Që prej se ne, më të moshuarit, në 25 vitet e pamendësisë që trashëgoi njëmendësinë, u mësuam duruam që politikanët kryesisht të paaftë maqedonas, të pamësuar të funksionojnë po qe se nuk kanë urdhra “me teledirigjim” (qoftë nga Beogradi, qoftë nga Brukseli), që si qepës të fateve tona të na e shqepin shoqërinë tonë të pispillosur maqedonase në tërë vijat nacionale, gjoja – ideologjike, fetare, qendrore kundër lokales apo urbania kundër rurales – këta kidnapues partiakë të institucioneve shtetërore, në emër të Familjes, tani duan edhe shtetin të na e shqyejnë në copë!
Edhe pse janë të vetëdijshëm dhe e dinë mirë se çdo përpjekje e të marrëve të shumuar si ta – që nga ajo që tashmë është shqyer, pastaj, demek, të arnojnë ndonjë “paçvork” – paraprakisht është e gjykuar në mossukses. Por, as që e vrasin mendjen. Po luajnë me zjarr, të paaftit…
Duke i mbushur xhepat pa isaf, duke ua vjedhur pamëshirshëm të ardhmen e fëmijëve tanë, i përzunë prej shtëpie të gjithë ata që deshën apo që mundën të ikin, kurse në plan vendor, sipas maksimës “përçaj dhe sundo”, i përgjakën ndërmjet vete maqedonasit me shqiptarët, të krishterët dhe myslimanët, të djathtët e të majtët, “antikët” e sllovenët, “MZT Femili” me “Siti Park Bojs”, more, edhe fëmijët e kopshteve fëmijërore i helmuan me urrejtjen ndaj “të tjerëve”… Për qarin dhe pushtetin e shkretë. Grabitqarë…
Ajo që sonte ndodhi nëpër rrugët e Shkupit dhe që, sipas lajmeve të qyteteve më të mëdha në Maqedoni, ende po ndodh edhe në këto momente – me përpjekje patetike të partisë në pushtet me zor të sjellë në Shkup sa më shumë “kushtetutëmbrojtës”, poltronë të verbër partiakë apo administratorë e buxhetarë të reketuar, të cilët në mëngjes do t’u duartrokasin gjykatësve kushtetues që i damkuan togjet – duhet patjetër t’i shtangë nga frika të gjithë që ende kanë mbetur racionalë në këtë shtet!
Dy grupe qytetarësh – ai në numër më të vogël, i rreshtuar nga pushteti me urdhra e kërcënime (apo sipas skenarit “më të mirë”, i motivuar – me senduiç, birrë dhe transport deri në kryeqytet) – dhe ai në numër më të madh, i organizuar nga një platformë qytetare me përkrahje të fortë të opozitës, ishin një hap larg për t’u shikuar përmes nishanit. Në fakt, as që shiheshin, sepse në mesin e tyre kishte kordon me forca speciale me mbrojtëse e helmeta, një rend grilash, pastaj, si “fill” – 6-7 automjete luftarake, “hermelina” apo si u thonë, prej të cilëve njërit nuk i ishte mbuluar gypi i gjatë lart, pa përsëri, një rend grilash, pa edhe një kordon me forca speciale me të gjitha pajisjet… Qytetarët e përgjakur të Maqedonisë. Nga të dyja anët e barrikadave, të vendosura para Teatrit të ri të vjetër dhe Muzeut të VMRO-së, ai me dyllin. Skenë vodvili. Po, në shikim të parë, por, gjithsesi, pa hepiend holivudian.
U gjeta mbrëmë para Gjykatës Kushtetuese për të raportuar, përderisa protestuesit që kërkonin që disa prej gjykatësve kushtetues të japin dorëheqje që të shpëtohet Kushtetuta, shteti juridik, po edhe fytyra dhe nderi i Maqedonisë – nëse doni, niseshin prej përpara Qeverisë. Një aktiviste e re më takoi në turmën e kontraprotestuesve dhe më pyeti se kush janë këta njerëz, duke mos mundur të njohë ndonjë prej personave të cilët po protestojnë me vite në kërkim të drejtësisë dhe lirisë. I thashë ta ulë pak zërin…
Duke i kërkuar kolegët, gazetarë e xhirues, i mërdhirë, ecja mes kontraprotestuesve, duke i dëgjuar këngët patriotike dhe duke i lexuar transparentat, në të cilat thuhej se spiunët e huaj duhet t’i mbajnë duart më larg prej gjykatësve kushtetues dhe se Maqedoninë – nuk do t’ua japin. Maqedoninë askush as që do t’ua marrë të gjithë llojeve të mbrojtësve, sepse, po qe se vazhdohet me haramllëkun, papërgjegjësinë, verbërinë dhe marrëzinë, Maqedoninë do ta dojë dhe do ta mbrojë vetëm maqedonasi i fundit, ai që do të mbetet ta çkyçë dritën… Dhe ndoshta do të jetë i kënaqur.
Si sonte shitësi i shisheve me ujë, kikirikave dhe farave të lulediellit para ndërtesës së AKE. Po i ec biznesi me disa qindra njerëz, që, duke u fshehur prej erës dhe shiut të imët, nën tenda të fiksuara, me blloqe të mëdha prej betoni, po kërcëllojnë në shpejtësi të pestë, si në ndeshje futbollistike. Senduiçët i kishte ngrënë ndërrimi i pasdites i të shtyrëve në mënyrë spontane… Në sheshin e vogël para Operës dhe Baletit të Maqedonisë, po zhurmon një gjenerator në një kamion. Diçka duhet t’i ushqejë me rrymë altoparlantët e stërmëdhenj, përmes të cilëve jehon: “Ti tokë maqedonase, të nderoj!”. Mbetem i çuditur prej shkathtësive organizative e financiare të partisë së vogël – GROM të Stevço Jakimovskit, zëri i të cilit jehon prapa shpinës sime, përderisa në kakofoninë e dialekteve në kafenenë “Pirin” përpiqem të përdalloj ndonjë fytyrë. Nuk ka.
Dikush në MPB, prapëseprapë, ka qenë i vetëdijshëm për situatën që mundte të eskalojë (edhe pse jo me intensitet sikur kur është në pyetje përleshje ndëretnike, po megjithatë…). Polici mes tendave të kontraprotestuesve, përreth ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese, para dhe pas muzeut arkeologjik, forca speciale në urën e parë prej QTQ-së drejt muzeut, forca speciale me qen prapa ndërtesës së Muzeut të Holokaustit, forca speciale para dhe në oborrin e kishës “Shën Dimitrija”, para hyrjes në Çarshinë e Vjetër, para Muzeut të VMRO-së… Pasi që nga ana tjetër e barrikadave u dëgjua “O bella çao”, aktivistja iku te “të vetët”, kurse unë dhe një koleg u kërkuam forcave speciale të kalojmë nëpërmes barrikadave. Nuk na lejuan, por me mirësjellje na sqaruan të shkojmë prapa kishës dhe të ecim përreth deri te Teatri. Aty, në skenën e improvizuar i pritëm kolegët xhirues, liderët e “Hajde!”, qytetarët… Muzika krejtësisht tjetër, slloganet më të ashpra: “Dorëheqje!”, “Hajna!”, “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe!”… Flamuj, parulla dhe shikim drejt “hermelinëve”.
Ika, duke u shtyrë ndërmjet turmës. Rrugë të bllokuara dhe këmbësorë të rrallë. Para Bibliotekës Univesitare, më në fund, një taksi – shoferi si i frikësuar më pyet, çfarë tollovie ka ndodhur? “Po e shqyejnë Maqedoninë”, iu përgjigja. Jo që më kuptoi, por myshteriu ka gjithmonë të drejtë. Do të doja të besoja se edhe populli gjithmonë ka të drejtë, se do të vetëdijesohet e të zgjohet, se qytetaret e qytetarët nuk do të lejojnë dikush t’i shtyjë në tensione e përplasje të reja.
Do të doja të zgjohesha nesër pa forca speciale nëpër rrugë, e me gjykatës kushtetues me fytyrë të pastër dhe kurriz të fortë… Por e di se, as që do të më zërë gjumi.