shkruan: Megi Asllani
Të jesh vajzë në ditët e sotme është e vështirë. Kemi dëgjuar shprehje të tilla si,”Rri urtë se je vajzë”, “Mos fol se djali ka të drejtë, është më i fuqishëm se ty”, “Mos dil mbrëmjeve se je vajzë”, e shumë e shumë shprehje të tilla, që kanë lidhje me turpin.
Turpi i shoqërisë, i cili na zhyt edhe më thellë në mosedukim, në mosdëshirë për t’u zhvilluar dhe në errësirën e injorancës. Vajzat rriten si qenie të pazhvilluara, si qenie të dobëta, si objekte të djemve e burrave. “Kujdes se ai është djalë, mbylle gojën, atij i lejohet kurse ty jo”, shprehja idiote që i rrit vajzat me një frikë e me një pasiguri për të ardhmen.
Përcaktimi i detyrave, se si duhet të sillet një vajzë dhe një grua ndikon tek fëmijët e së nesërmes. Prindërit janë fajtorë sepse nuk komunikojnë me fëmijët e tyre, duke u munduar të gjejnë justifikime që të gjitha i dinë fëmijët e sotëm. Por jo, informacionet e gabuara që marrin nga shoqëria dhe mosedukimi në familje çon në abuzimet seksuale në moshë të hershme. Dhënia e të drejtave për djemtë, nga ana e prindërve çon që ai djalë, burrë i së nesërmes të trajtojë një vajzë si objekt seksual.
Nuk është thirrje për akt seksual, veshja e një vajze. Keni koncepte të gabuara. Shoqëria vendos rregulla të caktuara, krijon ndarje gjinore dhe realitete të gabuara. Injoranca dhe mosedukimi të çon t’i marrësh për të mirëqena.
Fajtorë jemi vetë ne. Çfarë kërkojmë nëpërmjet protestave? Të drejta, siguri dhe liri? Gabim. Nuk është zgjidhje. Zgjidhje është të punohet në familje dhe të punohet me lëndën e edukatës në shkolla. Edukata seksuale nuk të mëson vetëm organet gjenitale, të mëson të thuash jo, të mëson të vendosësh vetë mbi trupin tënd, në aspekt fizik, psikoemocional, të mëson respektin për veten e për të tjerët, të mëson të zbulosh veten.
Fajtorë jemi ne. Edukoni fëmijët tuaj. Mësojini respektin për veten. Mjaft më me pallavra, shprehje klishe, se kështu kanë thënë të parët tanë. Mos merrni informacione të gabuara. Urgjentisht edukoni djemtë, të mos i rrisni me idenë e disa të drejtave superiore vetëm se janë djem.
Fajtorë jemi vetë ne. Të përdhunohen vajzat e gratë e të heshtim? Ku janë prindërit, ku gabuan, institucionet ku janë? Do mbetemi tek turpi i shoqërisë apo do edukoni fëmijët?
Kurioze jam se si e përkufizoni turpin ju, të ndershmit e Zotit. Nuk ju ka faj komshiu, e keni fajin vetë për gjithçka.
Të gjithë ne jemi fajtorë. Mjaft me viktimizime.
Mos hesht, edukohu dhe ti djalë që justifikohesh në aspekt biologjik ” Unë jam djalë!” Mjaft më, punoni me fëmijët tuaj!
Fajtorë jemi ne!