CIVILi, si organizatë për të drejtat dhe liritë e njeriut, në punën e së cilës janë inkorporuar përpjekjet për drejtësi sociale dhe mosdiskriminim prej 23 vitesh, shpreh mbështetjen për kërkesat për rritje të pagave të punëtorëve në të gjithë sektorët.
Prandaj, CIVILi në parim angazhohet për rroga më të larta për punëtorët edhe në arsim. Por jo në kurrizin e fëmijëve, nxënëseve dhe nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme! Ata kanë të drejtën themelore për arsimim.
CIVILi u drejton një kërkesë publike të gjitha palëve të përfshira në grevën e shkollave dhe kopshteve për të vënë në plan të parë interesat dhe mirëqenien e fëmijëve dhe jo interesat e tyre, e aq më pak interesat partiake.
Fëmijët nuk janë të detyruar të vuajnë nga pasojat e situatës në arsim dhe kërkesat për paga më të larta. Fëmijët dhe familjet e tyre nuk janë të detyruar të tolerojnë improvizimet që paralajmërohen për të kompensuar orët e humbura. Ky qëndrim ndaj fëmijëve duhet të ndalet!
CIVILi u bën thirrje partive politike që të zhbllokojnë proceset legjislative në Kuvend. Politikanët duhet të punojnë në interes të publikut. Partitë politike, në vend që të ballafaqohen dhe të bllokojnë Kuvendin, kanë për obligim që të mundësojnë miratimin e legjislacionit që do të përmirësojë kushtet për fëmijët dhe mësuesit dhe do të kapërcejë krizën e kahershme në arsim.