Bashkimi Demokratik për Integrim mbrëmë deri në mesnatë nuk arriti të sjell vendimin përfundimtar për koalicionin me VMRO-DPMNE. Zëdhënësi Bujar Osmani deklaroi se ende nuk është sjellë vendimi përfundimtar dhe se bisedimet do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme.
“BDI ka filluar proces ghithpërfshirës të konsultimeve në parti, me anëtarët tonë, miqtë në bashkësinë ndërkombëtare dhe kemi pasur debat gjithëpërfshirës për pesë propozimet mbi tavolinë. Nga mbledhjet e fundit, njëzëshëm kemi vendosur se ky debat sot nuk mund të shteret, për cilën do nga pesë opsionet, dhe të gjitha opsionet mbeten të hapura”, deklaroi Osmani.
Me qëndrim mbrëmë doli edhe VMRO-DPMNE dhe e informoi publikun se nuk është arritur marrëveshje për koalicion me BDI.
“VMRO – DPMNE bashkë me koalicionin “Për Maqedoni më të mirë”, si fitues në zgjedhjet e fundit, i cili fitoi mbështetjen më të madhe nga qytetarët dhe fitoi numrin më të madh të deputetëve, vlerëson se formimi i Qeverisë do të jetë në funksion të mbylljes së krizës politike, dhe jo thellësim i saj, dhe vlerëson se mbajtja e zgjedhjeve të reja është zgjidhje e pjekur, dhe në shërbim të tejkalimit të krizës dhe vendosjes së prioriteteve për reforma në plan të parë. Cili do vendim tjetër vetëm do të sjell deri në situatë të re konflikti dhe probleme në shoqërinë edhe ashtu të ndarë, dhe nuk do të jetë në shërbim të qëndrueshmërisë dhe realizimit të qëllimeve programore të cilit do. Është e qartë se dikush dëshiron të anashkalohet vullneti i shumicës së qytetarëve dhe ta shtyjë Maqedoninë në ndonjë fazë të re të pasigurisë të zhvillimit të saj. VMRO –DPMNE mbetet në pozitat parimore ndaj çështjeve strategjike të interesit shtetëror dhe nacional, dhe në shpalljen e miratuar më 17 dhjetor të vitit 2016”, thuhet në lajmërimin nga partia.
Tani në lëvizje është Presidenti Ivanov. Derisa VMRO-DPMNE kërkon zgjedhje të reja, ndërsa LSDM pret që Gruevski ta kthejë mandatin për formimin e Qeverisë së re dhe t’i dorëzohet Zaev-it, Ivanovi hesht.