Protesta e djeshme e qytetarëve për të shënuar përvjetorin dhe për të kërkuar llogaridhënie për vdekjen e vogëlushes Tamara nga Velesi, si dhe ngjarjet rreth protestës, na treguan edhe një herë se në këto rrethana, kur institucionet shtetërore nuk funksionojnë ose veprojnë në mënyrë selektive dhe ekskluzivisht varen nga vullneti i pushtetmbajtësve, presioni nga qytetarët dhe opinioni mund të jetë e vetmja mënyrë për të detyruar ata që të bëjnë atë që në fakt është detyra e tyre, për të cilën marrin pagë prej qytetarëve.
Presioni padyshim që ka rezultat, edhe pse, edhe këto “fitore të vogla” pushteti gjithmonë përpiqet t’i shtrembërojë dhe t’i përdorë në avantazh të tij, duke u përpjekur që qytetarëve t’ua nxjerrë për hundësh çdo lëshim të bërë. Për shembull, është interesante të përmendet se lajmi i hapjes së hetimit për Tamarën nga ana e Prokurorisë, pas heshtjes së institucionit për gati një vit, koincidoi me protestën e paralajmëruar të qytetarëve dhe iniciativave që kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e Tamarës. Metoda e reagimit i kujton disa momente të tilla të hidhura në të kaluarën jo aq të largët. Nëse ju kujtohet, diçka e tillë ndodhi me “lirimin”, gjegjësisht lirimin me kusht nga burgu i Shutkës i gazetarit Kezharovski, pak para mbajtjes së protestës për lirimin e tij. E njëjta gjë ndodhi me disa here me reterimet dhe lëshimet e pushtetit gjatë protestave të studentëve, të cilat rregullisht vinin një ditë para protestave të planifikuara.
Edhe kësaj rradhe, pushteti me këto lëvizje përpiqet të zbusë presionin, por edhe të zbrazë potencialin e qytetarëve për të bërë presion. Për çdo çudi, pushteti pret për të kaluar tri, e bile edhe shumë më tepër ditë, që qytetarët të harrojnë, të dekurajohen, të humbin shpresën dhe besimin, të mos rebelohen dhe të lënë pushtetaret rahat, të qeverisin pa asnjë përgjegjësi. Që ata të shpenzojnë paratë tona për nevojat e tyre, nga të cilat më kryesorja është që, duke magjepsur popullin me gënjeshtra të larme e budallallëqe të ndryshme, të mbeten në pushtet sa më gjatë dhe të jenë sa më afër qeses me paratë e popullit.
Në protestën para Prokurorisë për Tamarën, të cilën veçme e humbëm, erdhi edhe Haneta e vogël me familjen e saj. Haneta ka një problem të ngjashëm si Tamara. Normalisht, autoritetet shëndetësore nuk ishin në dijeni për rastin e saj. Por, ja, shërbeu kjo protestë dhe zëri i qytetarëve, dhe ata tashmë janë të informuar dhe qenkan zotuar deklarativisht se së shpejti do të shqyrtojnë rastin.
Shërimi kushton 20,000 euro, ose me fjalë të tjera, një çmim i parë i subvencionuar në ndonjë nga pop apo folk festivalet, ose tre – katër subvencione prej disa mijë eurove për këngë “për vlerat e familjes”. Shpresojmë se “shqyrtimi i rastit” nuk do të zhvillohet si një vit më parë me Tamarën e vogël. Puna mund të zgjidhet në një ditë, nëse ka dëshirë. Tani, fjalën e kanë institucionet.