Në gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkon mbështetje prej tyre për pozitën e vet, lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase.
Sofja thekson se vendet kandidate nuk duhet të vendosin konteste të hapura në BE dhe konsideron se mospajtimet me Shkupin paraqesin konflikt të pazgjidhur i cili “do të mundte gjatë anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut negativisht të ndikojë ndaj sjelljes së vendimeve në BE”.
Autoritetet bullgare i bëjnë thirrje Maqedonisë së Veriut të gjejë zgjidhje afatgjate me vullnet të sinqertë politik dhe guxim dhe të “ndalojë me trashëgiminë ideologjike nga Jugosllavia komuniste”. Sipas Bullgarisë kjo “trashëgimi” është shkak për “inxhinierë etnike” në Maqedoninë e Veriut.
Sa i përket gjuhës, Sofja e shfrytëzon gjuhën maqedonase nën thonjëza dhe konsideron se deri më dy gusht 1944 nuk ka ekzistuar as gjuha maqedonase, e as identiteti etnik maqedonas, dhe se ato janë krijuar me qëllim që të ndahen popujt në Republikën Socialiste të Maqedonisë dhe Bullgarisë. Sofja e vendos në pikëpyetje kodifikimin e gjuhës maqedonase dhe konsideron se ajo është dialekt rajonal i gjuhës bullgare.
Në memorandum ceket edhe se formimi i kombit maqedonas është projekt i Beogradit për minim të identitetit bullgar. Sofja zyrtare parashtron kushte edhe lidhur me pakicat.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut thonë se këmbimi i memorandumeve mes vendeve anëtare është proces i rregullt dhe nuk kanë më tepër informata rreth dokumentit.
Nga Institucionet e BE-së, tani për tani nuk ka reagim ndaj këtij dokumenti bullgar.