Kriza e shkaktuar nga COVID-19, në botë, por edhe në vendet e rajonit, ka prekur më së shumti sektorin e turizmit, si dhe sektorë të tjerë që lidhen me turizmin, hotelerinë, zanatet dhe transportin, por edhe investimet në ndërtimtari dhe në projekte të tjera të shumta, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.
Sektori i turizmit dhe hotelerisë vazhdon të mbetet sektori më i goditur, ku disa veprimtari të saj kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të mbyllura plotësisht. Ndërsa kufizimet e lëvizjes së lirë, si pasojë e pandemisë kanë ndikuar edhe në rënien e numrit të turistëve në vend.
Sipas të dhënave zyrtare te institucioneve përkatëse, shënohet një rënie e konsiderueshme e vizitorëve dhe turistëve të huaj,si edhe vendor në vitin 2020 në proporcion me vitin paraprak. Rënia në vitin 2020 është e thellë, sepse në atë vit ka pasur turistë të huaj në normë prej 60 përqind më pak se vitin 2019,duke treguar kështu për gjendjen e rëndë në të cilën ky sektor gjendet aktualisht. Janari i vitit 2021,në krahasim me vitin paraprak ,ka shënuar një rënie prej 49.2 përqind, trend ky që dëshmon për rrezikun e mbijetesës që mbart ky sektor.
Bejtulla Morina, pronari i Hotelit “Goldi” , për CIVIL Media theksoi se si subjekt, ka që vitin e kaluar që janë në vështirësi ekonomike për shkak të pandemisë së Covid-19. Ai shpjegoi se ka shkurtuar punonjësit nga 30, tanimë ka 13 punëtorë sepse nuk mbulon dot pagesat e tyre.
“Mungesa e turistëve brenda dhe jashtë vendit ka sjellë të ardhura të pakta dhe ne nuk mbulojmë dot energjinë elektrike, ujin, nxehjen qendrore dhe pagesat e punonjësve”, theksoi Bejtulla Morina.
Ai shprehu se nga paketat ndihmëse, të lëshuara nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ka përfituar vetëm dy pagesa për të ndihmuar biznesin e tij. Për sa i përket vizitorëve në Hotelin Gold, Morina tha se aktualisht në dy ditë mund të ketë dy vizitorë, të cilët vijnë për arsye pune në Maqedoni. I pyetur për pagesat e punonjësve, shpjegoi se nuk ka ulje të pagave të tyre, por ka shkurtim të numrit të punonjësve, si pasojë e situatës së Covid-19. Gjithashtu, shtoi se konsiderohet hap me një rrezikshmëri të lartë, marrja e një kredie biznesi nga bankat, sepse është i pamundur përballimi i kredisë. Morina kërkon që të ndihmohet nga shteti, si çdo biznes tjetër në vështirësi që të mbulojë shpenzimet e punonjësve sepse mbyllja e biznesit nuk është zgjidhje.
Duke qenë se Maqedonia e Veriut është ekonomi e vogël dhe veprimtaritë shpesh janë të varura me njëra tjetrën, nga kjo mbyllje kanë pësuar edhe veprimtaritë ndërlidhëse të cilat kryejnë shërbime dhe furnizime për këto entitete, prandaj kriza në këtë segment është më e ndërlikuar seç duket në vështrim të parë.
“Vlerësimet tona si Odë Ekonomike janë se Qeveria duhet t’i ndihmojë me mjete likuide të pakthyeshme veprimtaritë e këtij sektori të cilat vazhdojnë të vuajnë nga kriza. Kreditë me norma të ulëta të interesit paraqesin një opsion shtesë, mirëpo për këtë sektor paraqiten problematike për faktin që kemi një paqartësi të madhe për sa i përket tejkalimit të pandemisë Covid-19, duke qenë njësoj me Republikën e Kosovës, të cilët kemi ngecje në procesin e imunizimit. Ky proces do të ndikojë dhe do e përcaktojë momentin e hapjes së këtyre sektorëve. Për sa kohë këto kompani nuk e ushtrojnë veprimtarinë e tyre, ata nuk mund të shlyejnë detyrimet ndaj askujt e në veçanti ndaj bankave”, deklaroi Drilon Iseni, Drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore.
A duhet të reagojë shteti për këto biznese
Drilon Iseni shpjegoi më tej se Sektori i Turizmit është i rëndësishëm për vendin tonë, sepse ka një numër të madh të të punësuarve, dhe është i rëndësishëm për shumë veprimtari të tjera ndërlidhëse dhe ka pjesëmarrje në BDP (Prodhimi i Brendshëm Bruto) me rreth 2.3 përqind. “Prandaj, shteti duhet të gjejë module të tjera, të tipit të subvencioneve dhe granteve, në mënyrë që ta mbështesë sektorin e turizmit, por dhe duhet përshpejtuar procesi i imunizimit nëpërmjet vaksinimit, sepse kjo është dalja e vetme nga kriza, jo vetëm për hotelerinë dhe turizmin, por për të gjithë ekonominë në përgjithësi”, theksoi Iseni.
Megi Asllani Muça