LINDA BALETA
The Balkan Forum
Merrni disa minuta për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje: A keni lexuar ose shikuar në TV rishtazi ndonjë lajm që ua ka ndryshuar gjendjen emocionale?
Pastaj, pyeteni veten sërish: Si ju bëri ai lajm të ndjeheni? A ju nxiti të mendoni që të ndërmerrni ndonjë veprim të caktuar?
Nëse pyetjes së parë i përgjigjeni me “po” dhe mund t’i identifikoni reagimet tuaja ndaj dy pyetjeve të tjera, atëherë, autori i atij lajmi e ka arritur rezultatin e synuar. Pra, që përmes një mesazhi të formuluar me kujdes, t’ju bëjë të mendoni dhe të veproni në atë mënyrë që i shërben agjendës së autorit. Kushdo qoftë autori.
Struktura shoqërore sot gjenden nën trysninë e dezinformatave, propagandës, të vërtetave të pjeswshme dhe fakteve të fabrikuara. Një çrregullim i tillë kompleks i informacionit përkeqëson më tej gjendjen ekzistuese të mosbesimit, duke ushqyer tensionet. Platformat digjitale krijojnë mjedis të përshtatshëm për përhapjen e lajmeve të rreme dhe e ushqejnë çrregullimin e informacionit. Secili mund të krijojë dhe shpërndajë përmbajtje.
Përballë një niveli të tillë të çrregullimit të informacionit, bashkëpunimi ndërmjet gazetarisë etike dhe angazhimit qytetar merr rëndësi kritike për të rritur nivelin e qasjes në informacion të verifikuar, në shfrytëzimin e veglave digjitale dhe në mprehjen e të menduarit analitik dhe kritik.
Gazetaria etike, edukimi dhe angazhimi qytetar i kontribuojnë kështu zhvillimit të shkathtësive të nevojshme për filtrimin e lajmeve të rreme dhe propagandës si dhe investojnë në angazhimin për paqe, duke sjellë përfitime për të gjithë.
Gjatë sesionit “Gazetaria reziliente për të kundërshtuar dezinformatat dhe propagandën” (5-10 dhjetor 2022) në Shkup, gazetarë dhe aktivistë nga rajoni i dhanë jetë një rrjeti bashkëpunimi me homologë të tyre nga Ukraina dhe Gjermania. Si hap i parë drejt themelimit të ngjarjes vjetore Java e Gazetarisë dhe Shoqërisë Reziliente, ky rrjet i kontribution edukimit mediatik në të gjitha nivelet.
Rreth The Balkan Forum
The Balkan Forum promovon vizion të përbashkët për rajonin të bazuar në integrimin ekonomik, prosperitet dhe paqe të qëndrueshme. Duke nxitur dialogun ndërkufitar dhe ndërsektorial, ne gjenerojmë këndvështrime të reja ndaj sfidave dhe mundësive rajonale, duke ndihmuar me inkubimin e ideve që shërbejnë si katalizator i nismave rajonale.