CIVIL – Qendra për Liri dënon rreptësisht fjalorin nxitës të strukturave të caktuara në rrjetet sociale në pritje të ndeshjes së futbollit mes ekipeve të Vardarit dhe Shkupit në stadiumin në Çair të Shkupit këtë të diele. Përmbajtjet nxitëse në rrjetet sociale mund të nxisin dhunë mes simpatizuesve të dy klubeve, gjë që lehtë mund të përdoret për përshkallëzimin e tensioneve etnike dhe që mund të ndërlikojë edhe më shumë situatën tashmë të vështirë dhe krizën në të cilën gjendet Republika e Maqedonisë.
CIVIL u bën thirrje të gjitha palëve, sidomos politikanëve dhe tifozëve, për vetëpërmbajtje dhe qetësi.
I bëjmë thirrje Ministrisë për Punë të Brendshme që të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përleshjet e mundshme mes tifozëve.
Kërkojmë që Prokurori Publik më në fund të nisë procedura përkatëse penale për të gjithë ata që bëjnë thirrje për dhunë, gjë për të cilën Prokuroria është e obliguar me rregullat ligjore në vend.
Nuk është hera e parë që këto struktura, pikërisht në momente të tilla, përpiqen për të përfituar nga epshet e ulëta dhe nacionalizmi për të shkëputur vëmendjen e qytetarëve nga ngjarjet aktuale dhe problemet e tyre reale. Këto përpjekje rregullisht rezultojnë në dhunë, e jo rrallë edhe me pasoja të rënda për jetën, integritetin fizik dhe sigurinë e qytetareve dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.
CIVIL – Qendra për Liri apelon deri te qytetaret dhe qytetarët që të mos ndikohen nga këto provokime. Ky abuzim dhe luajtje me ndjenjat e qytetarëve patjetër duhet të ndalet, ndërsa shkaktuesit e tensioneve dhe dhunës, më në fund, të përballen me drejtësinë.