Partitë e pushtetit sërish po mundohen të tërheqin vëmendjen e opinionit publik nga problemet e vërteta dhe ta transferojnë në fushën e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare.
Edhe duke qenë delikate, marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare në vend në mënyrë shtesë po prishen dhe po krijohen tensione të rrezikshme në momentin kur po duhen reforma të shpejta dhe thelbësore për dalje nga kriza politike dhe për krijim të kushteve për zgjedhje të lira.
Mjafton të përkujtojmë vetëm një pjesë të provokimeve dhe sfidave pas stabilitetit dhe sigurisë së vendit në tri vitet e fundit. Të atilla ishin rrahjet ndëretnike ndërmjet të rinjve në vigjilje të zgjedhjeve lokale të vitit 2013, tensionet ndëretnike në vigjilje të zgjedhjeve të vitit 2014 dhe mënyra se si udhëhiqej rasti “Monstra” dhe “lufta e vogël” në Kumanovë në vigjiilje të protestës së madhe qytetare në maj të vitit 2015.
Më tej, jemi dëshmitarë të shenjimit të vazhdueshëm të territoreve me simbole etnike e fetare nga ana e partive qeverisëse të të dyja bashkësive etnike, duke i përfshirë edhe shembujt e fundit të vendosjes së shqiponjës dykrerëshe në komunën e Çairit dhe vendosjen e themeleve të kryqit në komunën e Butelit, për ç’gjë CIVILi tashmë ka shkruar. Bëhet fjalë për rrënim të vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet bashkësive në Republikën e Maqedonisë, që u bë mënyrë e mësuar e qeverisjes, në mungesë të demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Në vend të zbatimit të politikave dhe praktikave për avancim dhe përmirësim të marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare në Maqedoni, pushteti në vazhdimësi po i keqpërdor me një qëllim të vetëm – t’i përdorë si perde të tymtë për fshehje të qeverisjes së keqe, dhunës strukturore, korrupsionit e krimit politik, me ç’gjë vendi po varfërohet dhe po futet në izolim.
CIVIL – Qendra për Liri ashpër i ndëshkon politikat dhe praktikat e tilla dhe kategorikisht kërkon të ndërpriten menjëherë. Marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare janë pa dyshim shtylla më e rëndësishme mbi të cilën prehet stabiliteti i Maqedonisë, ashtu si edhe i çdo vendi, dhe çdo lozje me ndjenjat e qytetareve e qytetarëve për përfitimi politike është e papranueshme. Ato lojëra mund të na shpiejnë në pasoja tmerruese dhe të thella.
CIVILi i thërret qytetaret dhe qytetarët ta ndjekin shembullin e kumanovarëve përgjatë krizës së vitit të kaluar në Kumanovë, të cilët reaguan me gjakftohtësi dhe me mençuri ndaj ngjarjeve tragjike në qytetin e tyre dhe nuk lejuan terrorizmi dhe krimi t’i prishin marrëdhëniet ndërmjet bashkësive në këtë qytet.
Ua bëjmë me dije strukturave të fuqisë politike në vend se koha për krijim të kushteve për zgjedhje të lira po kalon shpejt dhe se mundësia për lajthitje të opinionit publik do të shpjerë drejt një shtyerjeje të re dhe, si rrjedhojë, në një krizë tjetër edhe më të thellë.
Përktheu nga maqeodnishtja: Arsim Jonuzi