Sandra Gavrillovska, avokate dhe eksperte juridike, flet për aspektet e politiko-juridike të krizës politike dhe për pasojat dramatike të partizimit të shtetit.
Gavrilovska ishte pjesë e panelit të ekspertëve “Pluralizmi dhe kriza politike”, të mbajtur më 17 mars 2016, e i cili pati jehonë të fuqishme në publik për shkak të analizave të thella të procesit zgjedhor dhe krizës politike në vend.
Ngjarja është pjesë e projektit “Zgjedhjet e lira për qytetar(e)ë të lirë”, i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë.
[youtube width=”600″ height=”400″]https://www.youtube.com/watch?feature=player_embedded&v=jqLEueeekpg[/youtube]
“Gjendja e përgjithshme në Maqedoni është e bazuar në krizën politike në shtet që nga viti 2001 e gjer tani, gjë që veçmë konfirmohet në raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë për vitin 2015. Kriza aktuale politike pa dyshim se ndikon në ambientin demokratik maqedonas dhe të njëjtin e shtrembëron gjer në shkallë të realitetit të shtrembëruar dhe iluzionit. Situata e tillë dramatike e krizës politike në Maqedoni, ndër të tjera, reflekton sundim autokratik dhe qeverisje të rreptë partiake dhe demokraci të brishtë dhe anemike.
Në aspektin juridik, vlerat e humbura demokratike kanë domino-efekt në funksionimin e përgjithshëm të sistemit ligjor dhe gjyqësor, i cili qëmoti nuk është shumë funksional. Jemi dëshmitarë të sundimit total të represionit, në vend të sundimit të ligjit, të mosrespektimit masovik dhe shkeljes së ligjeve, si dhe të gjyqësisë paturpësisht të korruptuar, në vend të një gjyqësori të pavarur, që konfirmohet edhe me zhvillimet e fundit me vendimin e institucionit të Gjykatës Kushtetuese, si një precedent me pasoja serioze juridike dhe politike, me çka, sipas vlerësimit tim, në një mënyrë skajshmërisht të dhunshme, kush e di se cilën herë me radhë, manifestohet ndërhyrje e ekzekutivit në pushtetin gjyqësor, gjë që ndalohet me Kushtetutë.
Në këtë kontekst, pa respekt ndaj Kushtetutës dhe ligjeve, si dhe në mungesë të mbrojtjes ligjore dhe të sigurisë në të gjitha sferat e jetës dhe veprimit shoqëror, shkelja e rëndë e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe rrezikimi serioz i lirisë së mediave dhe zgjedhjeve, sado që tingëllon si absurd – është pasojë logjike e qeverisjes së keqe të pushtetit aktual dhe menaxhimin të tij të papërgjegjshëm dhe jo-shtëpiak me shtetin. Duke folur ekskluzivisht nga aspekti juridik, konsideroj se ekzistojnë më shumë parakushte që të dilet nga kriza politike dhe të çlirohen jo vetëm institucionet, por edhe qytetarët, prej kontrollit të pushtetit. Në këtë kontekst, parakusht për daljen nga kriza politike janë ndryshimet dhe akordimi i Listës Zgjedhore, për të cilat u fol më parë, edhe atë jo vetëm në pajtim me të dhënat e përditësuara nga evidenca për shtetësitë, por edhe në pajtueshmëri me të dhënat e qytetarëve nga librat amë, evidenca për banim dhe të gjitha evidencat tjera zyrtare që mund të merren nga autoritetet kompetente. Gjithashtu, nevojitet ndryshim dhe plotësim i Kodit Zgjedhor, edhe atë me dispozita për regjistrimin e përkohshëm në Listën Zgjedhore të votuesve jashtë nga vendi i banimit, me qëllim që të shmanget nevoja për regjistrim aktiv. Gjithashtu, konsideroj se përfundimisht Kodi Zgjedhor duhet të plotësohet me dispozita për kundërvajtje, respektivisht ndëshkuese, për të gjithë subjektet, të cilët marrin pjesë në procesin zgjedhor, e që nuk do t’i respektojnë të gjitha detyrimet që janë të përcaktuar me Kodin Zgjedhor.
Parakusht për daljen nga kriza janë edhe reformat në modelin zgjedhor, për të cilat tani është shumë vonë për të folur në rastin konkret, por këto reforma do të mundësonin pluralizëm në skenën politike, si dhe zmadhimin, jo vetëm të përgjegjësisë politike, por edhe të përgjegjësisë morale të përfaqësusve të popullit dhe, përfundimisht, vendosjen e një demokratizimi brendapartiak, gjë që shihet qartë që mungon.
Si parakusht është dhe duhet të insistohet në punën ligjore dhe transparente të instituticioneve shtetërore, si të atyre të rregullta ashtu edhe të atyre speciale, si dhe të partive politike, financimin ligjor dhe transparent të zgjedhjeve, respektivisht të kampanjës zgjedhore, pa mjete nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë, pa mjete nga buxhetet e komunave dhe të Qytetit të Shkupit, si dhe pa mjete nga ndërmarrjet dhe institucionet publike. Gjithësesi, edhe çlirim i mediave nga presioni i pushtetit dhe raporte transparente për të gjitha mediat e shtypit dhe radiodifuzive për reklamimin e pjesëmarrësve në fushatë politike.
Përpjekja për të gjetur zgjidhje për çështjet nga të cilat varet gjyqësori dhe mbijetesa e demokracisë, ishte Marrëveshja e Përzhinos, të cilën do ta komentoja vetëm nga pikëpamja juridike, si marrëveshje që nënkupton detyrim obligativ të pjesëmarrësve, që nënkupton se të gjithë pjesëmarrësit në këtë marrëveshje, të gjitha palët e dakorduara, duhet të jenë të barabarta, të ndërgjegjshëm dhe të ndershëm, e të njëjtit të kenë interes për ta përmbushur marrëveshjen vetëm në interes të qytetarëve të Maqedonisë. Kur realizimi i kësaj Marrëveshjeje të Përzhinos do të arrihej në kuptimin e vërtetë juridik, mendoj se do të shihej dalja nga kriza politike. Sa i përket sektorit civil, konsideroj se është i padyshimtë roli dhe ndikimi i sektorit qytetar në ngritjen e vetëdijës dhe në tejkalimin e problemeve të krijuara dhe devijimeve shoqërore. Sektori qytetar, individualisht dhe bashkërisht, tregon për mosekzistimin e dialogut politik, ekzistimin e një niveli të ulët të kulturës politike, si nga aspekti i lirive dhe të drejtave të garantuara themelore të njeriut, pastaj, për korrupsionit, jotransparencën, keqpërdorimin kriminal të pushtetit, funksionimin e institucioneve publike dhe shtetërore ekskluzivisht në interes të pushtetit dhe partisë qeveritare, kontrollin e informimit të mediave, procesin e eroduar zgjedhor dhe shumë tema të tjera, për të cilat vazhdimisht tregohet nga sektori qytetar dhe, mendoj, që kjo ka efekt tek qytetarët”.