“Kjo nuk është gjykatë kushtetuese, është përfaqësie e një shoqate të ligë, këta janë xhelatë të drejtësisë. Të merret ai vendim në momentin kur është e qartë se me falsifikime po mbahet në pushtet, ky është turp i vërtetë. Mendoj se shumë njerëz duhet patjetër të protestojnë, të mblidhen dhe t’u thonë këtyre kusarëve në Republikën e Maqedonisë se nuk mundet në këtë mënyrë të qeveriset”, deklaroi sot para Gjykatës Kushtetuese një nga pjesëmarrësit e protestës – ish-guvernatori i BPRM, Petar Goshev.
Më shumë se qindra qytetare e qytetarë të revoltuar me transparenta, bilbila dhe letra toaleti protestuan para Gjykatës Kushtetuese dhe skanduan kërkesa për dorëheqje të gjykatësve Jovan Josifovski, Vlladimir Stojanovski, Vangelina Markudova, Elena Gosheva dhe Nikolla Ivanovski, që si shumicë i mbivotuan kolegët gjykatës dhe e pranuan nismën për shqyrtim të Ligjit për Amnistim përmes të cilit gjyqi në fazën vijuese mund të vendosë t’i rrisë ingerencat e Kryetarit të shtetit për amnistim të personave të gjykuar për krim zgjedhor. Qytetarët bërtisnin: “Nuk ka drejtësi – nuk ka paqe!”, “Dorëheqje për xhelatët e Kushtetutës!”, “Dilni të shihemi”, “Kjo nuk do të kalojë!”…
Protesta që vijohej nga një kordon i fortë policor qe e qetë. Në të folën aktivistët e Platformës për Politikë Qytetare – Hajde, Zharko Trajanovski, Petrit Saraçini, Aleksandar Dojranliev dhe Simona Spirovska.
Sipas Uranija Pirovskës, drejtoreshë ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni, vendimi i gjykatësve nuk është rastësi: “Me këtë vendim të gjyqit dhe nëse më tej Ligji për Amnistim i vitit 2009 shfuqizohet, krijohet hapësirë për të gjithë ata që do të bëjnë krim zgjedhor më tej të mundë të amnistohen nga Kryetari i shtetit. Edhe Komisioni për Aministim është bërë pikërisht me këtë ligj të vitit 2009. Pra, po qe se shfuqizohet ky ligj, mund të shfuqizohet edhe ky Komision. Kjo do të thotë se vetëm Kryetari do të vendosë se kush do të amnistohet… Kjo do të thotë se të gjithë ata që kanë votuar me letërnjoftim të rremë, që bartnin njerëz nga Pusteci, që bënin krim zgjedhor dhe për atë po përgatiten edhe për zgjedhjet e ardhshme, do të kenë mundësi të amnistohen nga Kryetari!”
[youtube width=”600″ height=”400″]https://www.youtube.com/watch?v=g7raKKm6_jI[/youtube]
Parashtrues i Nismës është Risto Kitevski, avokat-bashkëpunëtor ohras në zyrën e Lubço Naumovskit, një nga avokatët e Gordana Jankullovskës dhe Edmond Temellkos, të dyshuar për shoqërim kriminal dhe falsifikim zgjedhor në rastin “Titanik”.
Mirëpo, sipas Goshevit, “nuk mundet me gënjeshtra të përditshme, me nxitje konfliktesh ndëretnike të mbetet në pushtet. Ato i rrënojnë themelet e Republikës së Maqedonisë. Këta njerëz që përfaqësojnë Gjykatën Themelore duhet të turpërohen. Edhe atyre do t’u përfundojë funksioni dhe duhet të pyesin veten se çfarë do të ndodhë me fëmijët e nipërit e tyre.”
Sipas aktivistit Trajanovski, “Gjykata Kushtetuese duhet ta mbrojë ndarjen e pushtetit, e jo ta shfuqizojë me shpejtësi të dritës. Asnjëherë në histori të Gjykatës Kushtetuese nuk është renduar ndonjë nismë kaq shpejt. Asnjëherë në historinë e vet Qeveria dhe Parlamenti nuk i janë përgjigjur ndaj ndonjë nisme në gjykatë. Asnjëherë në histori ndonjë nismë nuk është vënë si pikë e rendit të ditës në Gjykatën Kushtetuese. E gjithë kjo tregon se është shoqatë kriminele për krim zgjedhor dhe se po shpejton shumë për të siguruar amnisti.”
Përktheu nga maqedonishtja: Arsim Jonuzi