Agjencia Evropiane për Ilaçe, EMA sapo publikoi se është gjetur lidhshmëri e mundur mes vaksinës së Xhonson dhe Xhonson dhe rasteve të rralla të mpiksjes së gjakut, por përfitimi nga vaksinimi mbetet më i madh se rreziqet, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Pasdite EMA do të mbajë konferencë shtypi për t’i sqaruar në mënyrë më të detajuar të dhënat e fundit.
Vaksina e Xhonson dhe Xhonson, e njohur si Jansen, në Bashkimin Evropian, ende nuk shfrytëzohet në mënyrë masive, por kompania po përgatitet ta plotësojë pjesën e saj nga marrëveshja me vendet e BE-së.
Këtë herë, Agjencia për ilaçe e BE-së, menjëherë ka reaguar. Në SHBA janë identifikuar tetë raste serioze të mpiksjes së gjakut, nga të cilat një rast me pasojë vdekjen. Janë vaksinuar shtatë milion persona në SHBA, deri më tani me këtë vaksinë.
Sipas EMA-s të gjithë që kanë zhvilluar efekte anësore serioze nga vaksina e Xhonson dhe Xhonson, janë nën moshën 60 vjeçare, shumica janë gra, ndërsa simptomat zhvillohen rreth tre javë pas vaksinimit, tani për tani nuk janë konfirmuar faktorë të veçantë rrezikues.
EMA theksoi se situata është e ngjashme si me vaksinën e AstraZeneka-s dhe njëra nga sqarimet është reagimi imunologjik te pacientët.
Megjithatë, EMA konsideron se përfitimi nga vaksinimi i tejkalon rreziqet. Në vendet anëtare të BE-së, do të sjellin vendim nëse do ta shfrytëzojnë ose ta kufizojnë përdorimin e Xhonson dhe Xhonson në disa grupmosha të moshuara, siç e bënë disa me AstraZeneka-n.