Kumtesë për shtyp e CIVIL-it, 24 shkurt 2025
24 shkurti 2022 do të mbahet mend përgjithmonë si dita kur Rusia nisi pushtimin e saj të paligjshëm dhe të paprovokuar të Ukrainës, duke e përshkallëzuar luftën që filloi në vitin 2014 me aneksimin e paligjshëm të Krimesë dhe okupimin e pjesëve të Donetskut dhe Luhanskut. Tre vjet më vonë, Ukraina vazhdon rezistencën e saj heroike kundër një agresioni brutal që ka shkatërruar qytete, ka marrë jetë të panumërta dhe ka tronditur themelet e sigurisë globale.
CIVIL – Qendra për Liri ka qëndruar me Ukrainën që nga momentet e para të këtij agresioni brutal, duke qenë ndër organizatat e para qytetare në botë që lëshoi një dënim të fortë publik ndaj pushtimit dhe bëri thirrje për një përgjigje vendimtare kundër agresorit.
Tre vjet më pas, është e qartë se lufta nuk zhvillohet vetëm në fushën e betejës, por edhe në mbrojtjen e së vërtetës. Agresioni i Rusisë shoqërohet me fushata të pamëshirshme dezinformimi, të cilat synojnë të justifikojnë krimet e luftës, të minojnë sovranitetin e Ukrainës dhe të dobësojnë mbështetjen ndërkombëtare. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Ukraina ka qëndruar e pathyeshme, duke dëshmuar se vullneti për të mbrojtur lirinë është më i fortë se makineria e tiranisë.
Redaksitë e CIVIL-it punojnë pa ndalur, duke raportuar fakte nga fusha e betejës, duke demaskuar propagandën e Kremlinit dhe duke ekspozuar kërcënimet hibride në Ballkan dhe më gjerë. Si platformë për analistë dhe opinionistë, CIVILi luan një rol jetik në luftimin e dezinformimit dhe mbrojtjen e demokracisë.
Teksa bota shënon këtë përvjetor të errët, lufta e Ukrainës mbetet moment përcaktues për demokracinë dhe rendin ndërkombëtar. Çmimi i rezistencës ka qenë i paimagjinueshëm, por vendosmëria e popullit ukrainas dhe mbrojtësve të tij i ka treguar botës se liria ia vlen të mbrohet.
Tre vjet nga ky agresion brutal, lufta e Ukrainës u rrit në luftën e të gjithë atyre që qëndrojnë të patundur kundër imperializmit, shtypjes dhe luftës. Bota duhet të qëndrojë me Ukrainën—jo vetëm me fjalë, por me veprim të palëkundur.
Sllava Ukraini! Lavdi Ukrainës!
CIVIL