Të gjithë refugjatët të cilët ishin të vendosur në transit- qendrën në Tabanovcë, mbrëmë policia papritmas dhe pa arsyetim i ka kthyer në Greqi, vërtetoi për CIVIL Media, organizata joqeveritare “Legis”.
“Mbrëmë rreth orës 11 para mesnatës, refugjatëve u është lajmëruar se do të zhvendosen në Greqi. U është dhënë afat i shkurtë që ti mbledhin gjërat e tyre dhe janë larguar për Gjevgjeli. Për momentin janë në kalimin kufitar drejt Greqisë, pritet të lëshohet kufiri me Maqedoninë”, deklaroi Jasmin Rexhepi për CIVIL Media.
Rexhepi thotë se disa nga ata kanë kërkuar të kthehen në Greqi. “Legis” është në kontakt të vazhdueshëm me ata dhe kontrollohen informatat nëse ndonjë nga refugjatët nuk ka dashur të largohet, ose ka dashur të kërkojë azil, dhe nëse ndonjë refugjat është i zhvendosur dhunshëm. Sipas dijenive të “Legis”, Maqedonia para pesë muajve ka kërkuar ripranim – procedurë juridike për kthimin e refugjatëve në vendin nga i cili kanë ardhur, në këtë rast, në Greqi. Sipas informatave të tyre, Grekët tani kanë dërguar përgjigje pozitive.
Bëhet fjalë për 49 refugjatë nga Iraku dhe Siria, të cilët për një vit kanë qëndruar në transit-qendrën në Tabanovcë.
MPB ende nuk është paraqitur me shpjegime konkrete, nga atje paralajmëruan që së shpejti do të shpjegojnë se çfarë po ndodh.
Ndërkohë, dhjetëra vende nga Evropa Qendrore dhe Juglindore u pajtuan se deri në fund të muajit prill do të paraqesin plan të ri për bashkëpunim më të fortë ushtarak dhe civil, me qëllim të sigurimit të kufijve të tyre në rast të dështimit të marrëveshjes për emigrantët mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë.
Ky qëndrim doli nga kërcënimet e Turqisë se do ta ndërpresë bashkëpunimin, nëse marrëdhëniet me BE ftohen. Marrëveshja, e arritur para pothuajse një viti, e zvogëloi numrin e refugjatëve që hyjnë në BE nga Turqia, përmes Greqisë dhe Ballkanit.
Maja Ivanovska