Me 24 vëzhgues afatgjatë dhe 300 afatshkurtër, Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe për të Drejtat e Njeriut – ODIHR, sot zyrtarisht nisi misionin vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni.
Vëzhguesit do të shpërndahen në të gjithë vendin, duke filluar nga 13 prilli. Misionin e udhëheq ambasadori Jan Petersen, i cili në pres-konferencën e sotme e prezantoi misionin. Siç deklaroi ambasadori, “misioni do ta vlerësojë përputhshmërinë e këtyre zgjedhjeve me angazhimet e OSBE-së dhe detyrimet e standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, si dhe me rregullat e vendit”.
Parashihet që misioni të zhvillojë takime me përfaqësues të autoriteteve shtetërore, mediave, të partive politike dhe të sektorit qytetar, si dhe të komunitetit ndërkombëtar në vend.
Siç informoi Petersen, “misioni do të publikojë dy raporte periodike gjatë punës së tij. Në konferencë për shtyp, një ditë pas zgjedhjeve, do të publikohet deklarata për rezultatet dhe konkluzionet preliminare. ODIHR do të publikojë raport përfundimtar për vëzhgimin rreth tetë javë pas mbarimit të procesit zgjedhor”.
Nuk është e paraparë që Misioni i ODIHR-it të bëjë kontroll mbi kontrollimin në terren të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, ndërsa qëndrimi i Misionit për këtë çështje do të jetë pjesë e raportit të parë periodik.
Në ditën e zgjedhjeve, vëzhguesit do të ndjekin hapjen e vendeve të votimit, vetë votimin, numërimin e votave dhe përmbledhjen e rezultateve.
Për misionin vëzhgues të ODIHR-it, 5 qershori është data sipas të cilës ata i planifikojnë aktivitetet e tyre. “Për çfarëdo ndryshimi të datës së zgjedhjeve, autoritetet lokale janë ata që duhet të vendosin”, tha Petersen, duke u përgjigjur në pyetjet gazetareske.
Marija Tegovska