Avokati Naser Raufi, i cili është anëtar i Komitetit për mbrojtjen e të drejtave dhe pjesë e ekipit të ekspertëve, bisedon me CIVIL Media, për idenë dhe qëllimet e Komitetit, si dhe për konferencën që do të mbahet të shtunën, më 16 shtator.
“Komiteti për mbrojtjen e të drejtave është kryesisht për rastet e montuara dhe me konotacion politik. Këtu i përfshijmë rastet siç janë: “Spiun”, “Metastazë”, “Brodec”, “Sopot”, “Lagjja e Trimave”, “Monstra”…, ndërsa qëllimi është të kërkohet dhe të realizohet përsëritja e këtyre rasteve, edhe pse disa nga këto nuk janë të mbaruara. Bëhet fjalë për raste në të cilat ka shumë akuza pa dëshmi”, u deklarua Raufi, i cili paralajmëroi se në konferencën e nesërme do të jenë të pranishëm edhe anëtarët e familjeve të akuzuarve.
“Unë mendoj se do ta arrijmë qëllimin, ndërsa qëllimi i komitetit është të bëhet revizioni i këtyre lëndëve…Qëllimi është që më në fund ta arrijmë sundimin e drejtësisë”, thotë Raufi.
“Kemi gjykime të cilat nuk janë ligjore, pa dëshmi, është shkelur e drejta e mbrojtjes, jotransparenca e dëgjimeve publike kryesore, ndalohet prania e njerëzve të caktuar në seanca publike…Drejtësia në Maqedoni është e kidnapuar!”, është i vendosur avokati.
Teksti dhe montazhi: Maja Ivanovska
Kamera: Dehran Muratov