shkruan: MEGI ASLLANI
Kam shkruar vazhdimisht nëpër letra të ndryshme, të hedhura tutje nga njerëz të cilët nuk donin të besonin në fjalën time. Kam shkruar gjithashtu, nëpër rrjetet sociale dhe merrja mesazhe kërcënuese dhe ofenduese mbi temat e mendimet që unë shprehja.
Sot, po i futem botës së gazetarisë, botë e cila kërkon të vërtetën,përgjegjësinë e veprimit nga institucionet, njerëzit me pozitë e deri tek vuajtja e njerëzve në përditshmëri. Në vitet e tanishme, ne jetojmë për të shprehur mendimin tonë të lirë dhe për të vepruar të lirë, duke mos cënuar lirinë e tjetrit.
Imagjinoni sikur të ishim marioneta, se sa e lodhshme do ishte bota e pa identitet. Gazetari ka të drejtë të hulumtojë, të gjejë të vërtetën, të gëzojë të drejtën e fjalës së lirë, e jo të trajtohet si minjtë e kanaleve, që edhe ato meritojnë respekt si qenie.
Më tregoni sa gazetarë janë dhunuar fizikisht e psikologjikisht nga njerëz të veshur me mantelin e pushtetit, pushtet ky I dhënë nga gënjeshtrat e bukura. Na lini të mendojmë, të themi fjalën e lirë pa ju cënuar, të informojmë njerëzit.
Mos mendoni se nuk kemi mbrojtje. Na mbron e vërteta, fjala dhe puna jonë për një shoqëri më të shëndetshme. Demokracia dhe liria e fjalës kërkon sakrifica të mëdha. Dilni nga gënjeshtra e respektoni çdo njeri e çdo ngjyrë. Nëse urreni, do të mbillni urrejtje në shoqëri. Nëse kërcënoni, jeni të dobët përballë së vërtetës.
E vërteta e gazetarit dhemb si vaksina në fillim, por në fund ju bën mirë, ju çliron nga bakteret e pushtetit.
Doni shoqëri më të shëndetshme? Respektoni njeriun dhe shoqërinë.