Dino kishte ditëlindjen. Ma tha surrat qitapi, fejsbuku.
Gjithmonë kur kujtoj Dinon, kujtoj atë natë të Enjte të vitit 1999. Në programin e BBC-së, si çdo të Enjte, do të shfaqej David Dimblebly dhe ‘Question Time’ dhe patjetër do të flitej për temën numër një në botë, luftën që digjte Kosovën. Ishte koha që mos u ktheftë kurrë, kur Kosova dilte ne faqet e para te Japonisë, Argjentinës, Finlandes dhe Afrikës së Jugut. Kosova e Hasan Prishtinës dhe Mitrush Kutelit po kallej prushë nga shtatzanija shekullore e nanës Arbëri. Arbëria përjetonte dhe përpëlitej nga dhimbsat e lindjes së Dardanës. Çka do bënet me nanën dhe çka do bënet me foshnjen e saj? Shumë djerrsë në duar dhe pulpa gishtash mbi sy të mbyllur deri në dhimbje. Nofulla të ngrira dhe dhëmballa të puthitura si gozhda në dërrasë.
David-i i cili është djali i madh i Richard Dimblebly-t, e nisi programin flamurtar dhe themeltar të BBC-së, duke na kqyrrë në bebzë të syrit dhe duke prezantuar të ftuarit e mbramjes.
Secilën mbrëmje të së Enjtes, diskutohen çështjet rrjedhëse të politikës vendase Britanike dhe ato Botërore.
Programi televiziv ‘Question Time’, ka format interaktiv me publikun prezent në studio. Secili antar i publikut në studio, ka të drejtë të pyesë drejtëpërsëdrejti panelin e ftuar i cili gjithmonë përbëhet nga ministra, deputet të njohur dhe njerëz të artit dhe të jetës publike Britanike.
Një burrë shqiptar ishte bashkë me publikun vendas dhe priste për rradhën e tij që të pyesë dhe të rast nevoje të përgjigjet për Kosovën e tij. Sytë e tij flisnin për peshën e madhe mbi supe. Si Isë Boletini dikur në parlamentin e Britanisë, ky bir shqiptari kishte sjell vehten në parlamentin televiziv të BBC-së, ku do kuvendohej për Kosovën e tij. Me vehte kish sjell pyetjen për lirinë e Kosovës, qoftë me prezencën dhe qoftë kërkesën e tij personale, e tha se kush jemi ne shqiptarët, e tha se ku jemi ne shqiptarët dhe tha se çka duam ne shqiptarët. Një shqiptar nga Kosova që jeton në Londër i fliste BBC-së. Londra dëgjon BBC-në, kurse Britania dëgjon Londrën.
Ky shqiptar quhej Abedin Dino Bajraktari. Me paraqitjen e tij të fisme, për ato disa sekonda të rëndësisshme televizive Dino ishte ambasador i suksesshëm i popullit të vet.
Përndryshe, Dino punon si berber.
E imagjinova Dinon gjatë punës së tij si berber në London Hammersmith. Kushedi se sa e sa koka britanike janë qethur nga duart e tij, dhe kushedi se sa e sa vesh kanë dëgjuar për historinë e Shqiptarëve. Të jesh berber, do të thotë të jesh gjithmonë me njerëz. Të flasësh me to dhe të dëgjosh kur të flasin ty. Berberi ka mundësinë më të mirë që të ndikojë dhe të influencojë mbi mendimet e tjetrit, por natyrisht që edhe berberi ndikohet nga fjalët që i dëgjon mes duarve të tij të armatosura me gërshërë dhe brisqe.
Fola me Dinon në fejsbuk, në surratqitap. U çmallëm cackëz dhe pastaj e pyeta berberin shqiptar se kë ka takuar në Londër dhe cilit njeri të famshëm ja ka hjek veshin dhe kujt ja ka ngrit hunden përpjetë? Sepse berberët këtë e kanë në ‘job description’ në përshkrimin e punës, të kapin për veshi, për hunde dhe ta venë briskun në fyt, secilit, prej perandorit, sulltanit e mbretit dikur, deri tek këto politikuajt e sulltan partive që kemi sot.
Kisha dëshirë të bashkëbisedojë me berberat, kudo që janë, por thash me vete, të flas njiherë me berberat këtu, në Maqedoni.
Letër e hapur drejtuar berberëve dhe parukiereve në Maqedoni
Shumë të nderuar berber të Maqedonisë!
Ju lutem vazhdoni punën tuaj të fisme me kultivimin dhe pëshpëritjen e vlerave kulturore dhe morale drejtuar veshëve të myshterive tuaj. Juve nuk keni profesion të thjeshtë. Profesioni juaj është shumë shpesh si ai i hoxhës, priftit, mësuesit ose psikoterapistit. Ju lutem, përpiquni që njerëzve që u ofroni shërbim, i qethni ose ua rruani mjekrrat, t’ju jepni njëkohësisht optimizëm dhe pozitivitet. Maqedonia është një shoqëri shpirtërisht e dëmtuar dhe ka nevojë për psikoterapi kolektive dhe për rivlersimin e vlerave univerzale njerëzore. Berber të nderuar, gjeni mënyrën të lavdëroni njerëzit që kanë moral të lartë dhe që janë të zellshëm dhe punëtorë. Mësoni anegdota pozitive për sportistët e famshëm, artistët, shkencëtarët, mjekët dhe mos humbisni kohë me sharje dhe banalitete që vijnë nga jeta e pa skrrupult dhe imorale e politikës ditore.
Kjo është letra e parë drejtuar berberëve në Shkup, Manastir, Shtip, Tetovë, Dibër, Kumanovë, Gjevgjeli, Ohër, Përlep, Strumicë, Veles, Koçan ose Strugë. Ky bashkëbisedim do vazhdojë dhe tutje, dhe unë do mundohem t’ju drejtohem përsëri, duke shpresuar që edhe juve do të me shkruani mua me historite e Juaja.
Nëqoftëse e lexoni këtë letër por nuk jeni berber, ju lutem ta printoni dhe t’ja çoni berberit tuaj, dhe t’i thoni se Agron Biba ka shkruar për berberët, dhe do që të bashkëbisedojë me ju, berberët.
Unë. kam shumë respekt për ju berberët, dhe mendoj që jeni shumë të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie te shëndetshme.
Natyrisht, është gabim të mos t’i kujtojmë parukieret. Prej sot e tutje, kur shkruaj berber, le te nënkuptohet se kam menduar edhe parukiere. Premtoj që pasi të hulumtoj pak më shumë edhe mbi botën e parukiereve, do të shkruaj më drejtëpërdrejtë edhe për punën e fisme të tyre.
Dy tema për bisedën tuaj ne berberhane
1) Paradoksi i Berberit
Paradoksi si trajtim i njohur në filozofinë matematikore.
Nqs në një fshat ka vetëm një berber, ateherë ky berber ua rruan mjekrrat vetëm atyre bashkëfshatarëve, të cilët që nuk rruhen vet, dhe nuk rruan asnji mjekër tjetër.
Nqs ky është rregulli strikt dhe apsolut, kush e rruan berberin, ai vet ose berberi?!?
2) anegdota: Një myshteri, një klient pra, futet ne një dyqan ne çarshi. Përshëndeten me pronarin e dyqanit, dhe fillon ti sodisë orët e eksponuara. Pëlqen një nga orët në dyqan, dhe e pyet dyqanxhiun se sa kushton.
Dyqanxhiu pergjigjet prerë: Ajo orë nuk është në shitje.
Blerësi mbledh sypet dhe vazhdon të shikojë orët e tjera në dyqan.
Pak më vonë, myshteriut i pëlqen një orë tjetër, dhe pyet përsëri
Blerësi: Po kjo orë këtu, sa kushton ju lutem?
Dyqanxhiu: As ajo orë nuk është për t’u shitur.
Blerësi: Po kjo këtu?
Dyqanxhiu: As ajo nuk shitet.
Blerësi: Po kjo?
Dyqanxhiu: As ajo.
Blerësi ( i zemëruar në kulm): Kjo nuk është në rregull, as kjo as ajo, asnji orë nuk qenka në shitje? Atëherë përse i keni eksponuar këtu, përse i reklamoni dhe nuk i shisni?
Dyqanxhiu: Unë zotëri jam Berber. Ne këtu bëjmë synet.
Blerësi: Synet? Si Synet?!? Atëhere këto orët pse i mbani, nqs bëni synet?!?
Dyqanxhiu Pse, çfar të reklamojmë, ç’far reklame na sygjeroni ju zotëri?
PS. Për komunikim me Dinon, berberin në Londër, shkruani…Për Dinon, në agronbiba@aol.co.uk.