Dita e Romëve – 8 Prilli për mua ka efekt të barabartë si “Dita e Drurit” në Maqedoni. Çdo vit mbillen mijëra drunj dhe mbillen mijëra euro, po efekti është katastrofal dhe skajshmërisht joproduktiv… E ngjashme është gjendja edhe me shënimin e Ditës së Romëve. Për shkak se edhe romëve nuk u duhet vetëm një ditë vëmendje dhe kushtim nga qytetarët e tyre, ashtu siç nuk duhet të ketë vetëm një ditë në vit, gjoja për të mbjellë drunj, që të kemi ajër më të pastër për të marrë frymë.
Para një kohe të caktuar dëgjova se unë qenkam bërë tradhtar i romëve që si gazetar tërë kohën kisha shkruar kundër romëve…?!
Po, kam shkruar kundër politikanëve romë, për politikat e tyre të gabuara, për atë që munden dhe duhet ta ndërmarrin për të mirën e romëve, e shumë shpesh nuk e bëjnë…
Mirëpo, asnjëherë nuk kam thënë fjalë të keqe për xhaxhain që mbledh hedhurina nëpër shporta për ta ushqyer familjen. Asnjëherë nuk kam shkruar asgjë të keqe për atë tetën që nuk ka para për të shkuar në gjinekolog privat për shkak se nuk ka ordinancë gjinekologjike nga shëndeti publik në Shuto Orizarë. Nuk kam shkruar asgjë të keqe për njeriun që ia kanë ndërprerë ndihmën sociale për shkak se i kanë dhënë para përmes Vestern Unionit për ta shpëtuar bashkëshorten që ka qenë duke vdekur nga kanceri… Po, kam shkruar edhe për bashkëqytetaren tonë që jetonte me gangrenë në këmbë, kurse spitali nuk ka dashur ta pranonte për shkak se nuk ka pasur dokumente… A duhet ende të numëroj – për cilët romë kam shkruar “keq”…
Romët nuk janë vetëm politikanët romë. Të gjithë ata që kryejnë funksion publik duhet patjetër të kuptojnë se mund të shoqërohen e të pinë kafe me gazetarët, por le të mos presin heshtim ndaj politikave të tyre të gabuara.
Andaj, liderë romë, po qe se vërtet jeni patriotë, rrekjuni punës dhe përmirësojani jetën dhe të drejtat bashkësisë së romëve!
Sot e gjithë bashkësia e romëve feston, organizon manifestime, programe muzikore. Sot do të dëgjojmë nga politikanët se sa ky pushtet u përkujdes për t’ua përmirësuar jetën romëve dhe po qe se sërish do të fitonte VMRO-DPMNE-ja në zgjedhjet e ardhshme, jeta e bashkësisë së romëve do të lulëzojë… E pikërisht politikat e pushtetit i detyruan romët të ikin nga Maqedonia. Sot Shutka është gjysmë e zbrazur. Të rinjtë gjithnjë e më shpesh të ardhmen e kërkojnë përmes aeroportit “Aleksandri i Madh”, duke pasur në dorë biletë njëkahëshe. Sot, për fat të keq, romët e rinj, qoftë edhe kur do të regjistrohen në fakultet e do të marrin indeks në dorë, njëkohësisht “regjistrohen” edhe në ndonjë parti politike, sepse mundësinë për punësim e shohin në librezën e partisë, e jo në diplomën e fakultetit…
Sot, unë nuk do të festoj, sepse askush nuk mundet të më caktojë ditë për ekzistimin tim kombëtar! Unë jam rom – 365 ditë në vit, e jo vetëm më 8 Prill!