose të ngjashme. Por, shumica parlamentare e partive në pushtet nuk tregoi as edhe interes më të vogël për qëndrimin e organizatave qytetare ose të partive të cilët nuk janë në koalicion me ta.
CIVIL, para fillimit të seancës së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në konferencë për shtyp para ndërtesës së Parlamentit, paraqiti qëndrimin se zgjedhjet e lira nuk janë të mundshme më 5 qershor. Gjithashtu, CIVIL kërkoi dorëheqje të Qeverisë përshkak të dështimit për të zbatuar Marrëveshjen për tejkalimin e krizës politike të nënshkruar në Përzhino, dhe me këtë e pamundësuan krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në Republikën e Maqedonisë.
Gjithashtu, Asociacioni Qytetar MOST, në konferencën e djeshme për shtyp vuri në dukje numër të madh të parregullsive dhe shkeljeve të së drejtës zgjedhore, të cilat i ka marrë nga terreni. MOST-in këto ditë e vizitoi edhe policia financiare, që sipas organizatës është mënyrë për ta defokusuar publikun nga parregullsitë të cilat MOST i bëri publike, e të cilat i referohen kontrollit në terren nga KSHZ.
Në 24orëshin e fundit, me qëndrimin arrogant dhe të ngurtë të VMRO-DPMNE-së dhe partive që janë në ‘yjësinë’ e kësaj partie, Maqedonia hyri në një krizë të re, akoma më të thellë politike.
Marija Tegovska