Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Bruksel në korniza të Samitit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, mbajtën konferencë të përbashkët për shtyp, njofton shërbimi për shtyp i Qeverisë.
Në konferencën për shtyp, Kryeministri Kovaçevski, theksoi se propozimi aktual francez nuk është i pranueshëm as për Qeverinë, as për Presidentin e vendit, as për partnerët e koalicionit dhe as për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Samiti i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor ishte forum ku diskutuam çështje të hapura me interes nacional dhe rajonal për Ballkanin Perëndimor për sfidat e fundit gjeostrategjike. Agresioni rus në Ukrainë është një kërcënim për të gjitha vendet e rajonit dhe në këtë kontekst, zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor duhet parë si një domosdoshmëri, por edhe si një investim në sigurinë e BE-së.
Duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ndodhemi sot në Samit, shpreha pakënaqësinë për dinamikën e proceseve të anëtarësimit dhe fillimin e negociatave. Republika e Maqedonisë së Veriut ka qenë vend kandidat për 17 vjet, Marrëveshjen për asocim dhe stabilizim e kemi nënshkruar. Këshilli Evropian vendosi për fillimin e pakushtëzuar të negociatave ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.
Por ja ku jemi sot dhe bisedimet nuk kanë filluar akoma.
Do të jem i drejtpërdrejtë, kjo që po ndodh është një problem serioz dhe një goditje e rëndë për kredibilitetin e BE-së. Po humbim kohë të çmuar që realisht nuk e kemi në dispozicion.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, por edhe rajoni, nuk duhet ta lejojmë veten të ngecim në një vend për shkak të një shteti anëtar që thjesht nuk arrin të koordinojë dhe të sigurojë zhbllokimin e rrugës sonë evropiane.
Nuk duhet të lejojmë që çështjet dypalëshe të bëhen çështje shumëpalëshe.
Maqedonia e Veriut është një vend që bota sot e njeh si një vend që arrin përmes dialogut të hapur të zgjidhë çështje të vështira.
Bullgaria ka vendosur të kthehet në të kaluarën dhe të rivendos një bllokadë, nga e cila nuk përfiton askush, përveç disa palëve të treta që do të kenë terren të hapur për të mbushur boshllëqet që do të hapen me hapa të tillë të pamatur që janë jashtëzakonisht të rëndësishëm nga pikëpamja e aspektit gjeostrategjik.
Maqedonia e Veriut ka bërë shumë deri më tani.
Për sa i përket propozimit francez, fillimisht do të doja të falënderoja Presidentin Makron për angazhimin dhe përpjekjet e tij për të gjetur një zgjidhje. Në atë proces dinamik të punës me Presidencën franceze, ne i shpallëm qëndrimet dhe vijat e kuqe dhe në këtë kontekst dëshiroj të konfirmoj se një propozim që do të ishte i pranueshëm duhet të garantojë elementet kyçe – një formulim të qartë të gjuhës maqedonase në kornizën negociuese dhe mbrojtjen e qartë të identitetit maqedonas.
Çështjet historike nuk mund të jenë kritere në kornizën e negociatave.
Negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhet të fillojnë para fillimit të procedurës për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në preambulën e Kushtetutës, Garanci të fuqishme si nga Bullgaria ashtu edhe nga Bashkimi Evropian se Bullgaria nuk do të kushtëzojë kërkesa të reja, jashtë nga ajo që është dakorduar në kornizën e negociatave dhe në protokollin dypalësh që ende nuk është harmonizuar me Bullgarinë.
Dhe sigurisht, çdo zgjidhje do të duhet të konsultohet me institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Propozimi në formën e tanishme është i papranueshëm për mua, për Presidentin, për Qeverinë, për partnerët e koalicionit dhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Nëse arrihet një mirëkuptim i pozicioneve tona gjatë presidencës franceze, ne jemi të gatshëm të angazhohemi në bisedime për të filluar bisedimet në qershor”, theksoi Kryeministri Kovaçevski.