Edhe pse larg nga momentet e saja të shkëlqyera, partia në pushtet në Prilep me të gjitha forcat, sipas recetës veçmë të provuar, vazhdon me praktikën e punësimeve partiake në arsim.
Nga SMS mesazhi i dërguar deri te anëtarët partiakë e një komiteti komunal në Prilep, mund të shihet se si kërkohet që për punësim të propozohen persona me arsim të deklaruar konkret, me të dhënat e tyre konkrete personale që janë kërkuar, por edhe (ndoshta parakushti më i rëndësishëm) që të deklarohet stazhi partiak i të propozuarve!
Mesazhi është dërguar më herët gjatë këtij muaji dhe tregon datën dhe kohën e saktë deri kur duhet të paraqiten të dhënat për personat të propozuar “të përshtatshëm” për pozicionet e përmendura konkrete, ndërsa sipas karakteristikave të kërkuara, qartë vërtetohet që bëhet fjalë për pretendime për pozicione të punës në sistemin arsimor.
Gjegjësisht, përmes SMS mesazhit të dërguar deri te përgjegjësit për rekrutim të kuadrove të përshtatshëm partiak për punësim, kërkohet që të paraqiten propozime për një arsimtar të matematikës/fizikës dhe një arsimtar i arsimit teknik, me të dhënat precize për profilin e duhur të përgatitjes profesionale të kandidatit, pothuajse sikur bëhet fjalë për shpallje oficiale për punësim të vetë institucionit arsimor.
Njëjtë është, por nuk është njëjtë.
Në mesazh tjetër SMS të dërguar deri te anëtarët e partisë, shihet madje se edhe për punë sezonale për mbledhje të duhanit, edhe këtë vit si dhe vitin e kaluar, përparësi do të kenë anëtarët të komitetit lokal të partisë në pushtet…
Partizimi këmbëngulës i arsimit përmes këtyre “aksioneve” në terren, dëshmon për gjendjen skizofrenike të pushtetit, i kapur këmbëhapur në mes të asaj që deklaron në paraqitjet publike dhe asaj që zbaton në përditshmëri, gjoja prapa skenave, në mjegullën e sekreteve publike, duke shpresuar ende në dëgjueshmërinë e verbër të anëtarëve të saj, si dhe në mungesën e guximit që dikush të flasë për këtë.
“Shikoni, unë thashë se në disa vitet e fundit janë sjellur ligje serioze dhe se po zbatohen reforma në administratë. Partizimin si një term e dëgjojmë 25 vite. Askush nuk mund të kundërshtojë diçka që është e etabluar si terminologji, por ju garantoj se ajo që do të thotë në këtë moment – kushte për punësim në administratë, është larguar absolutisht anësh nga përkatësia partiake”- Ilija Dimovski i VMRO-DPMNE në “Top Tema”në TV Telma më 23 mars, 2016.
Edhe pse përfaqësuesit e pushtetit publikisht proklamojnë se partizimi i shoqërisë është shumë më i vogël në krahasim me një të kaluar jo aq të largët të Maqedonisë, dhe se punësimet tani zbatohen në bazë të rregullave të përcaktuara me ligj, shembuj të tillë vënë në pikëpyetje të madhe definicionin e “rregullave”, të cilat i respektojnë përfaqësuesit e pushtetit. Vallë respektohen “ligjet” e partisë, ose ligjet e shtetit?
Bozhidar Barllakovski