Kryeministri Zoran Zaev dhe kreu i opozitës Hristijan Mickoski, do të takohen të shtunën në ora 17:00 në Qeveri për të diskutuar qeverinë teknike. Sipas marrëveshjes së arritur në takimin e liderëve te presidenti Pendarovski, duhet që më 3 janar të formohet qeveri e re teknike sipas Marrëveshjes së Përzhinës, ndërsa zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë planifikuara të mbahen më 12 Prill.
Por zgjedhjet dhe formimi i Qeverisë teknike mund të shtyhen pasi kryeministri Zaev ka paralajmëruar se nuk mund të shkohet në zgjedhje derisa opozita bllokon ligje të rëndësishme në Kuvend.
“Unë jam i pari që t’i respektojmë të gjitha procedurat. Por, nëse lejohet opozita që në mënyrë të dukshme në Kuvend t’i bllokojë ligjet për realizimin e projekteve shtetërore që janë për qytetarët, atëherë ka arsye serioze që LSDM t’i anulojë zgjedhjet. Unë jam i pari i cili e respekton dialogun, por nuk kam qëllim që të jap dorëheqje nëse dikush i bllokon proceset. Nuk do të lejoj që dikush të bëjë obstruksione për disa zgjidhje ligjore. E drejta e diskutimit ekziston, por e drejta e qëllimit për bllokim të proceseve nuk është e lejueshme”, deklaroi Zaev.
Në të njëjtën ditë në ora 19:30 pas takimit me kryeministrin Zaev, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski do të takojë kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti në një lokacion ende të panjohur për opinionin.