Në çfarë gjendje e gjetët komunën e Çairit, gjegjësisht në çfarë kushte financiare, me çfarë kuadro dhe kushte hapësinore?
“Komunën e Çairit e gjeta në gjendje stabile, me një administratë të mbushur përplot me entuziazëm dhe e gatshme për sfida të reja. Por, si çdo njësi e vetëqeverisjes lokale, natyrisht edhe komuna e Çairit përballet me probleme të trashëguara në fusha të ndryshme, të cilat shpresoj se me strategji të ndërtuar mirë do të tejkalohen në të ardhmen.
Si është situata në komunë aktualisht dhe çfarë është ndërmarrë prej kur jeni ju në postin e kryetarit të komunës?
“Për momentin komuna e Çairit gjendet në fazën e analizimit të gjendjes faktike dhe në fazë të përgatitjes të dokumentacionit për fillimin e projekteve kryesore të cilat priten të realizohen në këtë mandat.
Në fillim, pavarësisht problemeve me konstituimin e organeve të Këshillit të komunës së Çairit dhe vonimit të procesit për miratimin e buxhetit të Komunës së Çairit për vitin 2018, kemi ndërmarrë më shumë aksione. Midis tyre janë aksioni për mirëmbajtjen e pastërtisë publike me kapacitet të rritur në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit dhe ndërmarrjet publike “Higjiena Komunale” dhe “Parqe dhe Gjelbërime”, aksionin për prerjen e degëve të drunjve në rrugën “Xhon Kenedi”, “Brigada maqedonaso-kosovare”, “Brigada e Dytë Maqedonase”, “Hristian Todorovski-Karposh”, “Kemal Sejfula” dhe parku i Çairit për të pasur ndriçim më efektiv në sipërfaqet publike. Aksioni ishte në bashkëpunim me Ndërmarrjen publike “Parqe dhe Gjelbërime”. U zbatua aksioni i inspektoratit komunal për largimin e shitësve jolegal nga trotuaret e rrugëve, është realizuar dekorimi i territorit të komunës me rastin e pritjes së Vitit të Ri 2018.
“Komuna Çair ka ueb-faqe të re në tri gjuhë – shqipe, maqedonase dhe angleze me qëllim të përmirësimit të nivelit të transparencës. Në kuadër të ueb-faqes ka shërbim ‘Kontakto komunën’ ku qytetarët do të mund të paraqesin probleme dhe të parashtrojnë pyetje të cilave do t’u përgjigjen Shërbimi për informim”.
Cilat janë prioritet e komunës Çair?
“Prioritetet kryesore gjatë mandatit tim dalin nga programi parazgjedhor i emëruar si ‘Kontrata me qytetarët 2017-2021’. Do t’i potencoja disa prej tyre, për të cilët tanimë janë ndërmarrë hapat e parë në pikëpamje të sigurimit të dokumentacionit të nevojshëm: ndërtim i garazheve trekatëshe si zgjidhje për rritjen e kapaciteteve të vazhdueshme për parkim, asfaltim të të gjitha rrugëve në kompetencë të komunës Çair për çka janë ndarë 40 milionë denarë, ndërtim i Qendrës rinore lokale në lagjen Seravë, revitalizim i sipërfaqeve ekzistuese dhe ndërtimi i sipërfaqeve të reja të gjelbra.
Pjesë e prioriteteve të mia janë përgatitja dhe implementimi i projektit për rrugë njëkahëshe në lagjen Çair i Vjetër dhe Fushë Tophanë, vendosja e sinjalizimit të ri horizontal dhe vertikal në rrugët “Bllagoja Paroviq” dhe “Metodija Mitevski”, vendosja e ndriçimit të ri rrugor në rrugët “Ordan Çopella”, “Tophana” nr.356, “Serava”, “Dizhonska” nr.3, vendparkim pas rrugës “Xhon Kenedi” dhe rrugës “Maksut Sadik”, ndërtim i pishinës së mbyllur shkollore, renovim i sallës “Partizan” për të cilën janë ndarë 12 milionë denarë, vendosje e koshave të rinj për plehra dhe stolave nëpër parqe. Për të gjitha aktivitetet e realizuara në kohë do t’i informojmë qytetarët.
Magdalena Ristomanov