Qytetarët amerikanë nuk duhet të kenë frikë nga lufta bërthamore, ka deklaruar sonte presidenti amerikan Xhozef Bajden, një ditë pasi presidenti rus Vlladimir Putin urdhëroi forcat ruse të parandalimit që përfshijnë edhe armë bërthamore, të vihen në gjendje të gatishmërisë së lartë, njofton agjencia e lajmeve MIA.
Derisa Bajdeni po largohej nga foltorja e Shtëpisë së Bardhë, njëri nga gazetarët amerikan e ka pyetur nëse qytetarët e SHBA-së duhet të shqetësohen për shkak të mundësisë së një lufte bërthamore, me çka presidenti amerikan është përgjigjur “jo”, transmeton “Indipendent”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Xhen Psaki, madje tha se SHBA beson se për momentin nuk ka asnjë arsye të ndryshohet niveli i alarmit bërthamor.
“Nuk kemi ndryshuar statusin dhe vlerësimin tonë në këtë drejtim, por doemos të jemi të kujdesshëm për shkak të kërcënimeve të Putinit”, tha Psaki për MSNBC. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë njoftoi se forcat bërthamore dhe flota e veriut dhe paqësorit janë në gjendje të gatishmërisë së lartë luftarake. Bajdeni gjatë ditës ka biseduar me aleatët dhe partnerët amerikanë, derisa një përfaqësues anonim i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se lufta bërthamore asnjëherë nuk duhet bërë, se në të nuk ka fitues dhe se Putini po e përshkallëzon situatën me “një retorikë të rrezikshme”.