Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili i mundëson kryetarit të shtetit që të falë persona që kanë bërë krime zgjedhore dhe vepra tjera të rënda penale, përsëri e polarizoi Maqedoninë. Mbrëmë, në të dyja anët e barikadave – qytetarë. Në njërën anë ata, që krahas jetës skëterrë dhe luftës së përditshme për mbijetesë me dinjitet dhe kurajo kërkojnë lirinë. Në tjetrën, ata që për 200-300 euro vdesin çdo ditë dhe vullnetarisht e pranojnë robërinë dhe diktatin e partive në pushtet.
Mbrëmë dhe sot të gjithë ne si qytetarë hëngrëm edhe një turp. Kontraprotestuesit dhe falanga e organizuar e pushtetit, dhe instalacionet në Gjykatë, edhe një here e vunë ligjin, Kushtetutën, shtetin – para aktit të kryer. Jashtë ligjit dhe me ‘asistencë’ të policisë, e cila parandaloi protestën ligjërisht të paralajmëruar të qytetarëve, por nuk parandaloi uzurpatorët e hapësirës për këtë protestë para Kushtetueses. Jashtë akteve të saj, u soll vendim për seancë të mbyllur për opinionin.
Po një gjë tjetër më mundon ca më tepër. Mbrëmë në protesta pash qindra shqiptarë. Kishin ardhur vetë, të paorganizuar dhe pastrukturuar, si qytetarë të lire, ashtu siç u ka hije. Po ku ishte në gjithë këtë mesele opozita shqiptare, ajo që për këtë çështje duhet e para të mobilizojë popullin? Kurrkund. Ditë e javë me radhë, edhe pse kjo çështje e preokupon mbarë opinionin në vend, nuk pamë ndonjë mobilizim publik apo të dëgjojmë qartazi dhe zëshëm se çfarë mendojnë disa partitë opozitare shqiptare për këtë. Ndoshta kanë punë më të rëndësishme, siç po shohim…
Ka prej atyre që thonë që kjo është konflikt brenda maqedonasve, dhe se shqiptarët nuk duhet të përzihen në këtë çështje. Me këtë logjikë, po i bie që Kushtetuta u përket vetëm maqedonëve ?!? Është një diletantizëm i paparë politik të kërkosh të drejtat e shqiptarëve, e të ‘mos përzihesh’ në punë të Kushtetutës. Po ata dy shqiptarë në Gjykatë që votuan me dinjitet, të kujt janë? Vjedhja e zgjedhjeve qe ua solli shqiptarëve dhe kërbaçin e Gruevskit, e me të edhe Enciklopedinë, Monstrën, Brodecin, vrasjet, rrahjet…nuk po i interesoka patriotët tanë partiakë, që si duket patriotizmin nuk e shohin shumë ndryshe nga BDI dhe PDSH. Deri te flamuri dhe fjalët boshe. As një cep më larg.
Disa thonë që nuk dalin për LSDM-në dhe Zaevin i cili përkrahu protestat, sepse nuk u shpallën ‘bombat’ për “Monstrën”. Pajtohem plotësisht se ato duhej të shpalleshin pasi që veçmë u paralajmëruan, dhe se opozita maqedonase u soll në mënyrë oportuniste dhe i zhgënjeu paksa pritjet e mëdha të shqiptarëve prej saj. Mirëpo – u shpallën shumë batakllëqe të tjera – prej “deri ne vdekje”, “indianeve”, gjuhës së urrejtjes nga kreu i partisë në pushtet, kapjes së shqiptarëve për qafe, e deri te ‘zhveshja’ e BDI-së, e simbolizuar në atë që do të behet baba i shqiptareve duke ua…nënën. Ja të themi që Zaevi nuk qenka i sinqerte me shqiptarët, po çfarë bën opozita shqiptare në këtë kontekst? Na nevojiteshkan më shume dëshmi për kriminelët në pushtet? Një vit kaloi, me vetëm një protestë serioze të ndonjë partie të opozitës shqiptare. Ashtu mendojnë këta bukurosha të fitojnë zgjedhjet?
Shqiptarët nuk janë budallenj. Dëshminë për këtë e pash më 17 maj, e pashë edhe mbrëmë. Dëshmia për këtë edhe fatura do t’u vijë partive shqiptare, edhe opozitare edhe atyre në pushtet, gjatë zgjedhjeve. Po që se vazhdojnë kështu, të merren më shumë me vetveten se sa me nevojat dhe çështjet e vërteta, shumë vota të shqiptareve nuk do të shkojnë në konton e tyre. Sepse, ashtu do të digjen votat, e VMRO-BDI do të mbetet në pushtet. Këte e dine mirë shqiptarët, që para dilemës – opozitë e ‘killaft’ ose votim për të keqen më të vogël, do të bëjnë zgjedhjen e tyre.
Të të bëjë të plasësh. Sidomos kur e di se e gjithë kjo punë rregullohet, që thotë populli, për dy dakika. Le të mblidhen, le të thërrasin popullin të dalë, le të punojnë bashkë, edhe mes vete, por edhe me opozitën maqedonase, për rrezimin e kriminelevë. Pas asaj, le të punojnë të gjithë që sa me shpejt të ketë zgjedhje të rregullta të lira, dhe le t’i matin forcat.
Çdo gjë tjetër është vetëm demagogji dhe demonstrim ashiqare i paaftësisë për t’u marrë me politikë në këto çaste vendimtare për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, përfshirë edhe shqiptarët. Ose le të prijnë, ose le të hiqen anësh.