Java e dytë që komunikacioni hekurudhor është në ndërprerje të plotë. Të punësuarit të cilët ende nuk i kanë pranuar rrogat e janarit, protestojnë.
Punëtorët nuk pajtohen të fillojnë me punë deri sa nuk u paguhet rroga për muajin janar. Ministri i Transportit Vllado Misajllovski, dje deklaroi se për ti pranuar rrogat e tyre, “HM Transport” dhe “HM Infrastruktura”- duhet të punojnë.
“Çdo gjë që do të punojnë gjatë muajit, duhet ta faturojnë deri në Ministrinë për Transport, ndërsa Ministria menjëherë ti paguajë të gjitha mjetet, sepse ato janë shpenzime operative të cilat i mbulon Qeveria. Çdo gjë që do të jetë përfitim dhe të ardhura të ndërmarrjes, mbeten aty, mirëpo, për faturimin e të gjitha shpenzimeve operative dhe humbjeve, duhet të punohet”, tha Misajllovski.
Gjoko Ilievski nga Bordi Iniciativ i protestës, thotë se të punësuarit nuk pajtohen me Ministrin, dhe se i kërkojnë paratë e tyre për muajin të cilin veç më e kanë punuar.
“Problemi nuk është nëse ne punojmë ose jo. Duam të na paguhet puna. Derisa paratë nuk vendosen në llogaritë tona, ne do të protestojmë. Dhe, të përkujtoj se ne jemi në vendet e tona të punës dhe presim”, deklaroi Ilievski.
“Misajllovski gënjen. Sipas Ligjit për marrëdhënie pune (neni 109): Rroga paguhet më së voni 15 ditë pas kryerjes së periudhës për pagesë. Kjo do të thotë se rroga veç më duhet të ishte e paguar dhe për mospagimi i saj jo vetëm se nuk ka lidhje me grevën, por edhe është në kundërshtim me ligjin. Për më tepër, sipas nenit 260 të Ligjit për marrëdhënie pune; (1) Organizata përkatëse për punët e të ardhurave publike është e obliguar ta informojë inspektorin përkatës të punës, për punëdhënësit të cilët nuk e kanë kryer përllogaritjen dhe pagesën e rrogave, gjegjësisht, rrogën më të ulët për muajin e kaluar. (2) Lajmërimi nga paragrafi (1) të këtij neni, i dorëzohet inspektorit të punës sipas selisë së punëdhënësit. Kjo do të thotë se punëdhënësi duhet të dënohet për mosplotësimin në kohë të duhur të obligimit ligjor”, shkruajti profesoresha d-r Mirjana Najçevska me rastin e grevës në Fejsbuk profilin e saj.
Javën e kaluar, drejtori Nikolla Kostov dha dorëheqje, ndërsa në vendin e tij Qeveria e vendosi Igor Korunovski, i cili menjëherë pas emërimit realizoi takim me përfaqësues qeveritarë, por publiku nuk ishte i informuar se për çfarë janë kuptuar në takimin.