“Si president i partisë, e kam përgjegjësinë më të lartë për rezultatet zgjedhore”, tha lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, në konferencën për shtyp mbrëmë pas rezultateve të para jozyrtare nga votimet, por nuk u përgjigj në pyetjet e gazetarëve nëse kjo do të thotë se do të jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë.
Gruevski theksoi se gjatë ditës së votimeve ka pasur shumë parregullsi, por gjithashtu paralajmëroi se do të pason analizë e zgjedhjeve dhe rezultateve.
“Do të pasojë analizë e zgjedhjeve dhe e rezultateve me qëllim të vërtetojmë çfarë tjetër, përveç parregullsive zgjedhore, ka qenë veprim i gabueshëm i partisë tonë si shkak për mospasjen e rezultateve të mira”, tha lideri i VMRO-DPMNE.
Në adresimin e tij, Gruevski tha se ka pasur kërcënime mbi kandidatët e tyre, frikësime dhe se ka pasur ndikime mbi kandidatët, dhe u ankua për policinë.
“Policia ishte mbrojtës kryesor dhe ishte e vënë në funksion partiak. Nga shumë anë kemi pranuar informata për ryshfet të votuesve, dhe me siguri se vazhdoi fushata e zezë. Dita e sotme e votimeve kaloi me shumë parregullsi dhe shkelje të Kodit Zgjedhor, uzurpim të resurseve shtetërore, presione, ryshfet të votuesve, ndërsa qytetarë transportoheshin në mënyrë të organizuar deri në vendvotime. Për herë të parë në historinë e Maqedonisë, SUV-a policorë bënin gjiro me simpatizues partiakë”, tha Gruevski.
Sipas tij, e gjithë kjo ka ndikuar mbi rezultatin zgjedhor dhe ka kontribuar për fitoren e LSDM në më tepër komuna. Gruevski tha se do të paraqesin ankesa për të gjitha parregullsitë. “Zgjedhjet nuk kanë mbaruar”, tha ai.
Mbetet të shohim nëse do të realizohen premtimet që i dha Gruevski para zgjedhjeve, nëse më në fund do ta pranojë humbjen dhe do të mbetet në histori.
Në kontekst të asaj se çfarë e pret partinë VMRO-DPMNE, janë edhe mesazhet e Reformatorëve të partisë, të cilët kërkuan dorëheqje nga kryetari Nikolla Gruevski, i cili sipas tyre, është fajtor për humbjen në zgjedhjet vendore.
Ata menjëherë pas shpalljes së rezultateve të para jozyrtare thanë se koha e gruevizmit në partinë e tyre, ka kaluar.
“Gruevski menjëherë të jep dorëheqje dhe të mundësojë zgjedhje të lirë dhe demokratike të liderit të ri në kongres”, tha Aleksandar Mihajllovski nga krahu reformator i VMRO-DPMNE.
Ata e mbajtën konferencën për shtyp në Klubin e Gazetarëve dhe e ftuan liderin e partisë tu bashkohet. Por, Gruevski nuk iu përgjigj ftesës.
M.Ivanovska