Ende pa hyrë në Parlament, me hordhitë fashiste dhe ndihmësit e tyre nga radhët e policisë para portave, njëri këndon himnin e Shqipërisë.
Ende pa u ulur në karriken e kryetarit, tjetri vendos flamurin shqiptar në kabinet. Vendi po fundoset, po shkilet nga dhunuesit dhe mafiozët, kurse ata bëjnë gara se cili do tregohet më shqiptar. Hello! A do bëni shtet ju apo çmendinë!
Doni që të ndryshohet himni, që flamuri shqiptar të përdoret më shumë dhe në vende më të dukshme sesa është paraparë me ligj?
Urdhëroni, angazhohuni me sinqeritet dhe përkushtim në kthimin e demokracisë, fitojeni besimin dhe kërkoni mbështetjen e qytetarëve të të gjitha bashkësive, për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat e njeriut.
Ndërkohë, ju heronj tregoni se pse çështjet e himnit dhe flamurit janë më të rëndësishme se mjerimi në të cilin jetojnë njerëzit, punësimet partiake, papunësia, diskriminimi, shpërngulja, terrorizmi, kriminaliteti, korrupsioni.
Keni me mijëra shqiptarë dhe shqiptare të punësuara në administratë dhe që rrijnë në shtëpi. Duhet t`i jepni zgjidhje këtij problemi, të krijuar nga Gruevski në partneritet me njërin nga liderët “tuaj”. Në situatë të ngjashme janë edhe shumë maqedonas. Jepni zgjidhje këtij problemi nëse jeni heronj!
Zgjidhni rastet e shqiptarëve që me vite dergjen të pafajshëm nëpër burgje, ndërkohë që ministri i drejtësisë është shqiptar. Keni pasur dhe ende keni ministra në duart e të cilëve janë fatet e trishta të shumë familjeve.
Sot shumë fëmijë do kenë uri. Disa do shesin faculeta, kurse disa të tjerë drogë. Foshnjat dhe të posalindurit vdesin në spitalet e horrorit. Vajzat e mitura dhe djelmoshat do t`i shesin sonte trupat e tyre, për të mbijetuar. Janë duke mbretëruar droga dhe dhuna
Nga ju pritet që të tregoni zemërgjerësi dhe të kërkoni zgjidhje për të gjitha, pa dallim përkatësie. Nëse nuk ia dilni dot, atëherë gjeni zgjidhje së paku për ata që i përfaqësoni. Pastaj, himne këndoni dhe flamuj valoni.
Ashtu do të tregoni se edhe shqiptarët janë pjesë e Maqedonisë! Rruga për te barazia është pjesëmarrja dhe jo kërkesat (jorelevante), qëndresa e jo frika.