Sigurimi i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski ka kërkuar nga një gazetar i TV 21 që të fshijë fotografitë nga telefoni celular, në të cilat ka qenë i fotografuar lideri i VMRO DPMNE-së duke ecur nëpër rrugën “Maqedonia”, kumton ky stacion televiziv.
Sipas TV 21, pasi që ka vënë re se është duke shëtitur, gazetari është përpjekur të xhirojë ish-kryeministrin për të bërë publikim në faqen e internetit të TV21. Pastaj, sigurimi i Gruevskit ka hyrë në oborrin e televizionit, ka marrë telefonin celular dhe i ka fshirë fotografitë. Gazetarit i kanë kërkuar legjitimacionin gazetaresk, të cilin ai e ka treguar në mënyrë të rregullt. Njëri prej pjesëtarëve të sigurimit ka dhënë edhe kartelë identifikimi se është person i punësuar në Ministrinë e Brendshme.
“Vlerësojmë se ish-kryeministri është një person publik, dhe se është në interes të publikut të dinë se çfarë po bën ai dhe se si ai sillet. E thërrasim partinë e tij dhe Ministrinë e Brendshme që të prononcohen në lidhje me këtë incident. Kamerat e sigurisë të TV 21 e kanë regjistruar këtë ngjarje, respektivisht është regjistruar se si sigurimi i ish-kryeministrit, pa lejen e TV 21 hyn në televizion”, thuhet në njoftimin e TV 21.
CIVIL – Qendra për Liri e dënon ashpër këtë akt të dhunshëm dhe banditesk, me të cilin brutalisht shkelet liria e medias në vend. Pikërisht këto akte dhe sjellje të paligjshme të përdhunuesve të Gruevskit janë ndër arsyet kryesore se pse reputacioni i Maqedonisë në bashkësinë ndërkombëtare sa u përket mediave është i rrënuar dhe në rënie të lirë.
Para do kohe, organizata me renome “Freedom House” ka vlerësuar për herë të parë Maqedoninë si shtet jo të lirë, gjë që sigurisht është pasojë, ndër të tjera, e akteve të tilla.
Pushteti në Maqedoni, në disa vitet e fundit ndërhyn dhe mbyll media dhe gazetarë, e nuk ishin të rralla edhe raste të dhunës fizike ndaj gazetarëve, madje edhe nga zyrtarët e lartë të qeverisë.
I bëjmë thirrje opninionit për të mbështetur gazetarët e TV 21 dhe përkushtimin e tyre për të raportuar të lirë dhe të papenguar për të gjitha çështjet me interes publik.
Hyrja e paligjshme në një medium dhe sekuestrimi i paligjshëm i regjistrimeve nuk guxon të kalojë!