Ndodhi edhe një vrasje në qytetin tonë. E kuptova ( siç e keni kuptuar edhe ju) nga interneti. Nga portalet e internetit, dhe nga miqtë që e shpërndanë lajmin e zi. Mbrëmë, si çdo herë kur ndodh një vrasje, faqja mu mbush me postime të lajmit, të titulluara me “Video nga vrasja…”, “Kujdes, pamje të rënda”, “Fotografi nga vrasja…”, e kështu me radhë. Mu turbullua barku.
Para dymbëdhjetë viteve, në një ditë të diel marsi, më cingëroi celulari në orët e mesditës. Ishte babai im, më pyeti nëse kam pa lajme, dhe pasi i thashë se nuk kam pa, insistonte të shoh, disi i çuditshëm në kërkesën e tij, dhe nga zëri. E kyça televizorin, kërkova ku ka lajme, dhe pas dy tre minutash dëgjoj lajmin se katër persona nga Maqedonia janë zhdukur në një vend të huaj, dhe se supozohet se janë të kidnapuar nga terroristë lokal. Nuk dihej nëse janë të gjallë. Kjo kishte ndodhur një ditë para, pra të shtunën, por lajmi u përhap të dielën. Me neveri e dëgjoja lajmin, sepse bashkëshorti im me tre kolegë të tij dy ditë para kishte shkuar pikërisht në të njëjtin vend për punë të kompanisë për të cilën punonin, dhe nuk ishim dëgjuar dy ditë pasi që në atë vend nuk kishte qasje në valë. E mora veten dhe mendova- pasi nuk ka ndonjë lajm nga kompania ku punon, me siguri nuk janë ata, edhe pse u tërbova nga lajmi pavarësisht se i njihja ose nuk i njihja personat. Megjithatë, pas disa orë u paraqita te disa të njohur në kompani, që ta vërtetoj. Më thanë se nuk është e vërtetë, dhe të mos shoh lajme. Nëse ka diçka të tillë, me siguri se do të më informojnë. Mediat nuk ndaleshin, sa lajme se terroristët kërkojnë një shumë të madhe parash që t’i lirojnë pengjet, sa lajme se i kanë vrarë, sa lajme se veç më i kanë gjetur…Më vonë, pas një telefonate që ia bëra pronarit të kompanisë, pasi që u alarmuam të gjithë, kuptova se bashkëshorti im, me tre kolegët e tij, ishin të kidnapuar, dhe se ende nuk dihet asgjë për gjendjen e tyre. Kjo agoni e mosdijes, pasigurisë, frikës, pritjes dhe shpresës, zgjati një javë. Gjatë asaj jave, mediat vazhdimisht informonin, secila sipas interesit të rejtingut, gazetarë qëndronin në pritë te lagjja e familjes së bashkëshortit tim, që të takojnë dikë e të kuptojnë më hollësisht për ngjarjen, telefonat nuk ndaleshin sa nga familjarë, sa nga miq, dhe nga gazetarë. Madje një gazetare më shprehi ngushëllime, ndërsa ne ende ishim në pritje të lajmit. Pas asaj telefonate mu shua bota…Pas një jave na erdhi lajmi se i kanë gjetur të vdekur, në mal, të mbuluar me gurë. Pas gjysmë ore pranuam një lajm se janë gjallë, dhe se janë nisur me helikopter deri në qytetin ku e kishin bazën e kompanisë. Disa orë pas këtij lajmi,pranuam lajm, se lajmi i parafundit është trillim ose i keqinterpretuar, dhe se me helikopter janë bartur kufomat.
Pas varrimit, gazetat ishin plot me fotografi nga bashkëshorti im, fotografi të mia nga varrimi, fotografi të familjes, të shoqëruara me tekste senzacionaliste. Vite pas ngjarjes, media të ndryshme të vendit dhe evropiane, mundoheshin të vijnë në kontakt me mua ose me anëtarët tjerë të familjes së bashkëshortit tim. Nuk patën sukses. Vite pas, netët më agonin me pamjen e përshkruar nga personat kompetentë, se si janë vrarë, dhe në çfarë gjendje i kanë gjetur. Flas për veten, nuk mundem ta di për vëllezërit, motrën dhe prindërit e tij, se nuk i tregonim njëri tjetrit si na gdhin mëngjesi. Nga konsiderata për dhimbjen e tjetrit. Madje, as dhimbjen nuk e ndanim para njëri tjetrit, deri sot. Gjithnjë nga konsiderata për dhimbjen e tjetrit.
Konsideratë. Mirëkuptim. Mëshirë. Njerëzi. Etikë.
Asnjë nga këto që i numërova, nuk i gjej te të ashtuquajturat “media”, portale, si dhe te shumë njerëz të njohur dhe të panjohur, të cilët sikur mezi presin të ndodh një mort e të tregojnë kush i pari e kuptoi dhe sa din më tepër se tjetri, duke mos e pasur parasysh anën tjetër, realisht të prekur. Ditë dhe muaj pas ngjarjeve, shfrytëzohen fotografitë e të ndjerëve, për qëllime të ulëta njerëzore të mbështjella në petkun e komercializmit të një ngjarjeje si kjo e mbrëmshmja, dhe para një muaji, dhe para disa muajve, dhe para një viti…Të kuptohemi, mos mbetshim pa gazetarë dhe lajmet e tyre, se ata janë dritarja nga bota, janë ata prej të cilëve informohemi, kuptojmë dhe i shfrytëzojmë frutat nga puna e tyre, se është një ndër profesionet më humane dhe të mirëfillta ( nëse punohet sipas kodit përkatës), aq sa është profesion me ndikimin më të madh shoqëror botërisht, dhe prek te çdo cep i jetës dhe lëvizjeve shoqërore. Prandaj, kjo formë e prezantimit të lajmit në vendin tonë, nuk mund të quhet profesioniste, dhe aq më pak njerëzore, dhe urgjentisht duhet të merren masa paralajmëruese të ndëshkimit të vetë portaleve dhe mediave që e shkelin dinjitetin njerëzor në mënyrë mizore!
U bëj thirrje të gjithëve që do ta lexojnë këtë shkrim, mundësisht ta shpërndajnë, që të depërton te sa më tepër shpirtra. E shkrova me shumë hamendje dhe me drithërimë, sepse është hera e parë që shprehem publikisht për rrethanat e ngjarjes së përshkruar më lartë, dhe e shkela parimin që ia kisha vendosur vetes, që mos ta shfrytëzoj asnjëherë tragjedinë familjare, për qëllime të jashtme. Megjithatë, qëllimi është i mirëfilltë, dhe në interes shoqëror, në aspektin e ngritjes së ndërgjegjes dhe vetëdijes njerëzore dhe shpresoj se ia vlen të shfrytëzohet në këtë formë.