shkruan: SEFER SELIMI
Këtë vit Republika e Maqedonisë së Veriut shënon dy jubile të rëndësishëm në shtetformësimin e saj. 30 vjetorin e pavarësimit dhe 20 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit. Jubileu i parë shënon aspiratën për një perspektive të re për të ndërtuar një shtet modern, në frymën e valës demokratike që kishte shpërthyer gjithandej globit, e posaçërisht përtej perdes së hekur nga lufta e ftohtë.
Demokracia liberale si sistem vlerash i qeverisjes kishte triumfuar mbi modelet e ndryshme të komunizmit, por tranzicioni politiko-ekonomik drejt këtij sistemi nuk u reflektua me të njëjtën dinamikë tek të gjitha shtetet post-komuniste. 30 vjet më vonë, ajo që duhej të ishte burimi i forcës dhe përparësisë, diversiteti multi-etnik, vazhdon të ketë potencë për të prodhuar konflikt dhe ta mbaj të ardhmen e vendit peng të rivalitetit mes dy komuniteteve më të mëdha.
Maqedonasit, shumica dërmuese e tyre, udhëhiqen ende nga mendësia se Maqedonia është shtet i maqedonasve. Kjo mendësi prodhon tek ata ndjenjën e supremacisë ndaj shqiptarëve dhe etniteteve tjera, duke i ushqyer ato me idenë se janë pronarët e vetëm dhe legjitim të shtetit, të cilin shtet shqiptarët dëshirojnë t’ua marrin. Rrjedhimisht, kjo u ushqen frikën e humbjes së statusit të të privilegjuarit dhe prodhon albanofobi, me nuanca të theksuara të shovinizmit në shumë raste.
Shqiptarët, shumica dërmuese e tyre, udhëhiqen ende nga mendësia se Maqedonia asnjëherë nuk do të jetë shtet i drejtë dhe i barabartë për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht përkatësisë etnike. Kjo mendësi prodhon tek ata mosbesim të thellë ndaj shtetit, duke pritur apriori se në çdo proces të rëndësishëm shtetëror shqiptarët do të jenë ose të përjashtuar ose të dëmtuar. Rrjedhimisht, kjo ju ushqen ndjenjën e viktimizimit dhe inferioritetit dhe i bën ata refuzues, mosbesues dhe në shumë raste edhe nihilist në raport me të ardhmen e shtetit.
Të thëna kështu shkurt, shumë nga ju mund edhe të mos pajtoheni e të prodhohen kundër argumente të pafundme, por këto dy mendësi të perceptuara apo të vërteta janë bazamenti i veprimit politik të shumicës së partive politike në Maqedoninë e Veriut. LSDM-ja si vazhdimësi e partisë komuniste dhe e udhëhequr nga kjo mendësi, në fillimet e pavarësisë ndërtoi një kushtetutë e cila prodhoi konfliktin e vitit 2001. VMRO-DPMNE-ja në gjenezën e themelimit të saj kishte albanofobinë, ndërkaq në qeverisjen 10 vjeçare të Gruevskit shpenzoi afërsisht 1 miliardë euro për ta rritur dhe forcuar po të njëjtën mendësi: Maqedonia e maqedonasve. BDI-ja nga ana tjetër ka luajtur gjithë këto vite rolin e “mbrojtësit të shqiptarëve”, herë si triumfator e herë si viktimë. Opozita shqiptare e 20 viteve të fundit në cilin do transformim e formë që mori, u udhëhoq nga po i njëjti mentalitet, viktimizimi i shqiptarëve nga maqedonasit. Se sa janë të sinqerta partitë politike nuk dua ta trajtoj në këtë rast, por se kanë arritur me shumë mjeshtëri t’i përdorin e keqpërdorin këto mendësi në forma e trajta në ndryshme gjithë këto vite janë dëshmitar vetë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Në këtë situatë është e vështirë të ushqehet realiteti faktik, por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të ketë përpjekje. Realiteti është ky dhe mbase nga këtu duhet të fillohet të hidhet baza e një dialogu të gjerë e përmbajtjesor për të ardhmen e vendit :
Maqedonia e Veriut është shtet multietnik, as i maqedonasve dhe as i shqiptarëve por edhe i maqedonasve edhe i shqiptarëve dhe i të gjithë qytetarëve tjerë që jetojnë këtu.
Maqedonasit janë etniteti dominues por gjysma e Maqedonisë së Veriut, dominohet dhe qeveriset nga shqiptarët.
Shqiptarët kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë pjesë jetike për ekzistencën e Maqedonisë së Veriut, pa shqiptarët nuk ka as ‘’Maqedoni të maqedonasve’’.
Etnitë tjera më të vogla vazhdojnë të neglizhohen nga dy komunitet më të mëdha, sidomos në kohë zgjedhjesh – posaçërisht në ato lokale.
20 vjet më vonë, Marrëveshja e Ohrit që duhej të prodhonte stabilitet të qëndrueshëm përmes barazisë mes etnive në Maqedoninë e Veriut, u instrumetalizua nga partitë politike dhe në vend që të prodhonte mirëqenie u kthye në vegël për mbledhjen e votave. Diskriminimi sistematik shtetëror ndaj shqiptarëve të Maqedonisë nxiti konfliktin e vitit 2001, një kthesë historike që erdhi me pasoja njerëzore dhe materiale për të gjithë qytetarët e shtetit. Përfundimi i këtij konflikti u negociua nga shtetet euroatlantike me palët e përfshira, gjegjësisht mes shqiptarëve dhe maqedonasve të përfaqësuar nga partitë e tyre politike nën patronatin e Kryetarit të shtetit e që rezultoi me Marrëveshjen e Ohrit.
Kjo marrëveshje kornizë sublimoi pjesën më të madhe të kërkesave politike të shqiptarëve, të cilat ndër vite ishin parashtruar nga politikanët, intelektualët dhe qytetarët përmes formave të ndryshme të veprimit politik, përfshirë edhe protestat paqësore të cilat shpesh herë përfundonin me dhunë policore për shtypjen e tyre. Transformimi politik dhe social i shqiptarëve pas Marrëveshjes së Ohrit është i pamohueshëm por i pamjaftueshëm. Pas ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore, MO u shëndërrua në instrument partiak, mbi të gjitha për BDI-në, që sot rrezikon t’i dëmtoj vetë shqiptarët dhe organizimin e tyre politik, shoqëror dhe mbi të gjitha intelektualizmit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Fokusimi i tërësishëm në kuantitet dhe simbolikë, pa çarë kokën për kualitetin dhe efektet reale afatgjate është bërë modus operandi dhe mentalitet i politikbërjes. Veprimi politik i shqiptarëve të Maqedonisë sot është arkaik dhe improvizues, pa strategji afatgjate të bazuar në analiza të shëndosha që kanë bazë në filozofi politike moderne, që janë në përputhje me sfidat e të sotmes dhe sfidat reale të së nesërmes. Vizioni politik i partive shqiptare ende nuk ka kaluar përtej politikës indentitare, viktimizimit, fajësimit dhe përtej Maqedonisë perëndimore.
Sot përfaqësimi i shqiptarëve në institucione është dhjetëfishuar, por brenda këtij përfaqësimi dominon kuantiteti kundrejt kualitetit. Në një institucion publik mund të gjesh shumë shqiptar por pak prej tyre që mund të kryejnë punë, e aq më pak prej tyre që kanë në dorë të sjellin vendime. Sot në krye të institucioneve, agjencive e ndërmarrjeve publike ka shumë shqiptarë, por pak prej tyre janë në atë pozitë për shkak të meritave profesionale, e aq më pak të udhëhequr nga dëshira për shërbim publik. Sot vlerë ka rangimi në listat e punësimit të partisë dhe jo rangimi në konkursin publik. Në arsim, shëndetësi, kulturë e gjithkah tjetër politika dhe militantizmi partiak janë shpërndarë si tentakula që i zënë frymën zhvillimit intelektual dhe ekselencës për t’i lënë vendin mediokritetit. Sot protagonist dhe modele shoqërore nuk janë intelektualët, qytetarët e ndershëm dhe punëtor por të fortët e partisë në lagje dhe qytet. Bota nuk rrotullohet rreth mendimit të shëndoshë por forcës politike dhe qasjes në parti.
Në jubileun e tridhjetë të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut dhe jubileut të njëzetë të Marrëveshjes së Ohrit, në shoqërinë tonë multietnike vazhdon ende lufta mes vlerave progresive dhe forcave regresive, një betejë në ballë të së cilës qëndron mediokriteti i përfaqësuesve politik.