shkruan: MEGI ASLLANI
Ne jemi qenie njerëzore. Ne kërkojmë respekt, mirënjohje, dashuri, mirëkuptim dhe barazi para ligjit dhe para shoqërisë. Nuk ka rëndësi nëse vijmë nga një fshat apo qytet, nëse jemi të varfër apo të pasur, myslimanë apo të krishterë, heteroseksualë, transgjinorë apo homoseksualë, ose jemi nga shtete të ndryshme.
Çfarë më bën më shumë përshtypje? Pikërisht, mosrespektimi i të drejtave të njeriut, fyerjet ndaj tyre në bazë të gjinisë, përkatësisë etnike dhe në bazë të orientimit seksual ose mendor. Pse duhet të ndodhë kjo? Pse duhet të flasim kundër qenies njerëzore kur të gjithë jemi qenie njerëzore dhe duhet të gëzojmë të drejta të barabarta. Pse duhet të shprehni një gjuhë urrejtje kundër etnive të caktuara, të cilët kanë të drejtë të jetojnë të lirë? Pse duhet të mos i respektojmë të tjerët? Pse duhet të përdhosim kultura të ndryshme? Sepse nuk i njohim? Nga injoranca ndodh që ne të përbuzim të tjerët, nga mosnjohja, nga mosdëshira për të punuar dhe për të krijuar një shoqëri më të shëndetshme mendërisht dhe shpirtërisht.
Nëse flasim për moralin, këtu po ju them se moralin e ndërton shoqëria. Moral, për mua është të mos e përbuz tjetrin, aty ku mbaron liria ime, fillon liria jote. Morali është të mos abuzosh me tjetrin fizikisht, psikologjikisht dhe verbalisht. Morali nuk përcaktohet nga liria juaj për të jetuar dhe vepruar. Morali është subjektiv, thelbi i të mos cënuarit të identitetit të tjetrit.
Respektoni fjalën, mendimin dhe diversitetin. Më pëlqejnë librat, dikujt i pëlqejnë lulet. Kam pikëpamje të ndryshme nga ju. Por, kjo nuk të jep drejtim të paragjykosh dhe të më gjykosh.
Para se të tregoni gishtin tuaj diku, drejtojuni vetes. Punoni me qenien tuaj, sepse nëse e përmirësoni veten çdo ditë, jeni një hallkë më shumë për të respektuar tjetrin dhe për të krijuar një shoqëri më të shëndetshme. Krijoni kozmosin tuaj. Ne jemi me shumë ngjyra, kjo është e bukur. Dielli shkëlqen për të gjithë.
Filloni me gjërat që ju pëlqen të bëni dhe pastaj ndani ato me miqtë tuaj. Liria vjen nga mendja.