Demonstrim i forcës, zbatim masash ekstremisht jodemokratike e represive, nënçmim e kërcënim, futje frikë te qytetarët janë pjesë e masave me të cilat VMRO-DPMNE-ja e mori pushtetin nëë zgjedhjet e fundit në shumë komuna prej ku vijnë dëshmime madje pas tri vitesh, pas zgjedhjeve të vitit 2013.
Përvojën që O.A. guxoi ta ndajë me ne është ndoshta një nga shembujt më eklatantë për sjelljen agresive të bërjes së fushatës dhe vetë procesit zgjedhor, në këtë rast me përkrahje nga të punësuar në MPB.
O.A. ka familje katëranëtarëshe dhe me mund të madh, me prodhim duhani, mundohet ta sigurojë ekzistencë për familjen e vet. Ky njeri nuk është simpatizues i politikave të pushtetit. Mu për këtë arsye, gjatë kohës së fushatës zgjedhore në zgjedhjet e fundit lokale i është urdhëruar të votojë për kandidatin e VMRO-DPMNE-së.
“Erdhën në shtëpi dy veta të VMRO-DPMNE-së, njëri H.B., i punësuar në MPB, kurse tjetri gjithashtu i njohur i fshatit, G.B.. M’u kërcënuan se nëse nuk votoj për kandidatin e VMRO-DPMNE-së do të vuajmë unë dhe fëmijët e mi. Më thanë: “Do të të japim librezë partiake, kurse, nëse nuk voton, do të jesh dele e shenjuar dhe do të vuash!” Unë u thashë se do të votoj për kë të dua dhe në fund u zumë.”, thotë O.A..
Ai, megjithatë, insiston në anonimitetin e vet. Thotë se për vete nuk ka frikë, por ka frikë për fëmijët e vet. Frikësohet për pasoja të mundshme gjatë arsimimit të tyre.
“Nuk e di çfarë munden të bëjnë, për këtë arsye duhet të kem kujdes. Mirëpo, nëse vjen puna më thellë, do të tregoj gjithçka si ka qenë. Për vete nuk frikësohem aspak dhe do të tregoj gjithë të vërtetën” – thotë ky prodhues duhani.
Këto shtypje nga ana e punonjësit të MPB-së, mbi bashkëbiseduesin tonë, të votojë për VMRO-DPMNE-në, kanë rezultuar me konflikt verbal, me ç’rast O.A. është paraqitur në polici në fshat, e pastaj edhe në shtabin partiak në qytet.
I shqetësuar për familjen, ky njeri kishte vendosur të mos kundërshtojë më tej. Ai gjoja i ishte nënshtruar kërcënimit. Kështu, në ditën e zgjedhjeve, para shtëpisë së tij, kishte ardhur një njeri i njohur me taksi, e kishte dërguar në vendvotim, ku do të duhej të rrethonte numrin e kandidatit të VMRO-DPMNE-së.
“Jo, nuk votova për kandidatin e tyre, nuk munda ta lejoj këtë. E drejta ime është të votoj për kë të dua, por nuk u tregova. Diçka ishte e dyshimtë kur i numëronin votat dhe fletëvotimet dhe kishin kuptuar se nuk kisha votuar për ta. Sërish reaguan, por unë nuk ua pranova. Pas zgjedhjeve, sërisht m’u kërcënuan se do të më shenjojnë, se kudo që të shkoj nuk do të mundem të kryej punë derisa ata janë në pushtet. Më thanë se edhe në bankë dhe kur ta dorëzoj duhanin do të më bëjnë obstruksione. Dhe kjo edhe ndodhi. Duhanin ma vlerësuan një klas më poshtë,” – thotë O.A..
Ky njeri thotë se përvoja e tij nuk është rast i izoluar, po shtypje e njëjtë është bërë edhe mbi shumë banorë të tjerë të fshatit.
“Kemi shumë punë të këtilla, të gjithë kështu, i merrnin nga shtëpia me veturë. Të moshuarve, që nuk dinë të votojnë, me forcë u tregojnë çfarë të rrethojnë. Kishte njerëz të palëvizshëm që kishin votuar në shtëpi…”, shton O.A..
Ai thotë se edhe pas këtyre ngjarjeve ka pasur aktivistë partiakë nga pushteti që e kishin keqpërdorur funksionin e vet. Ata me telefon banorëve u kishin ofruar vende pune, kurse disave q kishin votuar për VMRO-DPMNE-në u kishin dhënë vende pune. Gjithashtu, ka pasur qytetarë që për lojalitet qenë shpërblyer me tokë shtetërore.
O.A. e ndau me CIVILin këtë përvojë negative, me shpresë që do të kontribuojë në të ardhmen për t’u parandaluar format e këtilla të dhunës, si instrument për mbajtje të ligjitimitetit të pushtetit.
Ai me këtë rrëfyerje prej qytetari po kontribuon të kthehet ambienti demokratik në të cilin të gjithë qytetaret e qytetarët e Maqedonisë do të munden në mënyrë të lirë, pa shtypje e kërcënime ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese, ta japin votën e vet për opcionin dhe politikat e partisë, përmes të cilave besojnë se do ta realizojnë të drejtën e vet.
Teksti dhe kamera: Monika Taleska