Igor Bandoviq është drejtor i Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë (QBPS) prej vitit 2019. QBPS-ja është qendër e pavarur hulumtuese që kontribuon në përmirësimin e sigurisë së qytetareve dhe qytetarëve në përputhje me parimet demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Organizata merret me hulumtime, përfaqësim publik, zhvillim të komunitetit dhe arsim.Në periudhën e kaluar dhe tani, QBPS-ja merret me tema të si robërim i shtetit, përgjegjësi dhe krimin e organizuar. Si personi i parë i QBPS-së, Bandoviq është bashkëbisedues relevant për çështjet e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Bashkëbiseduesi ynë ka një sërë arritjesh profesionale dhe eksperte në punën në UNDP-së, IOM-it, Fondin Evropian për Ballkanin etj.
CIVIL Media foli me Bandoviqin me rastin e takimit mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Ohër më 18 mars, kur të dy liderët mbështetën Aneksin për zbatimin e Marrëveshjes së BE-së për rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.
CIVIL MEDIA: Si e vlerësoni procesin në tërësi dhe a është takimi në Ohër një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës?
IGOR BANDOVIQ: Konsideroj se në Ohër është arritur përparim i dukshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Propozimi për marrëveshje i Francës dhe i Gjermanisë dhe aneksi për të cilin u dakordua në Ohër përfaqësojnë përparimin më domethënës deri më tani në zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në 10 vitet e fundit.
Arsyeja për këtë është propozimi për marrëveshje që merret me çështje thelbësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe aneks i sapo dakorduar që përcakton kornizën kohore për zbatimin e tij.
Është një bazë shumë e mirë për rregullimin dhe normalizimin e marrëdhënieve, por nuk duhet të ndalet me kaq.
CIVIL MEDIA: Cila është perspektiva e këtyre bisedimeve, gjegjësisht procesit në tërësi?
IGOR BANDOVIQ: Perspektiva në masë të madhe varet nga udhëheqësia e Beogradit dhe Prishtinës, vullneti politik për zbatimin e marrëveshjes, por edhe mobilizimi më i gjerë i shoqërisë në Kosovë dhe Serbi për t’iu kthyer së ardhmes përmes respektit të ndërsjellë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të drejtat e minoriteteve dhe luftës kundër diskriminimit edhe në Kosovë edhe në Serbi.
Kjo marrëveshje duhet të bëhet një dokument i gjallë që do të pranohet nga të gjithë, do të përpunohet më tej dhe do të përmirësohet në mënyrë që të zgjidhen realisht ato tema që nuk mbulohen nga marrëveshja dhe përveç personave të zhdukur të përmendur në aneks, duhet të merremi edhe me trashëgiminë e së kaluarës në një kuptim më të gjerë, përforcimi i lidhjeve të shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve në Kosovë dhe Serbi, përmirësimin dhe bashkëpunimin kulturor, ekonomik dhe çdo bashkëpunimi tjetër që ka vuajtur si pasojë e marrëdhënieve të këqija dhe të trazuara.
CIVIL MEDIA: Si e komentoni rolin e Maqedonisë së Veriut në këto procese?
Roli i Maqedonisë së Veriut për të qenë nikoqir i një takimi të tillë është një sinjal i mirë dhe një shenjë se Maqedonia mund të jetë faktor konstruktiv dhe shembull për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet fqinjëve në të ardhmen, duke ndihmuar Serbinë dhe Kosovën për të gjetur zgjidhje. Gjithashtu, duke qenë se zgjidhjet e marrëdhënieve dypalëshe janë bërë praktikisht një problem madhor për zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Evropian në Ballkan, të gjitha vendet e Ballkanit apo më gjerë në Evropën Juglindore duhet të gjejnë zgjidhje për mosmarrëveshjet e tyre dypalëshe, si ato që ekzistojnë sot dhe ato që do të ekzistojnë në të ardhmen.
Është kyçe që kjo pjesë e Evropës të bëhet po aq harmonike dhe pa konflikte si çdo tjetër.
Xh. Deralla