Pak para orës 15, kolona e protestuesve u nis nga vendtakimi te ura e këmbësorëve në Bit Pazar. Qytetarët shqiptarë, në organizim të LR-PDSH, RDK, Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së dhe disa organizatave të tjera, filluan të mblidhen rreth orës 14. Para se të nisen drejt Kuvendit, një pjesë e demonstruesve marshuan shkurtimisht drejt Jahja-Pashës, për të pritur protestuesit që vinin nga ajo anë e qytetit.
Përgjatë gjithë rrugës ishte e dukshme prania e madhe e forcave policore, në pajisje të plotë për trazira. Kordon i policisë ishte i vendosur në bulevardin drejt ish-shtëpisë së mallrave “Most”, për të parandaluar demonstruesit që të shkojnë në drejtim të qeverisë. Masa u përgjigj duke brohoritur “UÇK, UÇK”, ndërsa disa nga demonstruesit i bënin thirrje policisë të bashkohet me ta.
Sigurimi i fuqishëm policor ishte i dukshëm edhe përpara ndërtesës së re të Ministrisë së Jashtme, qasjes në kejin e Vardarit, përpara hotelit Holidej In, ndërsa hapësira përballë Parlamentit, përveç korridorit nëpërmjet të cilit erdhën demonstruesit nga Bit Pazari, ishte e rrethuar nga të gjitha anët nga një gardh hekuri, automjete të blinduara dhe forca të shumta policore – edhe nga ana e Spitalit të Qytetit, portës triumfale, por edhe nga ana e QTQ.
Askush nuk u lejua të kalojë, bile as edhe gazetarët dhe kameramanët të cilët ishin në detyrë, që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe legjislativen për tubime të tilla, e cili siguron që gazetarëve t’u lejohet liria e lëvizjes me qëllim për të kryer detyrimet e tyre profesionale. Qasja e vetme për në sheshin dhe pjesën perëndimore të qytetit ishte hyrja në QTQ në anën e kalimit për këmbësorë pranë hotelit Holidej In.
Në fillim të protestës, ekipeve të gazetarëve iu drejtua ish-deputeti, Hysni Shaqiri. Lidhur me qëndrimin për protestat pro -demokratike dhe mundësinë për protestë të përbashkët, Shaqiri tha se shqiptarët nuk duhet të presin që dikush tjetër t’ua kryejë punën. “Ne duhet të jenë të pranishëm në Shkup. Shkupi është kryeqendra e të gjithëve. Ne ta ngremë zërin. Vetë të organizohemi, mos të presim që të tjerët të na organizojnë dhe të na thërrasin në protesta. Ne jemi kundër kurrkujt, por kemi konceptin tonë, kauzën tonë kombëtare, kemi platforma politike jashtëzakonisht të rëndësishme, dhe protestat shqiptarët duhet t’i vazhdojnë “, theksoi Shaqiri.
Ai gjithashtu u bëri thirrje shqiptarëve që të bashkëngjiten në protestën e planifikuar për 9 maj nga Këshilli Opozitar Shqiptar, i cili është e përbërë nga partitë opozitare të shqiptarëve të cilët nuk qëndrojnë si organizatorë prapa protestës së sotme.
Petrit Saraçini