Politika, e cila më parë dukej si diçka që e bëjnë vetëm të rriturit, tani, për fat të keq, është thellësisht e përfshirë edhe në oborret e shkollave si dhe në shoqëritë e lagjeve, sikur të jetë e pashmangshme dhe në jetën e përditshme të rinisë.
Kushdo që është rritur në një lagje multietnike mund të dëshmojë për ngjarjet që shpeshherë kanë kontribuuar në tensione etnike ose përleshje. Dhe, çdonjëri e di se ato janë ngjarje të rralla dhe shpërthyese, që me kalimin e kohës zhduken, në atë periudhë të rritjes dhe jetës, kur shpesh përfundojnë budallallëqet e fëmijëve … Sepse, përderisa rriten, fëmijët mund të njoftohen, të integrohen me njëri-tjetrin, me çka i mohojnë tendencat nacionaliste e disa prej drejtuesve të lartë në pushtet, të cilët nga të dy anët e dëshirojnë këtë dhunë dhe urrejtje për të qeverisur më lehtë, duke i mbajtur njerëzit në frikë prej “të tjerëve” apo “atyre të ndryshmëve”…
Por,çka me ata që janë “në mes”? Çka me turqit, romët, boshnjakët, vllehët, serbët …? Me ata që nuk janë pjesë e drejtpërdrejtë e shfaqjes së muskujve maqedonase-shqiptare? Ose, çka me të gjithë ne, pavarësisht nga kombësia (domethënë, edhe mes maqedonasve dhe shqiptarëve) të cilët nuk i përkasim atyre të ndarëve, të трла nacionaliste në të cilat duan të na shtynë dhe të na mbyllin, pjesë nga sunduesit tanë? Çka me të gjithë ne “vdekatarët e thjeshtë”?
Ose, nga ana tjetër, çfarë atëherë me ata, fëmijët e të cilëve nuk janë ata që vuajnë në çdo cikël zgjedhor nëpër stacionet e autobusëve, në oborret e shkollës dhe kafenenetë …? Sepse, fëmijët e tyre shkojnë në “pako” me shofere dhe sigurim privat (përderisa studentët e “zakonshëm” presin me dekada transport falas me autobus – Maqedonia ishte një shembull unik në botë, së pari u siguroi transport falas pensionistëve si një makinë votimi, e më pas studentëve, e madje edhe atëherë si masë për fushatën e zgjedhjeve) dhe nuk janë në rrezik të drejtpërdrejtë për të qenë të sulmuar nga ndonjë adoleshent i agjituar, gjoja mbrojtës i kauzës kombëtare…
Më të vërtetë, çfarë të bëhet me ata që duke përdorur të gjitha mjetet kanë arritur te ndonjë funksion, dhe nuk zgjidhin mënyrë për të mbajtur qëndrimin që do të thotë fuqi në shoqëri? Këta të dytit, lehtë dhe pa skrupull apo keqardhje, menjëherë do t’i sakrifikojnë të parët – “të zakonshmit”, për qëllimet e tyre fitimprurëse!
Për atë shkak, përderisa këtyre ditëve shënohen territore me monumente, e në Internet reagohet histerikisht ndaj provokimeve të dukshme të politikanëve në largim prej skenës, frigohem se përsëri na presin përleshje “të orkestruara” të të rinjve. Edhe pse dua të besoj se për ndonjë herë tjetër , kur organizatorët e kësaj çmendurie do të përpiqen t’i provokojnë të rinjtë në incidente ndëretnike – do të jenë të mundur dhe do të dështojnë, megjithatë, kur i shikoj të pakënaqurit, fytyrat e zymta të fqinjëve, fëmijëve të tyre – nuk ndjehem njësoj.
Qytetarët e Maqedonisë janë bërë cinikë nëpër shtëpi, por megjithatë, shpeshherë u shikojnë nëpër gishta partive dhe politikanëve, të cilët duheshte të dënohen më pare. Dhe, e paguajnë pakënaqësinë. E reflektojnë në shtëpi, tek fëmijët e tyre, të cilët, jo vetëm për shkak të moshës dhe adrenalinës së tyre, janë të pakënaqur me çdo gjë që i rrethon… Dhe, situata e tillë është zakonisht formula ideale për një shpërthim të zemërimit dhe urrejtjes kundër… gjithçkaje. Shkupi im i dashur, përsëri të ” vjen era” përleshje të provokuara ndëretnike… Hajde,ne, të zakonshmit, të mos u lejojmë të na përgjakin!