Mbjellja e së keqes, vjellja vrer e tërbim, gjuha e urrejtjes dhe satanizimi i të gjithë ndryshemendimtarëve e shpurën Maqedoninë në pothuajse marrëzie paraluftore. Elitat politike në mënyrë hipokrite u fshehën prapa telallëve e trumpetaxhive të vet, të cilëve u lejuan t’i lëpijnë pjatat e sofrave të mbushura në mënyrë vulgare dhe prej bahanalitë e paguara me paratë e qytetareve e qytetarëve, duke pohuar se kundërshtarët e proviniencës tjetër ideologjike janë thjesht oponentë politikë dhe jo armiq gjakësorë. Dhe njëkohësisht u lejonin “megafonëve” të egërsohen, të gënjejnë e të plasojnë shmëti, për shkatërrim në thelb të konkurrentëve…
Fshehurazi, pas skene, kapnin për veshë, shpurën në hendek edhe familje, mbulonin të këqija, me humor të zi talleshin me shtetin “në të cilin asnjë vrasje nuk mundet të fshihet”, kurse publikisht aktronin se besimtarë, demokratë, pronarë të ndershëm, demek këta janë dikushi – esnafët… Dhe i linin të shëmtuarit publikisht t’i promovojnë djelmoshat e tyre qafëtrashë e kokoboshë, pëshpëritësit telefonikë të natës në nënkresë, kriminelë të mbrojtur, fallxhoret që zbulojnë konspiracione të huaja kundër Maqedonisë Biblike me vështrime në filxhane, gota…
Dhe pjesa tepër gjatë racionale e opinionit publik maqedonas kryesisht tallej me budallakinë dhe parullat e tejdukshme “revolucionarët nga Malii Jorganit”, të udhëhequr nga maksima arrogante “mos i prek – se u vjen era”, apo jo, edhe ashtu-ashtu askush nuk i dëgjon/shikon/lexon… Megjithatë, turma e propagandistëve të çmendur, ngacmues e hejterë të të gjithë atyre që janë më të arsimuar, më të bukur, më të lumtur, më të suksesshëm, më të shëndetshëm…, që duke pasur lakmi deri në shpatë të dorës, e sulmonte zotin, sabotonte, helmonte… Megjithëkëtë, mund të jetë e kënaqur. Maqedonia sot është antagonizuar deri në palcë, urrejtja ka hyrë dhe është fshehur midis miqve e fqinjve, krushqve e familjarëve të deridjeshëm. As gjaku nuk po pranohet, nëse uniforma partiake është ndryshe…
“Zënka bizare, pas disa gotave raki, ishte e kobshme për plakun 80-vjeçar nga fshati mariovik Makovë, i cili qe rrahur deri në vdekje nga një i dënuar i mëparshëm 53-vjeçar, kur e kishte lavdëruar punën e prokurores speciale, Katica Janeva, dhe ishte ngazëllyer me ndjekjen penale të ministrave të mëparshëm të VMRO-DPMNE-së, Gordana Jankullovska dhe Mile Janakieski”, është lajmi i djeshëm, i cili, nëse është përçuar mirë, të gjithë njerëzve normalë, që për çfarëdo arsye ende janë duke jetuar në Maqedoni, duhet t’ua ngrijë gjakun nëpër vena.
A mos vallë filluam të vritemi në emër të “të vërtetave” partiake?
Mjaft më! O do të vetëdijesohemi, o do të dergjim gjak! Maqedonisë së gjorë urgjentisht i duhet reanimim për zgjim nga transi dhe mjekim intensiv nga marrëzia që 24/7 ia mbjellin prodhuesit e mjegullës, iluzionistët që janë të përgatitur për gjithçka për ta mbuluar krimin, që të mos përballen me pakënaqësinë e atyre që u është marrë e drejta dhe të gënjyerve. Shumë çaste të njëmendta na ikën. Kohë për pendim – nuk ka. Mbrëmë veçmë u dëgjuan thirrje për zgjidhje drastike, për, demek, JO vendimtare ndaj Perëndimit dhe qërim hesapesh për tradhtarët e kauzës, pa edhe djegie të ambasadave! Të mos na ikë, na i marrtë të ligat, dhe çasti i fundit në të cilin reagimi ynë mund të ketë ndonjëfarë rezultati. Të mos lejojmë të na fusin me forcë në skenaret e tyre për derdhje të gjakut nëpër fotele. Ta ndalim marrëzinë!