Lista e komunave që marrin vendime për zbatimin e referendumeve kundër strehimit të refugjatëve dhe emigrantëve në mjediset e tyre, rritet. Qytetarët e Ohrit, Kavadarit, Manastirit, Gjevgjelisë dhe të komunave të Shkupit Aerodrom, Gazi Babë dhe Karposh, në referendume do të deklarohen nëse janë “për” ose “kundër” banimit të refugjatëve në komunën e tyre, edhe pse Qeveria veç më disa herë shpjegoi se nuk ka ndërmend të ndërtojë kampe ose ndërtesa banimi për refugjatë nëpër Maqedoni.
Demantet e Qeverisë se nuk do të ketë strehim të refugjatëve/emigrantëve, as ndërtim banesash për ata, nuk ua ndryshuan mendjen këshillave të këtyre komunave, të sjellin vendime për mbajtjen e referendumeve rreth popullimit të emigrantëve, edhe atë në ditën e njëjtë me zgjedhjet vendore, më 15 tetor.
Për fat të keq, dy javë me radhë Komisioni Shtetëror Zgjedhor nuk u përgjigjet pyetjeve të CIVIL Media, se çfarë planifikon të ndërmerr në lidhje me shpalljen e referendumeve, dhe cili është qëndrimi i KSHZ për justifikimin ligjor për zbatimin e referendumeve në ditën e njëjtë me zgjedhjet lokale.
Një pjesë e mediave pro -opozitare dolën me pretendim se anëtarë të KSHZ kinse kanë interpretuar se nuk ka mundësi teknike për mbajtje të referendumeve në ditën e zgjedhjeve lokale, duke pretenduar se për mbajtjen e zgjedhjeve lokale nevojitet infrastrukturë dhe mbështetje teknike dhe logjistikë, e cila duhet të shfrytëzohet edhe për mbajtjen e referendumeve.
Në pritje të zgjedhjeve lokale, dëshpërimi i partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE thellohet edhe më tepër, dhe në mungesë të ofertës reale, si në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2016, partia vendosi ta luajë letrën e fushatave të zeza kundër kundërshtarëve politikë, të manipulimeve dhe rritjes së nacionalizmit, përmes tregimeve të trilluara të cilat vazhdon tua shesë votuesve të vet, me qëllim të fshihet krimi nga sundimi dhjetëvjeçar pa dhënie llogarie.
Edhe më i ashpër në akuzat e tij është lideri Nikolla Gruevski, i cili, sipas një medie opozitare, ka deklaruar: “Të gjithë ne bashkëndjejmë me ata emigrantë dhe dëshirojmë t’u ndihmojmë nëse kalojnë si transit në Maqedoni, ndërsa edhe ata nuk dëshirojnë të ndalen në Maqedoni, sepse kërkojnë shtet më të pasur, që do tu ofron kushte më të mira, mirëpo qëllimi i Qeverisë, që të bëjë diku lajka, është të pranojë numër të madh të emigrantëve. Spekulohet me numër prej mbi 100.000 njerëz, kështu që plotësisht e kuptoj reagimin e qytetarëve, dhe më së tepërmi mund të kuptoj se pse nuk besojnë në argumentin e vetëm që e tregojnë se kjo nuk qenka reale”.
Përveç paralajmërimeve të ekspertëve se nuk guxon të ndodh mbajtja e referendumeve në ditën e njëjtë me zgjedhjet lokale, duhet të merren parasysh edhe mundësitë për manipulim me fletëvotimet, të cilat në këtë rast do të jenë madje tre.
CIVIL -Qendra për Liri disa herë ka paralajmëruar për kontroversat ligjore dhe politike të referendumeve.
“Referendumet janë kundërligjore, mirëpo ajo që më tepër brengos është dimensioni i tyre skajshëm i pistë. Organizatorët duket se janë në bashkëpunim me elementet më destruktive të politikës së Maqedonisë, dhe kanë agjendë të drejtpërdrejtë dhe të qartë, që përmes ksenofobisë dhe islamofobisë, të sjellin tensione në marrëdhëniet mes bashkësive etnike dhe fetare në vend, siç ishte rasti me të gjitha proceset e kaluara zgjedhore në regjinë e tyre. Thjeshtë, islamofobia dhe urrejtja në përgjithësi, janë mashtrim i pistë politik i opozitës, e cila vazhdimisht promovon ekstremizëm dhe dhunë, që të sjell frikë, të cilën pastaj me mjeshtri e shfrytëzon. Kryeministri, Qeveria dhe institucionet relevante nuk guxojnë të kalkulojnë me këtë fushatë të pistë, dhe të heshtin. Pikën politike që nuk do ta humbin tani, do të jetë humbje e madhe për gjithë vendin në ardhmërinë e afërt”, tha Xhabir Deralla, CIVIL -Qendra për liri.
Për momentin, në kampin transitor “Vinojug” afër Gjevgjelisë, ku kanë kaluar mijëra emigrantë, qëndrojnë vetëm 13 refugjatë nga Lindja e Afërt, të cilët presin të ikin drejt Evropës, ose të kthehen në shtëpi.
Pavarësisht nga kjo gjendje, VMRO-DPMNE edhe më tej nxit urrejtje mes qytetarëve për rrezikun e trilluar se Maqedonia do të mbushet me refugjatë, ndërsa mediat pro-opozitare frikësojnë me tituj sipas të cilave do të ndërtohen ndërtesa për refugjatë në 17 komuna nëpër Maqedoni!
Maja Ivanovska